Ban Ki-moon nënvizon progresin në bisedimet në Bruksel

Raporti më i ri i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki moon pwr zhvillimet në Kosovë, ku përfshihet një periudhë regjistruese tre muajsh nga 16 tetori deri më 15 janar, përshëndet dialogun që po zhvillohet midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel si ‘një progres i rëndësishëm’, transmeton RTK.
Sekretari Ban i uron ‘liderët e të dyja palëve të cilën thotë se i kanë hyrë një procesi sfidues, por të rëndësishëm politik, me qëllim të zgjidhjes të çështjeve më të vështira të cilat frenojnë progresin në marrëdhëniet midis tyre.” Shefi i Kombeve të Bashkuara thekson më tej se ‘ndonëse ekzistojnë shumë çështje ende të pazgjidhura, rivendosja e bisedimeve përbën një ‘sinjal të fuqishëm se të dyja palët angazhohen për një dialog paqësor për tejkalimin e peshës së konfliktit të kaluar.’
Dialogun e rifilluar në tetor Ban e quan një ngritje të procesit nga niveli teknik në atë politik që ofron prospekte të reja. Ai përshkruan edhe takimet pasuese më 7 nëntor dhe 4 dhjetor ku ishte biseduar për pikëkalimet (marrëveshja mbi menaxhimin e integruar të kufijve) si dhe bisedimet për studimin e fizibiliteetit rreth një autostrade që do ta lidhte Prishtinën me Nishin. Më tutje flitet edhe për bisedimet rreth zyrave reciproke ndërlidhëse që do të vendoseshin në kuadër të delegacioneve të BE-së në Prishtinë dhe Beograd.
Për situatën në veri të vendit, Ban thotë se duhet të ketë një ‘veprim dhe kujdes të koordinuar në mënyrë që të gjitha çështjet e vështira të zgjidhen me një vullnet të mirë që të shmangen tensionet e mëtejshme‘.
Takimi në Këshillin e Sigurimit duhej të mbahej nga fundi i këtij muaji, mirëpo ai është shty për në mars kur kryesinë e radhës do ta ketë Rusia. Pritet që përveç ministrave të jashtëm të dy vendeve, të marrin pjesë edhe kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. /Indeksonline/