Me e mira prej tyre Le te bejme seks
Përfundoi të enjten në mbrëmje Festivali Teatror i të Rinjve, i cili u mbajt në Teatrin Kombëtar për disa javë me radhë. Juria e përbërë nga Mehmet Xhelili, Suela Konjari dhe Nikolla Lena, vlerësoi si shfaqjen më të mirë të festivalit “Le të bëjmë seks”, të autorit bashkëkohor rus Valentin Krasnogorov. Me regji të Elma Dorezit, shfaqja ka fituar edhe dy çmime të tjera, atë të skenografisë më të mirë, një realizim i Drini Shehut, dhe atë të aktores më të mirë joprotagoniste, çmim me të cilin u vlerësua Esmeralda Metka. Ledjon Zoi u shpall aktori më i mirë joprotagonist për lojën në dramën "Për mua, atë dhe të tretin", të shkruar nga Haqif Mulliqi. Më tej juria vlerësoi për regjinë më të mirë Najada Elmazin, shfaqjen "Muzika 2" të Marguerite Duras-it. Aktori më i mirë edhe një herë konfirmohet Nik Xhelilaj për interpretimin e Jeanit në dramën "Zonjusha Zhyli". Pas tij, aktorja më e mirë femër u vlerësua Eftiola Laçka për interpretimin e Sofisë tek "Andi, Norman dhe Sofi!", komedi e Neil Simon-it, sjellë në skenë nga regjisorja e re Andia Xhunga.