E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëmshi me çështjen "Lila", FSHF zhvlerëson vendimin e Apelit

Çështja e pezullimi të futbollistit të Tiranës, Andi Lila, ka kthyer në një lëmsh të vërtetë Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila më në fund ka ndërhyrë për të vënë rregull, duke hedhur poshtë vendimin e dytë të Komisionit të Apelit. Tashmë kjo do të hyjë në histori si çështja për të cilën u dhanë tre vendime të ndryshme dhe që mund të shënojë një rast të paprecedent. Në fakt i gjithë faji i faturohet pikërisht Komisionit të Apelit, i cili ka shkaktuar gjithë këtë amulli. Më 19 shtator 2009 Komisioni i Disiplinës e ndëshkoi Lilën "për goditje me grusht ndaj një lojtari të Gramozit me 5 ndeshje pezullim dhe 100000 lekë gjobë". Komisioni i Apelit, më 26 shtator 2009, hedh poshtë ankimimin e futbollistit dhe "vendos të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës të datës 19.09.2009". Por më 10 tetor, i njëjti komision, ai i Apelit, edhe pse ishte shprehur qartë në vendimin e 26 shtatorit, nxjerr një tjetër vendim në lidhje me këtë çështje, ku flitet për interpretim, por që ngjan më shumë me një justifikim të ndryshimit të tij: "Për lojtarin Andi Lila të KF Tirana interpretohet vendimi i Komisionit të Apelit të datës 26.09.2009: Lënien në fuqi të vendimit të masës së gjobës dhe lojtari dënohet me 3 ndeshje pezullim". Kjo manovër e Apelit për të ndryshuar një vendim ishte një shkelje e rëndë, një skandal i madh. Por si duket FSHF, shumë e përqendruar te sfida Suedi-Shqipëri, reagimin e saj e ka ruajtur vetëm për ditët post-suedeze. Pikërisht dje, institucioni më i lartë i futbollit në vend ka bërë të ditur se me një vendim të brendshëm është pezulluar vendimi i dytë i Komisionit të Apelit, që e falte lojtarin me dy javë. Mbrojtësi i Kombëtares pritej të luante për Tiranën në derbin e kësaj fundjave me Dinamon. Ky skandal ka bërë që të humbasë besueshmëria e këtij komisioni dhe zyrtarët e federatës vendosën që dënimi i Lilës të mbetet në fuqi, të paktën deri në mbledhje e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv. Kjo çështje do të shqyrtohet nga organi më i lartë vendimmarrës i futbollit shqiptar, që më pas do të japë edhe një vendim. Ndërsa Lila mbetet i pezulluar dhe nuk do jetë i disponueshëm për derbin me Dinamon.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›