Me estradën, veç anglisht
Qysh “n’ mëngjes”, nëse jeni mik apo mikeshë e këngëtareve të estradës kosovare, mund të merrni një përshëndetje të butë nga to, e që mund të fillojë nga “Good morning fansa” duke vazhduar edhe me komente të tjera në gjuhën angleze.
Njëri nga aspektet e identitetit- për të mos thënë kryesori, arbitrarisht është edhe gjuha, si mjet komunikimi. Kemi forma dhe varietete të ndryshme përfaqësuese gjatë komunikimit; nga dialektet, të folmet, zhargonet etj.
Një fenomen mjaft interesant është ndërveprimi-lidhjet dhe huazimet mes gjuhëve, që te paraqiten në mënyrën më të vrazhdët.
Nëse shfletoni faqet në internet, madje jo vetëm profilet, por duke filluar nga faqet për adhuruesve në Facebook e ato në Twitter dhe rrjetet tjera sociale, gjuha kryesore që dominon komunikimin e estradës sonë është vetëm gjuha angleze.
Se sa e vështirë është që të gjendet një citat në gjuhën shqipe, mjafton të kërkoni në ndonjë faqe një fjalë shqip – vështirë e keni pasi që në çdo vend ka vetëm terme anglisht. Të vetmet fjalë shqipe janë tituj e këngëve të tyre. Edhe ata të përzier!
Do të ishte më se i natyrshëm ky përdorim i gjuhës angleze po të kishim një komunikim të tyre me adhurues/ndjekës, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe. Fakti është se shumica e audiencës janë shqiptarë. Dhe shqiptarëve u flasin anglisht!
“Good morning”,- i përshëndet njëra nga prezantueset e një emisioni në televizion shikuesit e vet!
Soon with new hit,- i paralajmëron një këngëtare adhuruesit e vet shqiptarë! Ku i dihet, mund të ketë në këtë turmë adhuruesish edhe ndonjë(anglez) që s’e kupton shqipen, por po të kemi parasysh muzikën dhe këngët turbo-folk ballkanase, zor se do gjendej një numër i madh adhuruesish anglishtfolës.
Këtë dukuri e gjejmë edhe në politikë e sfera të tjera të jetës shoqërore! “ Këtë nuk mund ta akceptojmë”, thoshte një deputet para pak kohësh midis Kuvendit, teksa edhe politikanët në faqet e tyre komunikojnë në anglisht. Çfarë margaritarësh?!
Mund të hedhim teori të panumërta mbi këtë dukuri - që nga ideja se kanë ardhur nga klasa e ndonjë kursi të gjuhës angleze e drejt në skenë, deri te synimi i tyre për të qenë më në trend, duke lënë të nënkuptohet se në turmën e adhuruesve të vet kanë edhe aso anglishtfolës.
Gjithsesi si dukuri do ishte interesante t’i jepej një vështrim më i ngeshëm nga studiues të disiplinave përkatëse. Të mos ngushtohej trajtimi i kësaj dukurie vetëm me një temë dite. Sociolinguistika si disiplinë te ne vetëm sa ka filluar të studiohet!