Me kusht në Prizren
Zyrtarë të lartë të Serbisë do të jenë të pranishëm të dielën në Prizren, kur udhëheqësi fetar serb, Teodosije, do ta marrë detyrën e Peshkopit të Rashkës dhe Prizrenit.
Të pranishëm në këtë ceremoni do të jenë Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic dhe Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic. Ardhja e tyre është konfirmuar të shtunën nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi.
“Ka pasur një numër të konsiderueshëm të kërkesave, shumica janë refuzuar, janë miratuar një numër i vogël. Është miratuar kërkesa e Ministrit të Brendshëm, Ivica Dacic dhe e Goran Bogdanovicit, por me kushtëzim, normalisht - me kushtin që ky është një eveniment religjioz dhe nuk duhet të bëjnë deklarata politike. Meqenëse i kanë pranuar kushtëzimet, atëherë i kemi miratuar”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka hedhur poshtë mundësinë që Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, të jetë i pranishëm në ceremoni. “Presidenti serb nuk ka bërë kërkesë. Pa bërë kërkesë, ai nuk mund të vijë”, ka thënë Krasniqi.
Presidenti i Serbisë tri ditë më parë ka kryer një operacion në këmbë dhe, edhe po të planifikonte, vështirë do të mund të merrte rrugë drejt Prizrenit.
Ceremonia e inaugurimit të Teodosijes nuk e ka lënë të qetë Kryetarin e Komunës së Prizrenit. Ramadan Muja ka thënë se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë fetare të së dielës, për shkak se në të nuk janë ftuar përfaqësuesit e lartë shtetërorë të Kosovës.
Por, shkak tjetër është edhe moskërkimi i lejes nga Komuna për të shfrytëzuar sheshin “Shatërvan” dhe hapësirat tjera publike për ceremoni.Në një konferencë për gazetarë, të premten, Kryetari Prizrenit u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen provokimeve eventuale nga serbët, në mënyrë që ceremonia të kalojë pa eksese.
Ai ka kërkuar sqarime nga KFOR’i, që do të sigurojë mbajtjen e ceremonisë bashkë me Policinë e Kosovës, pse po lejohet që ceremonia fetare të marrë konotacione politike.