E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët: “Diploma e re, me gabime drejtshkrimore”

Autori i Lajmit: Entela Duraj
“Studentët deklarojnë se ky dokument cenon studimet 3-vjeçare, duke u mohuar të drejtën e titullit në përfundim të tyre si dhe deklarimin e fakultetit që kanë përfunduar. Njëkohësisht, të rinjtë analizojnë se formati i kësaj diplome është plot pasaktësi dhe gabime drejtshkrimore”

Një grup studentësh nga Fakulteti i Gazetarisë, kanë protestuar dje përpara Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës kundër modelit të ri të diplomës. Sipas tyre, formati i ri i diplomës nuk ka asnjë lidhje me simotrat e saj evropiane. Madje, modeli i ri i saj për studentët që kanë përfunduar nivelin e parë të studimeve sipas Bolonjës, përveç gafave në përmbajtje ka edhe gabime drejtshkrimore. Studentët deklarojnë se ky dokument cenon studimet 3-vjeçare, duke u mohuar të drejtën e titullit në përfundim të tyre si dhe deklarimin e fakultetit që kanë përfunduar. Njëkohësisht, të rinjtë analizojnë se formati i kësaj diplome është plot pasaktësi dhe gabime. Në një krahasim pamor të një diplome të Bolonjës në përfundim të studimeve të nivelit të parë që u lëshohet studentëve evropianë dhe modelit të ri që ka hartuar MASH, ka ndryshime thelbësore. Diploma evropiane përmban stemën e republikës dhe atë të Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, simotra evropiane përcakton edhe fakultetin dhe titullin që merr studenti në përfundim të këtij cikli studimesh. Ndërkohë që të gjitha këto elemente të rëndësishme janë përjashtuar nga formati i ri i diplomës shqiptare. Ndërkohë edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka mbështetur studentët, të cilët kanë kundërshtuar formatin e diplomës së re. Në një deklaratë për shtyp dy ditë më parë, Kule duke iu referuar udhëzimit të MASH, pohoi se "Në pikën 4, kjo duhet të eliminohet, diploma duhet të përmbajë stemën e republikës, të Ministrisë së Arsimit dhe emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë. Pra, ka përjashtuar fakultetin. Ne e kemi kërkuar që patjetër duhet të futet fakulteti se të gjitha diplomat e kanë. Ky është problem i të gjitha universiteteve shqiptare, pasi të gjitha e kanë bërë në këtë format",- ka argumentuar rektori Dhori Kule.

Reagimi për diplomat
MASH ua ngec fajin universiteteve

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka reaguar dje pas protestave të studentëve të disa degëve lidhur me mënyrën e pajisjes me diploma universitare, duke u shprehur se “është detyrë e Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) të pajisin me diplomën dhe suplementin përkatës çdo student që ka kryer një program studimi”. Duke u bazuar në ligjin “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, MASH sqaroi se “përmbajtja dhe forma e diplomës dhe e suplementit të diplomës përcaktohen nga senatet akademike, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë”. Në përputhje me këtë ligj, MASH ka nxjerrë vitin e kaluar udhëzimin "Për përmbajtjen dhe formën e diplomës të lëshuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL)”, në të cilin saktësohen elementet e detyrueshme të përmbajtjes dhe formës së diplomës, pra disa standarde shtetërore, mbi bazën e të cilave senatet akademike vendosin për modelin konkret të diplomës së veçantë të lëshuar nga çdo IAL. Ky standartizim është në përputhje me diplomat që lëshohen nga IAL-të, brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe më gjerë. Sipas ligjit shqiptar dhe Marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer. Në përputhje me ligjin, MASH ka miratuar modelet e vendosura nga senatet e universiteteve të Tiranës, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës dhe Durrësit. Më 24 korrik 2008, MASH ka dërguar në Drejtorinë e Administratës Publike informacionin mbi ciklet e studimit, emërtimin e diplomave në përfundim të çdo cikli dhe mundësitë e punësimit. Në vazhdim të këtij informimi, MASH siguroi se “do të ndërmarrë dhe hapa të tjerë për shpërndarjen e këtij informacioni, kategorive të ndryshme të punëdhënësve publikë dhe privatë”.
Ky lajm është publikuar: 23/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›