Ujkani kërcënon Interin

Të martën mbrëma Novara e Samir Ujkanit dhe Rijat Shalës do të ballafaqohet me Interin, në kuadër të xhiros së tretë të kampionatit në Serie A. Novara nuk e ka nisur aq mirë edicionin e ri, pasi prej dy ndeshjeve të zhvilluara e ka rrëmbyer vetëm një pikë. Por, portieri kosovar, Samir Ujkani shpreson që këtë kuotë të pikëve ekipi i tij ta përmirësojë në duel me Interin, duke shpresuar në përkrahje të madhe të tifozëve.
“Ndeshja kundër Interit është shumë e vështirë. Për ne kjo do të jetë sfida e parë në shtëpi. Me Chievon dhe Cagliarin kemi marrë vetëm një pikë, ndërsa me Interin duhet të japim maksimumin dhe të marrim sa më shumë që të mundemi nga kjo sfidë. Në fakt, kundër Interit synojmë ta shfrytëzojmë faktorin fushë dhe duam të marrim një rezultat pozitiv”, ka deklaruar Ujkani për SuperSport, i cili do të përpiqet ta shpëtojë pa u tundur rrjetën e portës së tij nga treshja sulmuese e Interit – Pazini, Milito e Forlan.
“Të gjithë këta janë lojtarë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Interi është një sfidë shumë e vështirë për ne, por përparësia e fushës do të jetë armë e fortë e jona. Interi nuk po kalon nëpër formën më të mirë, andaj ne synojmë trepikëshin”, është shprehur reprezentuesi i Shqipërisë. Ndeshja mes Novarës e Interit nis në ora 20:45.