Me Anijen e ëmbël drejt Venecias së luanëve
Një anije që transportonte sheqer, do të transportonte një mal me dhimbje dhe ëndrra. Vetëm pak ditë para se të mbushen 21 vjet nga ajo ditë, në një nga arenat më të mëdha botërore të kinematografisë, do të kujtohet eksodi shqiptar i vitit 1991. Këtë vit, jashtë konkurrimit, mes projeksioneve speciale të Festivalit të Venecias, i cili do të zhvillohet nga data 29 gusht deri më 8 shtator 2012, do të shfaqet edhe dokumentari mbi historinë e eksodit të 7 gushtit 1991 me anijen Vlora.
Autorët e kanë quajtur La nave dolce (Anija e ëmbël), për faktin se anija Vlora ishte e ngarkuar me sheqer, por në të vërtetë historia e atyre ditëve e mijëra shqiptarëve të ardhur me të nuk ishte aspak e ëmbël. Ishin shqiptarët e eksodit të gushtit 1991, apo më mirë të stadiumit të Barit, shumica dërrmuese e të cilëve u kthyen mbrapsht.
Përmes intervistave me persona që u bënë protagonistë të kësaj ngjarjeje dhe rrugëtarë të këtij udhëtimi të patëdytë, regjisori Daniele Vicari ka ndërtuar filmin dokumentar. Mes dëshmitarëve dhe protagonistëve kryesorë të atij gushti të nxehtë janë Halim Milaqi, komandanti i anijes Vlora, Eva Karafili, Agron Sula, Halim Milaqi, Kledi Kadiu, Robert Budina, Nicola Montano, Domenico Stea, Fortunata DellOrzo, Luca Turi, Raffaele Nigro, Maria Brescia etj., të cilët kujtojnë atë udhëtim, shenjat e të cilit janë gdhendur thellë në jetët e tyre.
Filmi është prodhim italo-shqiptar, i shtëpive filmike Ska-Ndal Production, Indigo Film, Apulia Film Commission, Rai-Cinema, në bashkëpunim me Telenorba.