Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, sot u zhvillua në qytetin e Sarandës mbledhja e radhës e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në fillim të kësaj
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, sot u zhvillua në qytetin e Sarandës mbledhja e radhës e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në fillim të kësaj mbledhjeje Kryeministri Nano u shpreh:
"Të nderuar pjesëmarrës,
Vullneti ynë i përbashkët, që proçesin e kryjes së diskutimit dhe miratimit të Planeve Urbanistike të qyteteve të mos e bëjmë nga zyrat dhe sallat në Tiranë, por ta ndjekim në qytetet respektive, për efekt edhe të një trasparence dhe ballafaqimi, jo vetëm me problemet lokale por edhe me komunitetin, na sjell sot këtu për të miratuar Studimin e Planit Rregullues të Qendrës së Qytetit të Sarandës.
Parë nga këndvështrimi ynë, shqyrtimi i këtij studimi urbanistik, përbën një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e vendimmarrjes për qendrat e qyteteve, por nga ana tjetër, për vetë Sarandën përbën një eveniment, efektet e të cilit do të ndjehen për shumë e shumë vite rresht.
Natyrisht që ndërthurja e mjaft elementeve, si morfologjia e terrenit, deti, kodrat, bujaria e natyrës dhe në mënyrë të veçantë klima e jashtëzakonshme, intrigojnë çdo projektues për t'u marrë me planifikimin e këtij qyteti. Kjo u pa qartë si në procesin e përzgjedhjes së studios që do të merrte përsipër kryerjen e këtij projekti, ashtu edhe në proçesin e debateve dhe diskutimeve rreth projektit të përgatitur, proçes i cili u shoqërua me transparencën e duhur ndaj komunitetit vendas, por edhe atij të përkohshëm turistik, të mos harrojmë se maketi qëndron në tavolinë i ekspozuar për këtë qëllim përgjatë gjithë muajit gusht.
Një ndër veçantitë themelore të Sarandës është qënia e saj një ndër qendrat më të rëndësishme të industrisë turistike të vendit dhe ky qytet gjithnjë e më tepër po e mbështet ardhmërinë e tij mbi këtë industri.
Saranda si qytet tipik me karakter turistik kërkon një strukturë urbane që të jetë e konceptuar tërësisht në funksion të pritjes së flukseve turistike dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore, por dhe në përputhje me standartet që ofron rajoni mesdhetar ku ajo bën pjesë. Parë nga kjo pikëpamje të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se Saranda në këtë rrjedhë vitesh tranzicioni ka patur edhe zhvillime të padëshirueshme dhe që kanë deformuar në një farë mase pejsazhin dhe ekuilibrat e ndërsjella me të tërën.
Në këto 3-4 vjet që Shqipëria po përjeton lindjen dhe zhvillimin e vërtetë të industrisë turistike edhe ky qytet është përfshirë në këtë proces, i cili, sidoqoftë, duket thënë se ka patur luhatjet e veta, luhatje të cilat janë ndjerë nga biznesi sarandiot me të këqijat dhe të mirat e tij.
Për fat të mirë, tashmë edhe ky biznes, sikurse biznesi lokal i ndërtimit, por edhe qeverisja vendore, janë ndërgjegjësuar se thjesht të ndërtuarit nuk sjell zhvillim, të paktën për të kaluar në një proçes të ekuilibruar planifikimi qoftë urban, qoftë ekonomik, qojtë mjedisor.
Kështu, një nga elementet bazilare të detyrës së projektimit që ky plan mëton të zgjidhë, është edhe shërimi apo rekuperimi i atyre situatave urbane të qytetit, të cilat jkanë rënduar në këto vite. Pra, jo vetëm zhvillimi i hapësirave të reja, ku urbanistët janë më të lirë të shprehin konceptet e tyre, por edhe rifunksionalizmi e rivitalizimi i qytetit ekzistues, që në rastin konkret përbën vërtet një sfidë krijuese.
Në fakt problematika të ngjajshme ndeshen në tërë bregdetin e jugut dhe jam i bindur se bagazhi profesional dhe eksperienca projektuese e përfituar nga ky plan do të shërbejë edhe për kolaudimin e standarteve teknike, por edhe të proëedurave të legjislacionit për urbanistikën.
Tani jemi vërtet në prag të një studimi në shkallë të madhe, i cili do të japë impute të rëndësishme për ekonominë jo vetëm të zonës, por për të gjithë Shqipërinë dhe logjika profesionale kërkon që studimet të zhvillohen në shkallë hierarkike, nga ato rajonale, në shkallë të madhe deri te qendrat e qyteteve. Për rrjedhojë shumëkush mund të pyesë pse atëherë u nis puna nga qendrat e qyteteve? Fakti është se duke u gjendur në një situatë krejt anormale në fund të viteve '90, u detyruam të mos procedonim në mënyrë sekuenciale, por të iniciojmë në dy frontet: bllokimin e qendrave jo si qëllim në vetvete, por për t'i hapur rrugë zhvillimit të planifikuar nga njëra anë dhe ngritjen e përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme për Studimet Rajonale nga ana tjetër.
Edhe për këtë të fundit puna ka filluar dhe së shpejti do të mblidhemi në të njëjtën tavolinë, por ndoshta në Himarë, për shqyrtimin e Studimit të Bregdetit të Jugut".
KRRTRSH vazhdon me shqyrtimin e rendit të ditës. (Vendimet e sotme të KRRTRSH do të publikon më pas).