E Diel, 1 Nëntor 2026

Me "Giffoni"-n, së shpejti një film për fëmijë

Salla e kinema "Milenium" në Shkodër ka pasur një publik të veçantë gjatë ditës së djeshme. Fëmijë dhe të rinj kanë mbushur sallën, për të ndjekur filmat e edicionit të pestë të "Giffoni Film Festival Shqipëria". Diskutimet mbi filmat dhe tematikat kanë shoqëruar seancat e projeksionit. Në këtë vit jubilar, festivali e ka nisur rrugëtimin e tij nga qyteti i Shkodrës, i cili edhe pesë vjet më parë, në nëntor të 2005-ës, ishte i vetmi qytet pas Tiranës që priste "Giffoni Shqipëria".

"Giffoni Film Festival Shqipëria" bën pesë vjet. Cilat kanë qenë sfidat dhe arritjet e këtij festivali?

Po të kthehemi pas për të parë se çfarë ka ndodhur në këto pesë vite, bilanci ka qenë pozitiv për synimet kryesore që ne kishim kur nisëm këtë festival. Fëmijët dhe të rinjtë e kanë mirëpritur si format. Kjo tregon se në kinematë tona, të cilat sot frekuentohen pak ose aspak, në të nesërmen, kur ky brez të jetë frekuentues i rregullt i këtyre institucioneve të rëndësishme, do të jenë më plot. Përkthyer ndryshe do të thotë se një brez që sot është 20 vjeç, fatkeqësisht ka lindur pa kinema. E dimë se me ndryshim e sistemit situata u përkeqësua. Ato kinema që kishim në të shkuarën, ishin pjesë e zinxhirit ideologjik, tërësisht të politizuara. Edhe ai pak prodhim që vinte nga jashtë, kalonte nën një censurë të rreptë. Gjithsesi, ne shkonim në kinema, mbanim radhë të gjata, kurse sot kjo nuk ekziston. Ky format që u adresohet grupmoshave të reja, u mirëprit duke pasur parasysh që televizioni ka bllokuar 95% të gjithçkaje, por magjia e ekranit të madh është tjetër gjë. Në këtë vit jubilar jemi të kënaqur, sepse fëmijët dhe të rinjtë e pëlqejnë kinemanë. Që në fillim ne menduam që ky aktivitet të mos i përkiste vetëm Tiranës. Ne arritëm ta bënim festivalin të të gjithë Shqipërisë. Kam parasysh gjeografinë ku lëviz: Sarandë, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Durrës, Korçë.

Nisur nga edicioni i sivjetshëm, por edhe më parë, çfarë tematikash synohen t‘i përcillen këtij brezi përmes ekranit të kinemasë?

Çdo vit është bërë një përzgjedhje e kujdesshme për të sjellë tema interesante, por edhe problematika të brezave që iu adresohet festivali. Pjesë e programit kanë qenë prodhimet më të mira botërore, të cilët kanë shërbyer edhe si një mundësi dialogimi mes fëmijëve dhe të rinjve që ndjekin këtë festival. Ata shohin filmat, diskutojnë dhe anatemojnë kur nuk u pëlqejnë. Ky format prandaj ka qenë i suksesshëm dhe ngeli i vetmi në botë, sepse i bën fëmijët dhe të rinjtë protagonistë. Nuk ka juri akademike. Janë pikërisht këta të rinj që vendosin se kush do të jetë fituesi.

Edhe sivjet kemi një juri ndërkombëtare. Sa i ka shërbyer dialogimit kulturor ky festival?

Ndërthurja kulturore në këtë rast bëhet e plotë. Fëmijëve shqiptarë iu bashkëngjiten fëmijë nga Italia, nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe për herë të parë sivjet kemi fëmijë e të rinj nga Kosova. Shqipëria mbledh gjithë fëmijët e rajonit, sjell prodhimet më të mira dhe ata diskutojnë mbi temat e filmave që iu ofrohen. Bëhet një ndërthurje kulturore, si mes asaj që ne u propozojmë përmes ekranit të kinemasë, por edhe mes tyre. "Giffoni Film Festival Shqipëria" është kthyer në një festë të madhe kulturore.

Një nga synimet e "Giffoni Shqipëria" ishte kthimi i vëmendjes ndaj filmit shqiptar për fëmijë. Ka arritur të ngacmojë sadopak?

Ka ngacmim. Do të kujtoj me mirënjohje të ndjerën Xhanfize Keko, e cila ishte ikona e filmit për fëmijë. Para se të ndahej nga jeta, ishte presidente nderi e "Giffoni"-t. Ndonëse krijoi në vite të vështira, Keko është nderuar me disa çmime, mes tyre edhe dy çmime nga "Giffoni Film Festival" në Itali në ‘84-ën. Kjo lloj lidhje mes "Giffoni"-t dhe kinemasë shqiptare ia arriti qëllimit. Që në edicionin e parë, "Giffoni Film Festival" vendosi të bëhet partner për prodhimin e një filmi shqiptar, duke u bërë promotor dhe duke nxitur edhe pjesën shqiptare, e cila pak ka qenë e ndjeshme. Së fundmi, me një vendim të bordit artistik të filmit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u aprovua një film për fëmijë. Do të jetë një bashkëprodhim mes QKK-së dhe "Giffoni Production Film Festival".

Çfarë teme rrok filmi dhe kur do të fillojë realizimi i tij?

Filmi do të realizohet mbi skenarin e Rruzhdi Pulahës. Është një temë e nxehtë, ajo e gjakmarrjes, një temë mbi fëmijë e të rinj që nuk jetojnë dot jetën e tyre, sepse është ky kod absurd i kahershëm i gjakmarrjes. Gjithsesi nuk do të rrekemi t‘i mëshojmë anës së jashtëzakonshme të fenomenit, por ndjesive të këtyre fëmijëve. Po punohet fort. Është përkthyer skenari, u është paraqitur disa bashkëprodhuesve që ne shpresojmë t‘i kemi bashkëproducentë, sepse është e ditur që nevoja financiare e filmit është shumë e madhe. Ne besojmë se pranverën e vitit të ardhshëm do të përzgjedhim kastin e do të fillojmë xhirimet.

A do të ketë festivali një shtrirje më të madhe gjeografike në vitet në vazhdim? Flitet edhe për Kosovën?

Kjo është pjesa më problematike e organizimit, sepse ndjeshmëria dhe mbështetja për festivalin është minimale. Duke qenë se Kosova ishte për herë të parë këtë vit pjesëmarrëse me një juri modeste, po shohim mundësinë që vitin tjetër të shkojmë në 6 qytete të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›