Korrupsioni shtyu Rulin te favorizonte
Partia Socialiste reagoi pas deklaratës së Rulit, duke thënë se ish-ministri me qëndrimin e mbajtur ka konfirmuar korrupsionin e tij disa miliona euro. “Genc Ruli shau dhe akuzoi këdo që ka guxuar të denoncojë aferën e tij të fundit me një kompani private, por nuk dëgjuam prej tij asnjë argument bindës se përse ai nuk duhet të përfundojë në prokurori si i pandehur për këtë skandal prej miliona eurosh”, tha deputeti Saimir Tahiri. Sipas tij, Ruli injoroi Kuvendin duke vepruar në mënyrë të paligjshme, në dëm të interesave të shtetit shqiptar. “Çfarë mund ta ketë shtyrë vallë Genc Rulin, aferat e skandalet e të cilit me licenca, koncesione, privatizime abuzive e hidrocentrale për të afërm e pushtetarë tashmë kanë marrë dhenë, t’i bëjë një kompanie favore të paligjshme që vlejnë miliona euro?”, ishte pyetja e radhës së PS-së drejtuar ish-ministrit.