Më i gjerë sesa një debat për diabetin
Diabeti është pasioni profesional i jetës sime. Mes gjithë sëmundjeve, ai është një farë mbreti. Sepse i mban të mbërthyera nën kërcënimin e kthetrave të tij të gjitha organet e qelizat e trupit. Ai është si bishë e pabesë që kafshon pa dhimbje. Dhe merr jetë fshehtas dhe heshtazi. Edhe pse kemi arritur ta zbusim e ta vëmë nën kontroll, fatkeqësisht ende nuk po e vrasim dot. Në kuptimin që nuk shërohet përfundimisht. Diabeti reflekton katalogun e problematikës së gjithë sëmundjeve të brendshme me dramat, progresin, dështimet tragjeditë dhe impaktet ekonomike e sociale të lidhura me to. Kjo e ka legjimituar atë si model përgjithësues e përfaqësues i tyre. Prandaj, çdo debat, arritje apo problem për diabetin i kalon kufijtë e tij dhe implikon sistemin shëndetësor në tërësi.
Një debat mes dy kolegëve të mi
Debati në fjalë u publikua pak ditë më parë në median e shkruar. Njëri nga kolegët në debat është profesor dhe drejtor i madh në Ministrinë e Shëndetësisë, kolegu tjetër është profesor i asociuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe specialist diabetolog. Unë duke qenë drejtor i një institucioni të Ministrisë dhe njëkohësisht specialist i diabetit, jam koleg dhe mik me të dy.
Shkak i debatit u bë një studim lidhur me situatën e kujdesit të diabetit, i kryer nga një grup studentësh të Mjekësisë nën drejtimin e kolegut diabetog. Nga studimi rezulton se diagnoza e diabetit dhe e komplikacioneve të pritshme të tij tek ne kryhet relativisht vonë, çka keqëson prognozën dhe ecurinë e tyre. Si pasojë, komplikacionet specifike të kësaj sëmundjeje janë në shifra të larta, të padëshirueshme. Zgjidhja që propozon studimi, është plotësimi i mungesave, kryesisht i disa testeve diagnostike dhe teknologjive të duhura për diagnozën dhe parandalimin e komplikacioneve në fazat e hershme të sëmundjes.
Por kolegu drejtor nuk ishte i kësaj mendjeje. Ai i konsideron jo të bazuara këto gjetje dhe propozimet e studimit. Sipas tij, arsenali kryesor dhe esencialja e mjeteve, pajisjeve dhe barnave të duhura për kujdesin e diabetit janë të disponueshme te ne. Shifrat e larta të komplikacioneve te personat me diabet të porsadiagnostikuar, të pretenduara nga studimi, sipas tij lidhen më së shumti me mangësitë e ofrimit të kujdesit të diabetit nga personeli mjekësor dhe problemet kulturore edukative te të sëmurët dhe popullata jonë.
Të kesh apo të dish…
Pa dashur të bëj pajtuesin dhe aq më pak gjykatësin, vërej te të dy diçka të saktë dhe njëkohësisht diçka që mungon. Kjo është pasojë e pozicionit dhe këndvështrimit të ndryshëm të tyre, i cili i favorizon dhe njëkohësisht e limiton secilin nga ata. Specialisti është në kontakt të afërt me sëmundjen. Ai është si një llambë dore që dritën e fokuson te një zonë e ngushtë ku ai ka interes profesional. Aty ai zbulon detaje dhe imtësi. Ndërkohë hapësirën rreth saj e shpërfill. Sepse nuk e ka objektiv. As përgjegjësi. Kurse drejtori është në kontakt dhe përgjegjës për gjithë sistemin shëndetësor. Ai është si një llambë lart në tavan, që ndriçon uniformisht ambientin në tërësi, pa u fokusuar në mënyrë selektive në hollësira. Të dyja këto vështrime po të shihen të integruara, plotësojnë njëra-tjetrën pa konfliktualitet.
Vetë studimi në fjalë nuk evidenton diçka shkencërisht të paditur. Vonesa në diagnozën dhe ndërhyrjet e duhura të hershme të trajtimit të diabetit dhe të komplikacioneve të tij është e njohur, që rëndon prognozën për sëmundjen dhe barrën ekonomiko-sociale të lidhur me të. Një studim i tillë, madje më i gjerë, është bërë te ne edhe përpara 30 vjetësh dhe pati evidentuar gjithashtu shifra të larta të padëshirueshme të komplikacioneve te pacientët e diagnostikuar rishtas me diabet. Ana pozitive e studimit të ri është përpjekja për ti eksploruar këto në realitetin tonë të sotëm, në kontekstin e progresit që ka bërë diabetologjia bashkëkohore.
