E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më lejoni t'ju uroj punë të mbarë në sezonin e ri politik, legjislativ dhe qeverisës, nje stinë e ngjeshur me punë, ku angazhimet e programit të qeverisë e mazhorancës janë të mëdha dh

Më lejoni t'ju uroj punë të mbarë në sezonin e ri politik, legjislativ dhe qeverisës, nje stinë e ngjeshur me punë, ku angazhimet e programit të qeverisë e mazhorancës janë të mëdha dhe ku natyrshëm, jo për shkak të etheve të të vegjëlve, kemi hyrë në ndezjen e motorrëve dhe programimin e veprimeve për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Ka një situatë të re por jo të panjohur në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të largimit të disa deputetëve drejt opozitës, ka fenomene të stërnjohura, fragmentim grupesh për interesa elektoralo- financiare në Kuvend. Nuk besoj se kemi kohë të humbasim toruan ndaj lëvizjes së gurëve në tabelën e "Damës" parlamentare.

Për shkak të detyrave të ngjeshura qeverisëse dhe politike thelbi i kësaj mbledhjeje, detyra jonë kryesore është organizimi dhe miratimi i detyrave të adresuara për cilindo në këtë fazë të rëndësishme të Kuvendimit të Madh, në mënyrë që gjithcka dhe gjithkush të verifikohet në kontakt me njerëzit, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e mazhorancës. E vërteta është se kjo lidhje me njerëzit nuk bëhet me fushata. Ne dimë ta bëjmë atë dhe të perditshme, ne kemi struktura dhe institucione që mbajnë kontakte të përdishme me njerëzit, por ka ardhur koha që lidershimi të jetë përditë në kontakt me njerëzit, në kontakte të shumellojshme, sepse ky lloj komunikimi i udhëheqjes, i përfaqësuesve me zgjedhësit, ka qene në 14 vjet faktori themelor i fitoreve tona elektorale në dobi të vendit.

Ne nuk mund të mjaftohemi si aktorët e rinj vetëm me kontaktet mediatike apo spekullime propogandistike përmes medias, për kontaktet me njerëzit. Ne nuk mund t'u japim njerëzve vetëm problemet që duam vet nëpërmjet ekraneve. Ne duhet të vjelim vlerësimin që kanë njerëzit për problemet reale, në raport me aksionet tona qeverisëse, ne duhet të kuptojmë se si duhen zgjidhur dhe integruar më mirë problemet, shqetësimet, fërkimet, hallet dhe nevojat e shumicës së qytetarëve gjatë kohës që bëjmë reforma dhe zbatojmë ndryshime, të cilat nuk mund të kalojnë pa kosto dhe të cilat nuk mund të shkarkohen si kosto vetëm në kurriz të qytetarëve të thjeshtë apo të shumicës së votuesve tanë. Ka ardhur koha qe në këtë funksion të shkëpusim realisht dhe jo me fjalë strukturat e partisë nga qendra deri në baze.

Ky proces do të nisë pasi kuadri i programit të veprimeve që do të miratojmë sot në kryesi, të marrë vulën dhe kontributin e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues në fund të muajit dhe do të vazhdojë pa ndërprerje deri në zgjedhjet e ardhshme (Qershor 2005), për t'u shfaqur sërish në traditën e protagonizmit politik dhe historik që ka shfaqur PS në 14 vjet tranzicioni demokratik, si modeli më i plotësuar, më efikas i komunikimit të një partie drejtuese politike dhe qeverisëse me zgjedhësit. Në këtë veprim të pandërprerë dhe shumëdimensional do të na duhet të testojmë dhe verifikojmë se sa e kemi shprehur dhe c'duhet të bëjmë ende për të kuptuar njerëzit se jemi të përgjegjshëm politikisht për të vazhduar këtë rrugë të vështirë por të sigurt për mirëqenien e tyre, se cfarë përgjegjësie politike kemi dhe jemi në gjendje të ndajmë me të tjerët, për përballimin e sfidave të integrimit, përballë një numri opozitash "konstruktive" që kemi, qysh nga ato të Berishës, deri tek antiglobalistët e vegjël. Në këtë kuptim na duhet të bëjmë vet edhe pozitën edhe opozitën europiane, konstruktive që përshpejton reformat dhe shpërndan përfitimet e tyre tek shumica, duke reduktuar kostot dhe duke siguruar ritmin e duhur të zhvillimit të procesit.

