E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më kanë kërcënuar që të tregoja për masakrën”

01/07/2009  Xhapexhiu, akuzon në gjykatë akuzën për presion psikik gjatë hetimit

Masakra e Cërrikut, i pandehuri kryesor lëshon akuza ndaj Prokurorisë

TIRANE- I pandehuri Roland Xhepexhiu i akuzuar si një nga anëtarët që shkaktuan masakrën e Cërrikut, ka akuzuar Prokurorinë se ka ushtuar presion ndaj tij. Gjatë seancës gjyqësore i pandehuri ka shpjeguar gjykatën se deklarimet e dhëna gjatë marrjes në pyetje në korrik të vitit të kaluar janë shkruar ashtu siç ka dashur Prokuroria dhe oficerët që e kanë marrë në pyetje. Sipas tij, akuza ka ushtruar dhunë psikologjike dhe për këtë qëllim ai është detyruar të thotë atë çka kanë kërkuar hetuesit. Pas deklarimeve të të pandehurit, mbrojtësi i tij Sajmir Visha i ka kërkuar gjykatës deklarimin e pavlefshëm të procesverbalit të marrjes në pyetje gjatë hetimeve paraprake. Por kërkesa e mbrojtjes është hedhur poshtë nga gjykata, e cila i ka shpjeguar se këta të fundit duhet ta kishin bërë këtë kërkesë disa seanca më parë. Ndërkohë që gjykata i ka kërkuar të pandehurve nëse janë kërcënuar gjatë marrjes së tyre në pyetje gjatë fazës së hetimeve paraprake të depozitojnë një kallëzim penal në Prokurori, ku të paraqesin edhe pretendimet. Seanca gjyqësore u shty që të pandehurit Llazar Bicja dhe Meti Bozi të përgatiten për të dhënë shpjegime para gjykatës. Të pandehurit e këtij procesi akuzohen nga Prokuroria për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Cërrikut, ku humbën jetën 6 gardistë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 23 maj 1997, ku të pandehurit Llazar Bicja dhe Meti Bozi të ardhur në dijeni të lëvizjeve të forcave policore atë ditë në qytetin e Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të policisë. Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin 23 majit në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani, të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin “Mandela”. Veç të tjerash Bicja dhe Bozi kanë nxitur edhe të pandehurin Roland Xhapexhiu, i cili së bashku me personat e sipërcituar kanë qëlluar me armë të ndryshme në drejtim të autokolonës së policisë, e cila po kalonte në sheshin e Cërrikut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›