PSK: Mos u përçani!

Drejtues të Partisë Socialiste të Kosovës kanë thënë se raporti i Dick Martyt është vazhdimësi e luftës speciale kundër Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa iu kanë bërë thirrje partive politike dhe organizatave të dala nga lufta që ky raport të mos bëhet shkak i përçarjes në mes tyre.
Në një konferencë për media të shtunën, kryetari i kësaj partie Ilaz Kadolli ka thënë se raporti i Martyt ka për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se ky raport nuk duhet të shndërrohet në “mollë sherri” ndërmjet subjekteve politike dhe shoqatave të dala nga lufta.
“Partia Socialiste e Kosovës konsideron se raporti i përbashkët i përpunuar nga Beogradi dhe nga eurodeputeti Dick Marty është një goditje e rëndë për udhëheqësinë e Kosovës dhe strukturat e Republikës së Kosovës dhe për vendin në përgjithësi. Konsiderojmë se ky raport është një vazhdimësi e luftës speciale në dëm të Republikës së Kosovës. Mendojmë që ky raport në asnjë mënyrë nuk guxon të bëhet shkaktar i përçarjeve brenda subjekteve politike në Kosovës e aq më tepër nuk guxon të bëhet shkaktar i përçarjeve të strukturave të ish-UÇK-së dhe të subjekteve politike në Kosovë”, ka thënë Kadolli.