Nëpërmjet Kuvendimit të Madh ne do të vërtetojmë përfundimisht se nuk jemi parti e interesave te vogla dhe meskine, aq më pak personale, nuk jemi parti që ushqehet nga kordoni i kërthizëz së pushtetit, por mbetemi parti e idealeve te medha, parti misionare për të përmbushur angazhimin programor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne duhet t'u japim provat më të freskëta dhe të pastrojmë provat e derisotme nga ndryshku apo balta që i kanë hedhur të tjerët, se jemi në gjendje të vazhdojmë të qeverisim, të transformojmë shoqërinë, institucionet dhe ekonominë, të japim llogari për pozitën e përfaqësuesve dhe për privilegjet dhe kostot që ata marrin mbi vete dhe të cojmë deri në fund procesin e integrimit europian të vendit. Ju e dini qe ne dimë ta bëjmë këtë gjë, ju e dini sa të ndryshëm jemi ne nga regjimi i vjetër. Megjithatë ne jemi shqiptarë dhe nuk mund të mos njohim edhe tek vetvetja një shkallë të caktuar infeksioni nga viruset e një shoqërie tranzicioni, apo nga sjelljet politike të "pëlqyeshme" për shkak të privilegjeve që japin.

Gjatë regjimit të Berishës quhej demode një qytetar që nuk kishte futur para në piramida, besoj se po arrijmë që të gjithë qytetarët (shifrat i kemi bërë të njohura edhe herë tjetër) të kuptojnë se c'do të thotë të kesh një depozitë bankare në banka private apo në banka që po privatizohen nga shteti, në duar duar institucionesh financiare të sigurta ndërkomëntare apo vendase. Gjatë kohës së Berishës quhej demode një shtetas që nuk kishte pushtuar disa qindra metra katrorë tokë, që nuk kishte bërë një shtëpi apo kioskë pa leje, që nuk kishte pushtuar ndonjë çerdhe apo kopësht forcërisht, që nuk kishte kaluar njëherë kufirin grek pa vizë apo detin me gomone etj. Ne i kemi goditur në 7 vjet të gjitha këto fenomene dhe ne jemi të parët që ndërhyjmë kur njerëz të pafajshëm vazhdojnë të viktimizohen nga rrjetet e fundit të trafiqeve që kemi lënë në strukje.

Ndërsa sot qytetarët po shndërrohen cdo ditë e më shumë në bashkëbisedues dhe partnerë të reformave dhe progresit evropian të vendit, në zbatimin e ligjit dhe shtrirjen e investimeve dhe financimeve të programeve për kurimin e varfërisë dhe për përfshirjen në tregun ndërkombëtar, apo në proceset e integrimit të të gjitha komuniteteve dhe trevave të vendit. Ky është bazamenti mbi të cilin PSSH është modernizuar, është zgjeruar, ka krijuar partneritet social dhe politik me të gjithë shoqërinë shqiptare. Mbi këtë bazë ne duam që në Kuvendimin e Madh të arrijmë të vendosim saktësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme në të gjitha nivelet, shtetasit në epiqendër të politikave dhe të programeve qeverisëse për integrim. Ne e dimë se ka ende mjaft angazhime pa u përmbushur, sic e dimë që ka ende njerëz që jetojnë në varfëri apo në kufijtë e saj. Ne e dimë se për cfarë ka ende nevojë sistemi ynë arsimor apo ai shëndetësor, administrimi i fondeve publike, funksionimi i gjyqësorit, apo performanca e administratës civile , në raport me detyrat e zhvillimit. Ne i kemi jo vetëm të njohura, por edhe të programuara për t'i zgjidhur me programe reformash dhe masash standarte të problemeve dhe nevojave që ka vendi dhe prandaj do të vazhdojmë të jemi transparent, bindës dhe shpjegues për qytetarët në mbarë Shqipërinë. Ne kemi shfaqur dhe verifikuar në 7 vjet te qeverisjes programe shëndoshëse për të gjitha sëmundjet e trashëguara apo ato të tranzicionit. Kjo është arsyeja themelore përse ne mbetemi e vetmja maxhorancë e hapur ndaj progresit, sepse dimë të mbajmë gjallë dhe të integrojmë duke i mbrojtur shpresat dhe interesat e shtetasve, të shumicës, të aktorëve dhe protagonistëve të zhvillimit dhe integrimit në të gjithë territorin dhe për të gjithë popullsinë.

