Gjirokastër, minoritarët i japin votat PD-së
Partia Socialiste merr 3 deputetë. Ish-prefekti Spiro Ksera fiton mandatin e tij duke qenë pjesë e parlamentit të ri
PBDNJ-ja, e konsideruar si partia e minoritarëve, arrin të sigurojë vetëm një mandat për kryetarin Vangjel Dule
GJIROKASTËR- Minoritarët braktisin Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut dhe si asnjëherë më parë votojnë Partinë Demokratike.
Përfundon ndërkaq procesi i numërimit të votavë në qarkun e Gjirokastrës ku Partia Socialiste del fituese. Konfigurimi përfundimtar është 3 deputetë socialistë dhe dy demokratë.
Ndërkaq, ajo çfarë ka rënë në sy gjatë leximit të votave ka qenë fakti që minoritarët kanë përbërë edhe surprizën e këtyre zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës. Ndërsa gjatë gjithë zgjedhjeve të kaluara, si lokale ashtu edhe të përgjithshme Partia Demokratike merrte një numër të papërfillshëm votash, këtë herë gjithçka ka ndryshuar.
Në dy komunat e banuara nga minoriteti grek, Dropulli i Sipërm dhe Dropulli i Poshtëm, Partia Demokratike e përfaqësuar në këtë zonë nga Spiro Ksera ka marrë 1582 vota, Partia Socialiste nga Vangjel Tavo 1312, ndërsa Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut nga kryetari i saj Vangjel Dule vetëm 1287 vota, një shifër kjo shumë e ulët krahasuar me faktin se PBDNJ është konsideruar gjithmonë si partia e minoriteteve.
Socialisti Vangjel Tavo e ka justifikuar këtë rritje të demokratëve me faktin se anëtarët e minoritetit kanë votuar për një djalë minoritar, ndërsa për Spiro Kserën ky është një rrjedhim logjik i arritjeve demokratike gjatë katër viteve të fundit.
Kështu, PBDNJ nuk ka mundur të marrë asnjë deputet në qarkun e Gjirokastrës, i cili njëkohësisht ka numrin më të madh të minoritarëve grekë, si dhe anëtarë të pakicave të tjera kombëtare. Qarku i Gjirokastrës kishte 285 qendra votimi, ndërsa përqindja e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor llogaritet në 51 për qind.
Pas ndërprerjes, procesi i numërimit të votave në KZAZ nr 25 në qytetin e Gjirokastrës rifilloi mesnatën e së martës dhe vijoi pa ndërprerje deri në orën 12:45 minuta.
Ndërsa kishin mbetur vetëm dy qendra votimi pa numëruar, mungesa e formularëve përmbyllës të kutive të votimit bëri që procesi të bllokohej sërish deri në dërgimin e këtyre materialeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Është dashur rreth një orë deri në rifillimin e procesit, ndërsa në orën 15:30, pas përfundimit në KZAZ nr 26 e 27 në rrethet e Tepelenës e Përmetit, është përmbyllur zyrtarisht numërimi në qarkun e Gjirokastrës. Shifrat flasin për fitore të Partisë Socialiste, e cila në rrethin e Gjirokastrës ka marrë 12498 vota, kundrejt 9890 votave të fituara nga Partia Demokratike.
Po kështu në rrethet e Përmetit dhe Tepelenës socialistët kanë dalë sërish fitues me një avantazh prej 1500 dhe 2010 votash, ndërkohë që bazuar në të dhënat zyrtare, Partia Socialiste del me 3 deputetë në qarkun e Gjirokastrës, përkatësisht Arta Dade, Vangjel Tavo e Ethem Ruka ndërsa dy deputetë i merr Partia Demokratike, Genc Ruli e Spiro Ksera.
Gjatë 16 orëve të procesit të numërimit ditën e djeshme nuk ka pasur asnjë problem dhe gjithçka ka qenë e monitoruar nga vëzhguesit e OSBE- ODIHR si dhe ata të shoqërisë civile. Në përfundim të procesit, nuk ka pasur asnjë kontestim nga asnjë kandidat apo subjekt politik.