E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Me heqjen e imunitetit më 6 gusht, Shqipëria maksimalizon shanset për statusin”

23-07-2012 / Gazeta 55

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, fton PS-në të votojë ndryshimet kushtetuese

LSI fton partitë politike të nisin punën për heqjen e imunitetit në mënyrë që në 6 gusht, pas reformës zgjedhore, Shqipëria të ketë plotësuar një tjetër rekomandim për marrjen e statusit të vendit kandidat

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i bëri thirrje dje dy partive të mëdha PD dhe PS, të votojnë në parlament në 6 gusht heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Gjatë një deklarate për shtyp, Vasili tha se paralelisht me heqjen e imunitetit, duhet të nisë puna për reformën parlamentare, duke përmbushur kështu disa prej rekomandimeve kyçe të Brukselit për statusin e vendit kandidat.
“Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson vullnetin e shprehur në mënyrë të veçantë ditën e djeshme lidhur me intensifikimin e përpjekjeve për të ecur përpara lidhur me problemet që kanë të bëjnë më heqjen dhe kufizimin e imunitetit. Sigurisht që LSI vlerëson që ky proces logjikisht duhet të kishte startuar kohë më parë megjithatë duke pasur parasysh edhe objektivat madhore të integrimit e ku heqja e imunitetit përbën një nga kushtet shumë të rëndësishme dhe themelore për këtë çështje, e vlerësojmë këtë vullnet të shprehur si të dobishëm dhe ku shpresojmë që të arrihen konsensuset e duhura për ta përfunduar në 6 gusht këtë nismë të rëndësishme, nismë për të cilën LSI është investuar që në krye të herës, jo vetëm duke demonstruar vullnet të plotë e të palëkundur por edhe duke kontribuar me nisma konkrete legjislative parlamentare, të cilat vërejtëm me kënaqësi që vunë në lëvizje këtë proces i cili sot po njeh zhvillime më intensive”, u shpreh Vasili, duke theksuar se, palët me vullnet dhe dëshirë të përfundojnë edhe reformën parlamentare, si një nga 3 kushtet e marrjes së statusit kandidat, së bashku me reformën zgjedhore.
“Ne kërkojmë dhe inkurajojmë që paralelisht me punën e filluar me procesin e heqjes së imuniteteve, ditët në vazhdim të shënojnë një rimarrje dhe një intensifikim të kësaj problematike duke bërë që në 6 gusht edhe kjo çështje e rëndësishme që ka të bëjë me kushtet politike, të përmbushet në mënyrë që Shqipëria të maksimizojë shanset e saj për fitimin e statusit të vendit kandidat dhe të përmbyllë ato detyrime madhore të cilat ishin kërkuar kohë më parë dhe ku kishte një presion të fortë për t’i mbaruar ato edhe përpara zgjedhjes së Presidentit. Por megjithatë, së paku duke synuar të fitohet gjithë koha e humbur, të mbyllen në 6 gusht të dyja këto, pra edhe reforma parlamentare, e cila duhet të startojë  puna për të që nga e hëna, në mënyrë që në vlerësimet që bëhen në Europë lidhur me këtë çështje në fillim të shtatorit, Shqipëria të ketë përmbushur këto detyrime të kërkuara me insistim nga ndërkombëtarët e ku dhe shqiptarët presim me padurim, sepse integrimi lidhet drejtpërsëdrejti me fatet dhe të ardhmen e tyre. Pra, ne inkurajojmë përsëri që me intensitet, me dëshirë për konsensus, me vullnet dhe me konstruktivitet të punohet dhe të përmbyllet dhe reforma parlamentare dhe besoj se edhe kësaj sfide dhe këtij detyrimi madhor politik si një nga tre kushtet, së bashku me reformën zgjedhore tashmë të miratuar, mund të kthehen ato përgjigje dhe mund të demonstrohet ajo përgjegjshmëri që shqiptarët dhe Evropa pret nga ne dhe ku ne nuk kemi më të drejtë të humbasim kohë, sepse kjo do të thoshte shanse të humbura për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Vasili.
Ai vuri edhe njëherë në dukje kontributin e LSI-së për nismat legjislative parlamentare, ndërsa theksoi se deputetët e kësaj force politike do të jenë në dispozicion edhe për reformën parlamentare. “Ne presim si LSI, deputetët e saj do të jenë në dispozicion të plotë të punës për reformën parlamentare në mënyrë që 6 gushti të shënojë një ditë të rëndësishme politike në Parlamentin shqiptar për votimin e të dy këtyre momenteve të rëndësishme imunitetit nga njëra anë dhe reformës parlamentare nga ana tjetër”, tha më tej ai.

Ç’mendim ka LSI për nismën e dytë të PS, atë të votimit me 84 vota të prokurorit të përgjithshëm, anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese?
Sigurisht që arsyeja e kësaj daljeje publike time në emër të LSI është i lidhur përpara dhe mbi të gjitha me përmbushjen e tre kushteve themelore, kushte të cilat BE i pret me padurim si përgjigje të përgjegjshmërisë politike shqiptare, dhe i gjithë fokusi dhe vëmendja e LSI si forcë politike nga më kryesoret në jetën politike të vendit, është e përqendruar dhe e fokusuar në këto dy drejtime dhe ne shikojmë përgjegjshmërinë politike ndaj fateve të integrimit pikërisht në përgjigjet e qarta së paku për këto dy çështje themelore që plotësojnë asetin e tre kushteve politike që duhen përmbushur për vlerësimin pozitiv për statusin e vendit kandidat dhe jemi të bindur që çdo gjë duhet të vijë dora-dorës, por pa kthyer një përgjigje të qartë, pra pa pasur miratimin e tyre në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Asgjë tjetër nuk duhet të errësonte këto dy objektiva dhe nuk duhet të cenonte përmbushjen e tyre në kohë.

Pro apo kundër zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese me 84 vota?
Kjo çështje në momentin e duhur, në artikulimin e duhur do të ketë dhe vlerësimet e duhura përkatëse pasi të shikojmë mënyrën e formulimit dhe cilat janë idetë. Por, fokusi kryesor, ju thashë dhe njëherë, qëndron në këto dy çështje që unë i nënvizova dhe më lart, njërën për imunitetin për të cilën duket që puna ka filluar por dhe tjetrën që duhet rimarrë duke filluar nga e hëna.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›