Është e qartë se procesi i reformimit të pandërprerë të vendit është një proces kompleks dhe nuk lejon zhvillime apo vlerësime vetëm sektoriale apo të pjesshme. Ai kërkon vizion dhe pjesëmarrjen e të gjitha strukturave tona politike, qeverisëse dhe të partneritetit me shoqërinë kudo që ajo është e organizuar. Në këtë vështrim, ne përshëndesim dhe inkurajojmë aktivizimin e shoqërisë civile në këtë stad zhvillimi, por nga ana tjetër mbetemi të bindur se nuk mund të përshpejtojmë progresin në vend pa vazhduar procesin e vetëkorrigjimit dhe të përmirësimit të punës dhe përfaqësimit tonë politik, si forcë që ka sjelle transformimin më të madh historik në Shqipërinë e paskomunizmit. Vetëm në këtë mënyrë, duke shkundur pluhurin e pritjes, apo vetëkënaqësinë e atyre që realisht kemi arritur, duke ripërtërirë dhe aftësuar më tej trupën tonë politike dhe qeverisëse, duke përmirësuar veten në marrëdhëniet tona me aleatët e ngushtë politik, me shoqërinë civile, me sipërmarrjen e lirë, me votuesit dhe simpatizantët, me qytetarët e thjeshtë, me të gjithë ata që mendojnë kundër, ne do të vazhdojmë të mbetemi forca kryesore politike e vendit. E gjitha kjo do të thotë se Kuvendimi i Madh do të shërbejë si një skaner për të gjithë përfaqësuesit tanë e të gjitha niveleve dhe në të gjithë territorin e vendit. Ky skanim nuk merr parasysh vetëm kriteret morale, të cilat natyrisht që për ne socialistët janë të shenjta, por edhe performancën e secilit përfaqësues përballë detyrave të zhvillimit që duhen zgjidhur në cdo bashki, në cdo komunë, në cdo organizatë socialiste, në raport me përmbushjen e angazhimeve politike dhe qeverisëse që kemi shpallur.

Unë besoj se ashtu si deri më sot, nëpërmjet këtij komunikimi të programuar dhe të pandërprerë me njerëzit, me të gjithë shtetasit europianë të Shqipërisë, ne socialistët do të mundemi t'u vëmë përfundimisht emër ligjor të përvecëm të gjithë abuzuesve, të korruptuarve, të paaftëve, hileqarëve, interesaxhinjve profesionistë të interesit, duke u bërë gjykimin politik dhe duke i nisur pa ekuivok drejt gjykimit të shtetit të së drejtës.

Nuk do të lejojmë më që për shkak të vakumeve të veprimit tonë politik, për shkak të mjegullës apo financimeve tek gjyqësori, apo tek institucionet e verifikimit të pasurive, përfaqësues politikë të lidhur me krimin të vazhdojnë të turbullojnë mazhorancën, reformat apo stabilitetin e institucioneve demokratike në vend. Gjej rastin të theksoj se nuk mund të lejojmë, as unë dhe as strukturat e partisë, që në këtë proces me dimensione kombëtare ndokush të bëjë gjueti shtrigash, apo të fusë stërkëmbëshat apo bërrylat vërsnikëve apo konkurentëve.

Baza morale e këtij kuvendimi duhet të jetë e palëkundur: shpirti i zhvillimit dhe i solidaritetit që ne e kemi të shenjtë. Ky është një proces shkëmbimi vlerash nëpërmjet një bashkëbisedimi, ky është një proces shpjegimi dhe argumentimi për nevojën dhe kostot e reformave, prandaj nuk mund t'u kthejmë kurrizin subjekteve që përfshihen në ndryshim, prandaj na kërkohet të mbajmë shënim dhe t'i bëjmë pjesë të programeve politike dhe qeverisëse shqetësimet qytetare, sepse kjo është propaganda me e vërtetë dhe fituese.

Ne kemi 13 vjet në sytë e të gjithëve dhe për këtë arsye na njohin mirë dhe prandaj edhe na votojnë edhe na kritikojnë. Ndaj në Kuvendimin e Madh është radha e njerëzve për të na orientuar saktësisht në 9 muajt që kemi para, se problemet reale të tyre meritojnë njerëz që ua japin zgjidhjen që kërkojnë, në dobi të kapërcimit të sfidave kombëtare të integrimit të vendit në BE.

