E Diel, 1 Nëntor 2026

Ziadin Sela: Struga ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare

04-04-2013 / Gazeta 55

Kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme takimet me qytetarë, të kandidatit shqiptar për kryetar të komunës së Strugës, Ziadin Sela. Kësaj radhe ai kërkoi përkrahje nga banorët e Bixhovës, Novosellës, Livadhisë, Koroshishtës, Zhepinit dhe Dollogozhdës. Sela sqaroi para banorëve se tanimë në rrethin e dytë nuk ka garë politike, por kombëtare dhe se duhet të lihen anash inatet politike, për të krijuar atë që sipas tij, do të jetë parim për çdo zgjedhje të ardhshme lokale, për komunën e Strugës. 
“Natyrisht që kjo është gjëja më e mirë që mund ti ndodhë edhe një kandidati për kryetar komune, por është gjëja më e mirë që mund ti ndodhe një popullate, e cila del dhe e shpreh verdiktin e vet. Është dita dhe ky është principi të cilin ne të gjithë bashkë tani e tutje do ta themelojmë. Në Strugë çdoherë do të ketë zgjedhje lokale dhe çdo herë do të ketë vetëm raund të parë. Ndërsa raundi i dytë do të jetë raundi ku ne do ti shtrijmë dorën njëri tjetrit, kur të gjithë ne ashtu siç na ka hije dhe lezet, si vëllai me vëllain, do të bëhemi bashkë rreth asaj të cilën e paracakton edhe gjeni ynë. Ne jemi shqiptarë, Struga është shqiptare dhe të gjithë ata të cilët kanë dalë me thirrjet që ta kthejnë Strugën, ne më 7 prill të gjithë bashkë do t’iu themi që s’keni çfarë ktheni sepse Struga ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare” – theksoi Sela para qytetarëve.

Sela, gjithashtu falemideroi kolegun e tij, ish kandidatin për kryetar komune, Arben Labënishta, për përkrahjen që ia jep në këtë rreth të dytë zgjedhor dhe theksoi se ata të dy së bashku kanë një mision të rëndësishëm, të cilin do ta kurorëzojnë me fitore, qytetarët e Strugës, me votë më 7 prill. Ai apeloi tek qytetarët e këtyre vendbanimeve, që të ruajnë gjakftohtësinë dhe më 7 prill sa më masovikisht, në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, të gjithë të bashkuar të fitojnë bindshëm këtë betejë kombëtare.

“Ne, ditën e dielë do të japim një mesazh shumë të fuqishëm. Do t’iu japim mesazhin atyre që bëjnë çmos, që shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat për ti trembur qytetarët, që më 7 prill duke i fituar shumë thellë VMRO-në dhe LSDM-në, duke fituar Nikolla Gruevskin dhe Branko Cërvenkovskin, ne do t’iu japim një mesazh, që nga jetë e mot, sa të ekzistojë Struga dhe sa të ekzistojnë shqiptarët, të heqin dorë dhe as mos mbajnë shpresa se ndonjëherë mund të na fitojnë në Strugë. Natyrisht që këtë mesazh do t’ua japim të gjithë me votë, më asgjë tjetër. Ndërsa shantazhet, të cilat mundohen t’ua bëjnë qytetarëve, atë ditë do t’iu themi se nuk iu vlejnë për asgjë. Nuk iu vlejnë sepse ne kemi ditur të rezistojmë pesëdhjetë vite me radhë, do të rezistojmë edhe tre ditë dhe mesazhin do t’iua japim ditën e dielën të gjithë bashkë. Janë egërsuar dhe nuk dinë me çfarë mënyrash të krijojnë teren në për të fituar zgjedhjet. Atë që e kanë mision të pamundur, mundohen ta bëjnë të mundshëm. Kanë nisur të më etiketojnë dhe e përdorin tek maqedonasit se unë do ta bëj Shqipërinë e madhe. Nuk bëhet Shqipëria e Madhe prej në Strugë, po të bëheshe, ne do ta kishim bërë moti këtë. Por në Strugën do ta bëjmë më të madhe edhe se Maqedonia edhe se Shqipëria, sepse ne jemi bujarë, ne jemi vend turistik dhe ne do të jemi të hapur për të gjithë turistët, sidomos nga Shqipëria, që të vijnë dhe të kalojnë një pushim  sa më mirë dhe sa më këndshëm ketu në mesin tonë, në Strugë. Struga ka frymuar dhe Struga do të vazhdojë të frymojë Shqip.” – theksoi mes tjerash Ziadin Sela.

Sela edhe njëherë iu kujtoi banorëve të kësaj ane, se prej datës 7 prill, ai do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Strugës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›