“Rama mban peng Planin Urbanistik, rrënjos korrupsionin me leje ndërtimi”
Kryeministri denoncon sjelljen abuzive të Kryebashkiakut të Tiranës
Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi dje se kryebashkiaku Edi Rama ka rrënjosur në themel korrupsionin dhe është i kapur plotësisht nga klanet, dhe nisur nga kjo po mban peng planin urbanistik të Tiranës. Duke folur në ceremoninë e dhënies së certifikatave të para të legalizimit, Berisha tha se legalizimi i zonave informale i jep fund Shqipërisë rurale dhe zhvillon Shqipërinë urbane.
TIRANE - Kreu i qeverisë ka akuzuar dje për korrupsion dhe si kultivues të informalitetit, kryebashkiakun Edi Rama, me lejet e ndërtimit dhe se nuk dorëzon planin rregullues të kryeqytetit, pasi llokmat duhet të gopësiten dhe të ndahen në klane të ngushta të kryetarit të bashkisë. Gjatë një takimi ku u iniciua dhënia e tapive për zonat informale, kreu i ekzekutivit tha se Rama ka toleruar informalitetin me arsyen e vetme për ta vjelë dhe për ta mjelë, duke përhapur kancerin e korrupsionit me lejet e ndërtimit, të cilat sipas kryeministrit, i ka përdorur si plaçkë personale.
“Në qytetin e Tiranës 10 mijë apartamente shtesa mbaheshin peng, nga bashkia e qytetit për t’u vjelë dhe për t’u mjelë dhe për asgjë tjetër. Çfarë të pengonte të jepje lejen, çfarë të pengonte të regjistroje shtesën e pallatit me leje? Pra fenomeni ka vuajtur shumë edhe nga kanceri i korrupsionit. Në këtë aspekt Tirana është modeli më i shëmtuar, jo vetëm që nuk legalizohen shtesat e pallateve, por sot nuk dorëzohet Plani Urbanistik i kryeqytetit i financuar tërësisht nga Banka Botërore. Pse nuk dorëzohet plani? Nuk dorëzohet plani se llokmat e tij duhet të gopësiten dhe të ndahen në klane qartësisht të lidhura kokë e këmbë me kryetarin e bashkisë, i cili pasi vendosi këtu sistemin, më të turpshëm të lejeve të ndërtimit, prej 355 ditësh dhe e renditi Shqipërinë në vendin e 176 në botë, në rrethin e 9-të të ferrit të Dantes për korrupsionin, tani na mban peng qytetin dhe Tiranën me Planin Urbanistik sikur ta kishte plaçkë personale dhe jo plan që ka të bëjë me jetën e çdo qytetari me jetën e fëmijëve tanë, ka të bëjë me jetën shoqërore, ekonomike e të gjithanshme të qytetit. Ka frikë ta dorëzojë sepse u ka dhënë dhjetëra e dhjetëra hektarë tokë publike që s’do të mundë të përdorë dot një centimetër, kompanive Edil ose Ed-il”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit, situata në Tiranë është jashtëzakonisht e rëndë dhe për këtë kërkoi këmbënguljen e shoqatës së ndërtuese që të insistojnë për planin e Tiranës, por edhe këtu siç theksoi kryeministri, shumë prej tyre janë të lidhur kokë e këmbë sepse Edil-i është në krye të shoqatës.
“Ka marrë llokmat e veta, por ndërtuesit e tjerë, nuk duhet të kenë gjë. Zotërinj ndërtues duhet të ngrini zërin tuaj, nuk duhet të kurboheni kaq lehtë sepse nuk jeni bërë ndërtues as nga Sali Berisha as nga Edi Rama jeni bërë ndërtues me gjeninë tuaj krijuese dhe nuk duhet të pranoni ju që për tre kompani të mbahet peng Plani Urbanistik i qytetit tuaj”, nënvizoi kryeministri Berisha.
Kryebashkiaku Rama shmang përgjigjen për akuzat e Kryeministri Berisha
TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, njëkohësisht kryetari i PS-së, nuk i është përgjigjur dje akuzave të Kryeministrit Berisha në lidhje me favorizimin e lejeve të ndërtimit në Tiranë dhe për mos dorëzimin ende të një plani rregullues për Tiranën.
Gjatë një konference për shtyp Rama i devijoi tërësisht këto çështje, ndërsa u mjaftua me deklarimin se, “për akuzat dhe shpifjet sotme e të nesërme ndaj Bashkisë së Tiranës e meje personalisht, Sali Berisha do ta marrë përgjigjen jo nga unë, po nga qytetarët e qytetaret e Tiranës e të të gjithë Shqipërisë, në 28 qershor kur Shqipëria do të mbyllë kontratën me të e me Partinë Demokratike dhe do të lidhë një kontratë të re për një rrugë të re, me koalicionin e bashkimit të ri për ndryshim”