Ka disa parametra ky transformim, ka disa objektiva dhe nivele që ne jemi angazhuar t'i arrijmë. Me atributet e Kryetarit të PSSH dhe të Kryeministrit jam angazhuar së bashku me ju disa herë që të projektojmë dhe të argumentojmë programe ekzekutive, legjislative, ekonomike dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar për vendin, në mënyrë që Shqipëria brenda vitit 2015 të arrijë standartet e antarësimit të plotë në BE. Më në fund ky objekt madhor politik do të bëhet pjesë e programit politik të PSSH dhe maxhorancës. Unë u kam kërkuar ekzekutivisht përfaqësuesve tanë në qeveri dhe në administratën me të cilën ajo punon, që ky angazhim të detajohet sipas fushave dhe sektorëve themelorë. Kjo do të thotë se shtetasit tanë duhet të njihen me programet tona të veprimit, me ritmet dhe gradualitetin kohor që do të arrihen objektiva të rëndësishme si: Brenda vitit 2015 Prodhimi i Brendshëm Bruto do të arrijë në 10 mijë EURO për frymë, se paga mesatare në sektorin publik do arrijë në mbi 1000 euro për të punësuar, se për 100 banorë do të ketë të paktën 30 automjete personale në përdorim, 30 telefona fiks të lidhur online në internet dhe 60 përdorues celulari. Dhe njerëzit duhet ta dinë edhe më në detaje çdo të thotë kjo në jetën e tyre të përditëshme në Tropojë dhe Skrapar, në Durrës dhe Kolonjë. Këto objektiva nuk arrihen as duke analizuar xhaketat dhe as duke ekspozuar T-shirt-et me ngjyra. Këto angazhime kombëtare kërkojnë reforma reale dhe aty të gjitha xhaketat konstatohen nëse duan dry cleanning (pastrim kimik) apo ndërrim stofi.

Këto reforma duhen mbështetur në përkushtimin e njerëzve të fortë dhe të aftë, të cilët asnjëherë nuk i kanë munguar as partisë socialiste dhe as aleancës së saj me forcat e progresit. Në këtë këndvështrim Kuvendimi i Madh bëhet edhe në funksion të përtëritjes, të verifikimit të kredibilitetit dhe të rivlerësimit për të gjithë ata militantë apo profesionistë që kanë dhënë kontribute të pacmuara dhe që krahas radhëve të përfaqësuesve ku militojnë janë të shumtë edhe në salla, edhe në rreshtat e fundit të sallave, ku pa u ndier apo pa pushtuar përdhunisht apo në mënyrë spekulative ekranet, bëjnë detyrën edhe më mirë se ndonjë përfaqësues.

Reformat dhe transformimet për të cilat ka nevojë Shqipëria dhe që po kryhen duke menaxhuar kostot, nuk janë thjesht një zgjedhje bardh e zi mes punës dhe gunës, prandaj kanë nevojë që të përshpejtohet procesi katalitik i integrimit të të gjitha kontributeve dhe të të gjitha sugjerimeve që zbusin kostot e transformimeve dhe nuk ka nevojë më për spektakle fallco inndividësh, që me krizat e tyre afariste vrasin shpresën dhe besimin në të ardhmen më të mirë që po ndërtojmë. Të gjithë duhet të kuptojnë se karrierat individuale mbeten të respektuara dhe të votuara atëherë kur janë të moralshme dhe që respektojnë vlerat njerëzore dhe politike që ky popull na i ka kultivuar ne në vite, të gjithë jemi familje të mira dhe me taban, prandaj dhe ne duhet t'i kultivojmë tek e gjithë shoqëria shqiptare, edhe tek familjet që nuk e kanë pasur shumë mendjen tek fëmijët e tyre, qofshin edhe plangprishës.

