E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Sequi: Të nisë menjëherë dialogu politik

Nisja e menjëhershme e dialogut politik mes palëve dhe rivendosja e bashkëpunimit produktiv institucional është e domosdoshme në situatën në të cilën ndodhet vendi pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Kështu janë shprehur presidenti Bamir Topi dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi gjatë një takimi të zhvilluar në lidhje me situatën politike në vend. Sipas tyre nisja e dialogut do të ishte dëshmia më e mirë e maturisë që klasa politike mund t`i japë popullit të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare për angazhimin dhe vullnetin real për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.
Në këtë pikë, Ambasadori Sequi vuri në dukje faktin se “Evropa e Bashkuar është e ndërtuar mbi bazën e institucioneve, prandaj për të është shumë e rëndësishme që të respektohen institucionet e pavarura kushtetuese”.
Kryetari i Shtetit është shprehur gjithashtu se vetëm zgjidhjet institucionale të ardhura përmes dialogut politik dhe marrëveshjes në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura në vend do t`u shërbente interesave të qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre për një të ardhme sa më të afërme në familjen evropiane.
Presidenti Topi theksoi në këtë takim pune se Bashkimi Evropian vlerësoi maksimalisht qytetarët shqiptarët dhe sjelljen e tyre ndërsa ritheksoi se klasa politike duhet të arrijë në të njëjtat standarde.
“Ka ardhur koha të kalohet nga fjalët dhe premtimet pafund të politikanëve në vepra konkrete në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar” theksoi Topi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›