Më 9 korrik, nënshkruhet zyrtarisht anëtarësimi në NATO
Pas ftesës që Shqipëria - së bashku me Kraocinë - mori në samitin i Bukureshtit për t'u bërë anëtare e kësaj Aleance, këto bisedime shënojnë pjesën proceduriale që duhet të ndiqet për t'u realizuar anëtarësimi.
Korrespondenti i BBC në Bruksel thotë se pritet të zhvillohen disa raunde bisedimesh dhe ato, sipas një planifikimi në NATO, duhet të përfundojnë deri në muajin korrik të këtij viti.
Pritet që më 9 korrik Shqipëria dhe Kroacia, që morën ftesën në Bukuresht, të nënshkruajnë zyrtarisht anëtarësimin në NATO.
Pas kësaj date fillon procedura e ratifikimit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, procedura që zgjasin rreth një vit.
Ndjekësit e zhvillime në NATO thonë se kjo procedurë këtë herë mund të zgjasë më pak dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO mund të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm, kur Aleanca Veriatlantike të shënojë 60-vjetorin e krijimit.
Pritet që në samitin e ardhshëm të NATO-s, që zhvillohet në dy qytete, Strasburg të Francës dhe Kiell të Gjermanisë, Shqipëria dhe Kroacia të marrin pjesë si anëtare me të drejta të plota të organizatës.
Maqedonia, që ishte pjesë e grupit të ashtuquajtur Adriatik 3, me aspiratë për të marrë ftesën për anëtarësim, nuk e mori këtë ftesë gjatë Samitit të Bukureshtit për shkak të kundërshtimeve greke lidhur me emrin e saj.
Burime të NATO-s thonë se procedura për anëtarësimin e Maqedonisë mund të shkojë paralelisht me dy vendet e tjera, nëse ky vend zgjidh shpejt me Greqinë mosmarrëveshjet për çështjen e emrit.