Ja pse ne socialistët nuk shqetësohemi më shumë se ç'duhet për ata që ikën, apo për ata që kanë ardhur dhe kërkojnë të zënë vend nga ekranet mediatike. Natyrisht, siç e thashë edhe para disa ditësh në mbledhjen e grupit tonë parlamentar, ikja e tyre nuk përbën një tragjedi, ajo që ndodhi është shfaqja dhe prova e fundit e paaftësisë së tyre për të përballuar ritmet tona të zhvillimit dhe rregullat e demokracisë sonë të brendshme që funksionojnë më mirë se në cdo parti tjetër në vend, është provë se disa prej atyre që ikën nuk e kishin shpirtin e solidaritetit e sakrificës që ne kemi kultivuar dhe shfaqur në vite, nuk e kishin urtësinë dhe maturinë, durimin për të shëruar atë që sëmuret, të cilën ne e kemi kultivuar si karakteristik të vyer të masës së socialistëve në vite. Duket se më në fund interesi i xhepit apo i karrierës personale ka qenë për këta shokë acidi i vërtetë gërryerës i vlerave.

Ne që jemi të aftë të kryejmë Kuvendimin e Madh, të shohim njërëzit në sy nga Vermoshi në Konispol, nga të varfërit e deri tek të pasurit, ne që jemi të aftë të përballojmë nga afër problemet, shqetësimet dhe sfidat e tyre, nuk mund të humbasim kohë duke prodhuar apo ndjekur shfaqje false në TV. Ndaj kushdo që ka kontribute për të dhënë, të zbresë bashkë me ne tek njerëzit e thjeshtë për t'u bërë pjesë e ushtrisë së misionarëve që do e çojnë patjetër Shqipërinë në Europën e bashkuar.

Në këtë proces natyrshëm janë të ftuar të marrin pjesë dhe të japin kontribute edhe aleatët tanë progresistë nga partitë e mazhorancës dhe nga shoqëria civile. Bashkimi i kontributeve dhe sidomos ndarja së bashku e përgjegjësive në mënyrë harmonike janë formula më e sigurt për sukses jo vetëm elektoral por edhe në procesin e zhvillimit të vendit drejt standarteve europiane. Kuvendimi ynë le të shërbejë edhe për të analizuar së bashku me aleatët problematikën e bashkëpunimit që haset, që të mos katandisen në zyra apo karrige për to. Që të nisemi së bashku drejt një horizonti të ri me ide, platforma dhe angazhime që konsolidojnë dhe përshpejtojnë procesin e transformimeve që po ecën.

Pa dashur të bëj komente paraprake, e konsideroj të një rëndësie të dorës së parë, që programi i këtij Kuvendimi dhe kapilarët në të cilët ai shtrihet, të jenë të zhdërvjellta dhe të heqim dorë nga fanfara stereotipe, apo nga formalite të deleguarish. Dhe të mos harrojmë se në këto ritme të jetës sonë të vrullshme dalja nga moda bëhet shumë shpejt. Ne na duhet të ndërtojmë programimin e punës sonë politike sipas interesave të shtresave, sipas problemeve të zonave dhe të organizatave të partisë dhe të partnerëve me të cilët punojmë në të gjithë territorin e vendit, sepse jeta ka kudo një frymëmarrje tjetërlloj dhe bashkëkohore. Mjafton të llogarisim që janë disa qindra mijë votues që kur nisëm në 97-ën kurimin e krizes së thellë të piramidave dhe rindërtimin e institucioneve, ishin vetëm 10-11 vjec dhe që votojnë në 2005-en.

Ne do të kemi sukses në këtë Kuvendim, vetëm nëse i kemi të qarta objektivat dhe synimet, vetëm nëse këtë Kuvendim të Madh nuk e shndërrojmë në një kontakt formal, të squllët dhe për përfitime të ngushta të momentit, apo për oraret e punës së zyrave që administrojmë. Partia Socialiste është dalluar përherë për këtë frymë të spikatur ardhmërie dhe sigurie për objektivat euaroatlantike të vendit, prandaj edhe është votuar në shumicë. Prandaj le të rikthehemi tek vlerat dhe t'i zgjerojmë ato duke e bërë këtë bosht të Kuvendimit të Madh.

Ne do të dëshmojmë në këtë aksion të pandërprerë politik, qeverisës se, nuk na intereson thjesht fitorja e zgjedhjeve të 2005-ës. Ne duam të garantojmë per vullnetin tone per te kontribuar ne zgjedhje te standarteve demokratike dhe angazhimin tone ne kryerjen e reformave per përshpejtimin e procesit te integrimit te Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2015.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›