Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis kompanisë libaneze "Seament" me BERZH dhe IFC. Projekti parashikon një investim prej 130 m
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis kompanisë libaneze "Seament" me BERZH dhe IFC. Projekti parashikon një investim prej 130 milion euro për ndërtimin e një linje të re të prodhimit të çimentos në Fushë Krujë, me kapacitet vjetor 1.3 milione ton çimento. BERZH dhe IFC do të financojnë nga 30 milion euro, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga OPEC, Alfa Bank dhe vetë Kompania. Ky është investimi më i madh në këtë fushë që do të reduktojë ndjeshëm importin e çimentos.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë Presidenti i BERZH-it, Jean Lemierre, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve prestigjoze financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, përfaqësues të sipërmarrjes vendase dhe asaj libaneze, si dhe të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Kryeministri Nano vlerësoi tepër të suksesshëm bashkëpunimin e deritanishëm midis Qeverisë Shqiptare dhe partnerëve të rëndësishëm të saj, si BERZH, Banka Botërore, FMN, të investitorëve të huaj, që kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare nëpërmjet rritjes së prezencës së tyre në Shqipëri, mbështetjes së sektorit publik dhe atij privat.
Po ashtu Presidenti i BERZH, Lemierre, i cili zhvilloi një vizitë tre ditore në Tiranë, vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit privat, përmirësimit të standarteve dhe krijimit të vendeve të punës, duke garantuar për forcimin në të ardhmen të partneritetit me qeverinë shqiptare dhe sektorin privat.
Shqipëria ka bërë progres të dukshëm. Ne kemi shumë për të bërë. Me Kryeministrin kemi patur një diskutim shumë të frytshëm se si të përmirësohet edhe më tej klima për investimet private dhe mënyrën si të tërheqim më shumë investitorët private. Kjo lidhet me rregullat e të lojës, të cilat po strukturohen gjithnjë e mirë në vendimet e rëndësishme që janë marrë e po merren nga qeveria, edhe në kuadrin e pëshpejtimit bisedimet me BE".
Duke u ndalur në rezultatet e vizitës së tij në Shqipëri, z.Lemierre i vlerësoi të suksesshme dhe të ftutshme bisedimet me palën shqiptare. "Gjatë takimeve me Kryeministrin dhe ministrat e kabinetit kemi biseduar për sektorët e përparësive, si financimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme, turizmi, infrastruktura, investimet në sektorin privat dhe agrobiznesi", tha z.Lemierre.
Sipas z.Lemierre, në këto bisedime është bërë progres i dukshëm në shumë projekte në fushën e infrastrukturës. Para fundit të këtij viti, - tha ai, - do të marrim vendim për financimin e modernizimit të aeroportit të Rinasit. Është një marëveshje koncesionare, me një vlerë prej 20 milion euro. I kemi parë koncesionet me shumë vëmendje dhe mendojmë se është një proces i mirë. Gjithashtu kemi arritur edhe një marrëveshje për financimin e rrugës Fier-Tepelenë. Z.Lemierre bëri të ditur se është rëndë dakort gjithashtu për të punuar mbi disa projekte të reja në të ardhmen e afërt, si ai për terminalin në portin e Durrësit, projekti për krijimin e një tregu rajonal energjitik, që do të lidhë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë në një rrjet të përbashkët. Për këtë, tha ai, në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të organizojmë në Tiranë një takim me të gjithë partnerët e rajonit për çështjet e energjisë.
Gjithashtu, sipas z.Lemierre, diskutimet kanë përfshirë edhe sektorin financiar, si një aspekt i rëndësishëm që lidhet me financimin e ekonomisë relae dhe krijimin e vendeve të punës. Diskutimet kanë përfshirë kompaninë e sigurimeve "INSIG, ku BERZH është pjesë e këtij procesi, miratimi i ligjit të ri për kompanitë e sigurimeve, çka do të çojë më përpara punën.
Duke iu referuar procesit të privatizimit të kompanisë shtetërore të telefonisë fikse Albtelekom dhe sektorit të naftës, z.Lemierre tha se ka ka rënë dakort me Kryeministrin Nano për të vazhduar dialogun mbi sfidat që paraqesin këto dy privatizime të rëndësishme për Shqipërinë.