Duke marrë parasysh që mjekësia jonë ka uri për studime analitike të rezultateve të shërbimeve, aq më tepër të kryera këto nga studentë, unë pa vënë dorën në zjarr për saktësinë e shifrave dhe të konkluzioneve të studimit (përgjegjësi kjo etike e autorëve), do thosha se, sido ato qofshin, mund të pranohen pa habi. Kjo sepse diabeti në 90% të rasteve shfaqet si diabeti Tip 2, i cili rrjedh përgjithësisht për disa dekada si i përgjumur dhe i heshtur pa shenja evidente shqetësuese për të sëmurin, prandaj si dinak e i pabesë që është, nëse lihet i pazbuluar dhe i pamjekuar, ai krijon komplikacione. Ky fakt është i njohur jo vetëm për diabetin, por universalisht edhe për shumicën e sëmundjeve kronike.
Diagnostikimi i hershëm i diabetit dhe i shumë sëmundjeve të tjera kronike përpara se komplikacionet dhe dëmtimet e tyre të shfaqen, është në fakt shkencërisht i mundur. Mirëpo në realizimin praktik, mjekësia qoftë te ne, ashtu dhe në shumë vende të botës, fatkeqësisht ka mbetur në klasë. Përse? Cilat janë shkaqet?
Pikërisht lidhur me këto shkaqe specialisti dhe drejtori ndahen në debat. I pari i lidh ato me mungesën e disa testeve dhe mjeteve teknologjike të reja, kurse tjetri me mangësi të faktorit njerëzor dhe të keqfunksionimit të sistemit të kujdesit. Edhe ky konflikt mes specialistëve dhe vendimmarrësve nuk është specifik vetëm për diabetin, por është gjithashtu universal. Ai reflekton qasjet e ndryshme që kanë këto dy palë lidhur me shkaqet e mossukseseve në praktikën mjekësore dhe të funksionimit të sistemit shëndetësor në tërësi.
Kosto-eficienca si moral dhe ideologji e re e shëndetësisë
Në debat, kolegu drejtor është i saktë, kur thotë se mjetet kryesore për trajtimin efikas të diabetit te ne janë të disponueshme. Madje, një numër i tyre u ofrohen të sëmurëve të siguruar pa pagesë. Por edhe diabetologu thotë të drejtën, kur dëshmon se disa teste diagnostike speciale dhe pajisje teknologjike të reja me të cilat zbulohen më mirë në fazat e hershme komplikacionet e diabetit (në veshka, në sy, nerva, enët e gjakut dhe në zemër), te ne mungojnë ose, më saktë, nuk përdoren gjerësisht në praktikën klinike. Dëshira për ti disponuar edhe ato njësoj si në vendet e BE është profesionalisht e justifikueshme.
Mirëpo në debat, çuditërisht nuk thuhet përse ato mungojnë dhe as sa bindëse janë arsyet që ato të jenë domosdo të disponueshme. Arsyet e pathëna po i them unë. E para është kostoja e tyre e lartë. Por jo vetëm kjo. Një nga dilemat e vendimmarrësve për financim është: a ka garanci që barnat, testet dhe pajisjet e reja teknologjike që kërkohen me ngulm nga specialistët do të përdoren nga ata me efikasitetin e premtuar? Pyetja nuk vlen vetëm për diabetin, por njësoj edhe për sëmundje të tjera kronike, për të cilat shpenzohet 80% e buxhetit të mjekësisë. Cili është rentabiliteti shëndetësor i parave publike të shpenzuara për to? Studimet për impaktin shëndetësor të shumave në rritje të përvitshme që shëndetësia jonë dhe vetë pacientët shqiptarë paguajnë në mirëbesim për barnat dhe teknologjitë e reja mungojnë.
Thelbi i pyetjes lidhet me racionalitetin dhe atë që ekonomistët e quajnë kostoja oportune (opportunity cost) ose, me fjalë të tjera, humbjet që krijohen nga financimi i fushave që prodhojnë pak ose aspak shëndet, në vend të atyre me rentabilitet shëndetësor maksimal. Këto përbëjnë tashmë principet e reja morale dhe ideologjike të shëndetësisë moderne. Shpenzimet për patologji tepër të rralla ose për demonstrim të prestigjit elitar profesional nuk duhet të përzihen dhe të cenojnë financimin e nevojave elementare më të domosdoshme të praktikës klinike rutinë, të cilat implikojnë shëndetin e popullatës në tërësi.
Në këtë kontekst, kërkesës së drejtë që bën studimi i diabetit për testet dhe mjetet që mungojnë, vendimmarrësit logjikisht kanë po aq të drejtë tu kërkojnë garanci që pas sjelljes dhe disponimit të ty
