Me çanta shpine natën drejt Greqisë, kapen 90 kg marijuanë në Gjirokastër

Lenda e sekuestruar
Dy operacione të policisë së Gjirokastrës natën e kaluar kanë bërë të mundur kapjen e 90 kg marijuanë, ndërsa në kërkim janë shpallur tre transportuesit e saj.
60 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë janë sekuestruar pak para mesnatës së mbrëmshme në afërsi të fshatit Grapsh të Dropullit të Poshtëm .
Lënda po transportohej me çanta shpine nga dy persona, të cilët kanë arritur të largohen. Policia i ka identifikuar dy transportuesit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.
Ndërkohë, rreth një orë më pas, policia është vënë në ndjekje të një tjetër personi në fshatin Nepravishtë, i cili po transportonte një çantë të madhe shpine për në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek.
Por 23-vjeçari nga fshati Bulo, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, ka mundur të arratiset, duke lënë pas çantën me rreth 30 kg marijuanë. / Entela Bani