E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me eksploziv kundër hetuesit

Një sasi eksplozivi është hedhur në oborrin e shtëpisë së një polici të Kosovës. Gazeta Express merr vesh se polici është i përkatësisë boshnjake dhe punon si shef i hetimeve në stacionin policor në veri. Autorët e këtij sulmi si zakonisht mbeten të panjohur.

Gjuajtja me bomba nuk është më lajm në veriun të Mitrovicës. Ato hidhen pothuajse çdo ditë si të ishin kumbulla. Më herët cak i tyre ishin shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore. E kohëve të fundit shpërthimet nga armët e rrezikshme kanë ndërruar adresë.

Cak i këtyre sulmeve zakonisht janë bërë njerëzit jo shqiptarë, por që punojnë në institucionet e shtetit. I fundit ndodhi të martën pas mesnate. Tash jo me bombë, por me eksploziv. Të martën pas mesnate, një lloj eksplozivi është hedhur në oborrin e shtëpisë së një rreshteri të Policisë së Kosovës.

Bëhet fjalë për shefin e hetimeve, Xhavit Dervishevic, i cili punon në stacionin e policisë në veri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:00 pas mesnate, ndërsa nuk ka të lënduar në njerëz. Zëvendësdrejtori i policisë rajonale, Ergin Medic ka thënë se shpërthimi është bërë në oborrin e shtëpisë familjare të Xh. D në rrugën “Mesha Selimovic”. Nga shpërthimi kanë pëlcitur xhamat e shtëpisë dhe kjo ngjarje ka ndodhur afër shtëpisë së studentëve (serbë) në Mitrovicë.

Brenda 24 orëve ky është shpërthimi i dytë në Mitrovicë. Një natë më herët një shpërthim tjetër kishte ndodhur në shtëpinë e një serbi në Lagjen e Boshnjakëve. Mbrëmjen e 17 shkurtit një bombë është hedhur në shtëpinë e Slavolub Mashic në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, tha se nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Si zakonisht në të gjitha rastet autorët mbeten të pazbuluar, por vetëm sa shtohen masat e sigurisë. EULEX-i konfirmon se pas incidenteve të fundit në veri janë shtuar masat e sigurisë. Kjo situatë ka mbledhur edhe strukturat e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se shpërthimet janë duke e mbajtur situatën të tensionuar. “Shpesh po dëgjohen përfaqësuesit e strukturave ilegale duke fajësuar shqiptarët, mirëpo kjo po demantohet nga faktet në terren. Strukturat paralele dhe MUP- i duke qenë se po u ngushtohet hapësira e veprimit janë duke tentuar që të destabilizojnë situatën”, ka thënë Bala.

Ndërsa kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se është moment kritik, meqë po bisedohet për shpërbërjen e strukturave paralele dhe kriminale në veri. “Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të koordinuar në mënyrë që situata të mos del jashtë kontrollit, duke pasur parasysh se strukturat ilegale do të provojnë të krijojnë probleme”, ka thënë Kastrati.

Edhe më herët kanë ndodhur sulme ndaj jo shqiptarëve që punojnë për organet e shtetit të Kosovës.

Cak i sulmeve me armë kanë qenë edhe punonjësit e zyrës administrative të Mitrovicës, që udhëhiqet nga Adriana Hoxhiq.

Por, këto sulme organet e Serbisë, por edhe të ashtuquajturit përfaqësues të serbëve në Mitrovicë, janë munduar t’ua veshin shqiptarëve. Këto sulme ata po i shfrytëzojnë për të dëshmuar para botës se janë shqiptarët ata që po ushtrojnë dhunë ndaj serbëve. Ekzistimi i strukturave paralele në veri ka bërë që edhe organet gjyqësore të mos funksionojnë fare. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe ish-shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhack. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›