E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO shtoi stabilitetin në Ballkan

Kosova

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) është i rëndësishëm, jo vetëm për NATO-n, por edhe për OKB-në dhe BE-në. NATO ka luajtur rol vital në sigurinë e Kosovës, qysh kur udhëhoqi fushatën ushtarake të suksesshme në 1999-ën, për të ndalur pastrimin etnik dhe pastaj për të vendosur forcën paqeruajtëse sipas rezolutës së OKB-së 1244.

Tani Kosova është e pavarur, por NATO do ta vazhdojë misionin e saj aty, për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit dhe duke kontribuar për lirinë e lëvizjes dhe mbrojtjen e vendeve religjioze të minoriteteve. NATO e bëri të qartë se do të vazhdojë të luajë një rol në krijimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës së re, multietnike dhe një agjenci qeveritare civile për ta kontrolluar atë.

Duhet kuptuar se KFOR-i nuk mund të jetë i suksesshëm vetëm. Organizata të tjera, në bashkëpunim me strukturat qeveritare vendore, duhet të vazhdojnë të veprojnë me përgjegjshmëri.

Sfidat që kemi vërejtur kohët e fundit në Kosovë kanë të bëjnë me dhunën e një grupi radikalësh me nxitje serbe, e përkrahur të paktën në disa raste nga autoritetet - apo një farë autoriteti - në Beograd. Parësor, tani për tani, është roli i misionit të OKB-së (UNMIK) dhe policisë së OKB-së, për të ruajtur kufijtë e Kosovës, për të ruajtur rendin dhe ligjin në gjithë Kosovën, por KFOR-i ndodhet aty për të ofruar siguri të përgjithshme dhe për të mbështetur OKB-në kur është e nevojshme.

Në mars, NATO ishte përpara një testi të madh triditor, kur një grup i vogël ekstremistësh zaptoi godinën e një gjykate në Mitrovicë. Duke e kuptuar qartë që dhuna e turmës nuk duhet lejuar të fitojë, UNMIK-u, me përkrahjen e gjerë të KFOR-it, e rimori me sukses godinën. Trupat e KFOR-it - kryesisht ushtarë francezë - e menaxhuan situatën me profesionalizëm të lartë nën zjarr dhe aksionet e KFOR-it, këtu dhe kudo në Kosovë, në përkrahje të OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ka qenë në kohë, korrekt dhe rezultativ. Të dyja palët patën të lënduar - UNMIK-u kishte 42 dy të plagosur dhe një të vdekur, një polic ukrainas, KFOR-i pati 22 të plagosur.

Ne duhet të ruajmë vendosmërinë e përbashkët përballë provokimeve në të ardhmen dhe përpjekjeve të aktorëve të jashtëm për të nxitur dhunë. Ka shumë rëndësi që OKB-ja dhe BE-ja të vazhdojnë të luajnë rol të fortë, stabilizues në Kosovë dhe prania e UNMIK-ut, gradualisht të kalojë te një mision për ligj dhe rregull, të udhëhequr nga BE-ja.

Së fundi, kur mendojmë për Kosovën është e rëndësishme të theksojmë se kjo nuk ka lindur pas shpalljes së pavarësisë. Nuk pati dhunë të brendshme mes komuniteteve etnike në shkallë të gjerë, së cilës i trembeshim të gjithë. Nuk ka patur refugjatë, as persona të zhvendosur brenda Kosovës dhe as shqetësime në vendet e shenjta. Ende nuk e kemi kaluar pikën e kërcënimeve të rrezikshme për stabilitet në Kosovë, veçanërisht në veri, por jemi në rrugën e duhur me përparime të përditshme. Në qoftë se ne i rezistojmë presionit dhe provokimeve, koha do të jetë në krahun tonë dhe në krahun e qeverisë së Kosovës e cila, pas pavarësisë, i ka marrë seriozisht përgjegjësitë e saj.

Vendet e Kartës së Adriatikut

Në Bukuresht, Shqipërisë dhe Kroacisë iu ofrua ftesa e anëtarësimit në NATO dhe aleatët e përsëritën që rruga e anëtarësimit në NATO është e hapur. Aleatët vendosën gjithashtu se Maqedonia i përmbush standardet e vendosura nga NATO-ja dhe do ta marrë ftesën sapo të zgjidhet mosmarrëveshja e saj me Greqinë për emrin. Presidenti Bush e shprehu qartë: “Pozicioni i Amerikës është i qartë: Maqedonia duhet të zërë vendin e saj në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.”

Hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë do ta shtrijë më tej sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan. Vetëm brenda një dhjetëvjeçari, Kroacia ka kaluar nga lufta në paqe dhe të dyja vendet kanë forcuar demokracitë dhe stabilitetin e brendshëm. Të dy vendet janë kontribues të çmuar në misionet e NATO-s dhe tani do të vazhdojnë si aleatë të NATO-s.

SHBA-të u zhgënjyen nga mosdhënia e ftesës për Maqedoninë. Ne do të vazhdojmë të përkrahim negociatorin e OKB-së, Matt Nimetz, të ndihmojë Greqinë dhe Maqedoninë të gjejnë një zgjidhje të përshtashme për të dyja palët, sa më shpejt të jetë e mundur. SHBA-të po punojnë me Greqinë dhe aletatët e tjerë me Maqedoninë për të përkrahur procesin.

*Ndihmëssekretar i Shtetit të SHBA

Pjesë nga raporti i mbajtur pardje para Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Kongres

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›