E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat që përfliten në media janë më të shiturit

Autori i Lajmit: red.
Libri duket se vazhdon të jetë miku më i mirë për një pjesë të konsiderueshme të lexuesve të kryeqytetit. Sipas një vëzhgimi në disa prej librarive të Tiranës, rezulton se qytetarët e Tiranës kanë ende dëshirë për të lexuar, madje një pjese e tyre dhurojnë libra për miqtë. Punonjësit në libraritë e kryeqytetit, thonë se “më kot dëgjojmë të thuhet se kohët e sotme njerëzit nuk lexojnë, përkundrazi, në librarinë tonë vihet re e kundërta. Pak kohë më parë situata mund të ishte ndryshe, por tani jo”, pohojnë ata për ta ndërprerë bashkëbisedimin në shërbim të një klineti të moshuar. Zotëria në fjalë kishte zgjedhur të blinte një libër historik. “Zgjodha të marrë librin Skënderbeu , i autorit Schmitt, për të kuptuar më mirë ato që po diskutohen sot në media lidhur me figurën e Heroit tonë Kombëtar", tha i moshuari, i cili nuk është i vetmi që ndikohet nga media në përzgjedhjen e librave të tij. Siç tregon librashitësja “të gjithë librat që diskutohen në media, librat që shoqërohen me publicitet, janë mjaft të kërkuar. Mund t`iu tregoj si shembull, shton ajo, rastin e librit “Të jetosh në ishull” të Ben Blushit. "Kopjet e këtij libri mbaruan që në javët e para dhe na u desh të porosisnim të tjerë. Lexuesit janë mjaft të ndikuar si nga media, ashtu dhe nga miqtë e tyre”, sqaron ajo. Interesi i lexuesve për librin varion në bazë të grupmoshave. Të rijntë preferojnë librat biografikë dhe autobiografikë, ndër të cilët përmenden “Jeta ime”, Bill Klinton, “Historia e jetës sime”, Hillary Rodham Klinton, “Shpresa për të guxuar”, Barack Obama, etj. Një tjetër preferencë e të rinjve janë dhe librat psikologjik, të cilët japin udhëzime apo këshilla për të njohur më mirë veten apo të tjerët. Më të rriturit dhe moshat e mesme preferojnë romanet klasike, librat me histori dashurie, librat me fund të gëzuar, etj. ”Më pëlqen të lexoj dhe çdo libër e quaj të bukur. Por, në këtë kohë, ku puna dhe streset nuk na mungojnë, më pëlqen të lexoj romane të lehta apo të quajtura limonatë. Sepse dua të lexoj një libër që të më qetësojë”, shprehet një grua rreth të 50-ave. Por, një pjesë e blerësve që hyjnë në librari kërkojnë të gjejnë aty dhe një dhuratë për miqtë. Në përgjithësi dhurohen romane të autorëve klasik si Balzak, Stendal, Mopasan, etj. “Pasi këta autorë, thotë librashitësja, janë kudo të kërkuar dhe të lexuar”. Por edhe librat e kuzhinës zenë një vend të konsiderueshëm në listën e dhuratave. Ndërsa zonjat e reja, i drejtohen panelit të librave për fëmijë. "Jam duke kërkuar një libër për dhuratë. Një mikesha ime sapo ka lindur një bebe dhe mendova t`i dhuroj “Librin e bebes”", shprehet një grua 30-vjeçare. Librashitësja pohoi se ky libër është mjaft i kërkuar për dhurata në kësi rastesh".

Ky lajm është publikuar: 23/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›