Me manifestime zyrtare dhe popullore, Kosova feston ditëlindjen e saj të katërt si shtet

“Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, simbole të pavarësisë dhe udhërrëfyes për të ardhmen”
Për kryeministrin Hashim Thaçi, dita e pavarësisë i ka dhënë kuptim historisë së Kosovës. Megjithatë, ai rikujtoi edhe disa zhvillime e fakte historike që ndërlidhen me katër-vjetorin e shtetit të Kosovës dhe 100-vjetorin e shtetit të Shqipërisë
“Sot, përderisa Shqipëria shënon 100-vjetorin e pavarësisë, për fat të keq ne kujtojmë 100-vjetorin e pushtimit të Kosovës nga Serbia - por, sot të lirë, të pavarur dhe sovran e krenar.
Me intonimin e himnit shtetëror dhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kanë nisur dje në Prishtinë manifestimet me rastin e 4-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Para të pranishmëve parakaluan kuadratet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Drejtuesit e institucioneve të Kosovës, e vlerësuan këtë ditë si fryt të shumë brezave. Pavarësia e Kosovës është angazhim dhe përpjekje e jashtëzakonshme njëshekullore dhe fryt i punës dhe sakrificave të shumë brezave, deklaroi presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Komentet e saj, Jahjaga i bëri gjatë një parade të Forcës së Sigurisë me rastin e katër-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Republika e Kosovës, tha Jahjaga, e ka integritetin e vet territorial të garantuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e ka subjektivitetin e plotë të përfaqësimit ndërkombëtar, ashtu si edhe të gjitha shtetet e tjera. Presidentja tha se Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që konsiderohet si zgjidhja më e drejtë dhe e vetme. Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh, ndërsa në avancimin e marrëdhënieve fqinjësore është bërë një shembull i mirë që respektohet dhe nderohet.
“Të gjithë qytetarët, pa dallim, të ardhmen e Kosovës e shohin në integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liria dhe pavarësia e vendit është fituar me angazhimin e punën e shumë veprimtarëve, me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer të gjithë popullit të Kosovës. Kjo fitore është arritur edhe me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare, të miqve tanë, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe me intervenimin ushtarak të NATO-s për të ndalur gjenocidin dhe shpërnguljen e dhunshme dhe për të larguar përgjithmonë hegjemonizmin nga kjo pjesë e Evropës”, deklaroi shefja e shtetit. Sipas presidentes, Kosova ka arritur suksese në të gjitha fushat dhe “ne e kemi të sigurt të ardhmen tonë, si një vend me demokraci të zhvilluar, me ekonomi që shfrytëzon resurset dhe mendon për gjeneratat e ardhshme dhe sidomos me rini të edukuar dhe të shkolluar, të aftë për të punuar dhe për të kontribuar për atdheun tonë”. E para e shtetit foli edhe për FSK-në e Policinë e Kosovës, duke thënë se jemi krenarë me transformimet e FSK-së, pasi, sipas saj, “kemi krijuar një trupë efikase, të aftësuar për të gjitha situatat emergjente, por edhe për misionet humanitare e paqeruajtëse”.“Forca e Sigurisë së Kosovës deri tash i ka kryer me sukses te gjitha detyrat qe i janë dhënë. Ajo i ka përmbushur të gjitha kapacitetet operacionale dhe është plotësisht e gatshme për të kaluar në fazën tjetër që e kërkon vendi ynë. Forca e Sigurisë së Kosovës e ka respektin dhe falënderimin e popullit për operacionin e kërkim-shpëtimit me rënien e ortekut në fshatin Restelicë”, ka theksuar Jahjaga. Më tej, kryetarja e shtetit vlerësoi se Republika e Kosovës, që nga viti 1999, ka ndërtuar Forcat Policore si një institucion i besueshëm qe gëzon respektin dhe nderimin më të madh për punën profesionale në shërbim të të gjithë qytetarëve. “Policia e Kosovës është e aftësuar dhe e trajnuar sipas standardeve më të larta evropiane dhe po jep kontribut te jashtëzakonshëm ne ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike si dhe në parandalimin dhe luftimin efikas te krimit”, ka thënë presidentja Jahjaga. “Vendin tonë e çojmë përpara me përkushtim, me mirëkuptim, me ndihmë e solidaritet ndaj njeri tjetrit, me punë profesionale e vetëmohuese, me qasje të përgjegjshme ndaj punës, mësimit dhe angazhimit, duke kontribuar secili në fushën e vet, aty ku është caktuar dhe aty ku vlerësohet. Kosova do të jetë ashtu çfarë ne e duam”, ka përfunduar fjalën e saj presidentja Jahjaga. Për kryeministrin Hashim Thaçi, dita e pavarësisë i ka dhënë kuptim historisë së Kosovës. Megjithatë, ai rikujtoi edhe disa zhvillime e fakte historike që ndërlidhen me katër-vjetorin e shtetit të Kosovës dhe 100-vjetorin e shtetit të Shqipërisë. “Sot, përderisa Shqipëria shënon 100-vjetorin e pavarësisë, për fat të keq ne kujtojmë 100-vjetorin e pushtimit të Kosovës nga Serbia - por, sot të lirë, të pavarur dhe sovran e krenar. Shteti i Kosovës ka sjellë më shumë paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike”, tha Thaçi. Liderët kosovarë rikujtuan se Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i sakrificës së popullit të saj dhe i mbështetjes ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë ditës, udhëheqësit më të lartë të institucioneve, si edhe ata të partive politike bënë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, si dhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekse e përmendore të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës bëri homazhe te varri i presidentit të ndjerë Ibahim Rugova dhe te kompleksi memorial në Prekaz. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, vlerësoi edhe një herë lart figurën politike të Ibrahim Rugovës, duke thënë se Rugova është themelues i kësaj dite të shtetësisë së Kosovës. “Me punën, veprën dhe jetën e tij, jo vetëm që i ka bërë nder Kosovës, por edhe gjithë botës shqiptare dhe civilizimit evropian”, rikujtoi presidentin dhe ish-kryetarin e LDK-së, Beqiri. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje konsideroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një hap para dhe tre prapa. Ky subjekt politik është kundër Planit të Ahtisarit si bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe se në programin e vet politik angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sidoqoftë, Kosova festoi katër-vjetorin e saj si shtet i njohur nga 88 vende. Kurse, në aspektet e zhvillimit të saj të brendshëm, po ballafaqohet ende me probleme serioze në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, me mungesë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe me pamundësi që të shtrijë autoritetin në komunat veriore të saj, të populluara me shumicë serbe.
Krasniqi: Prekazi vend i kthesës së madhe
I pari nga krerë të institucioneve të Republikës së Kosovës, që ka bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari, dhe i cili ka vizituar familjen Jashari, në Prekaz, në katërvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ishte kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ai tha se të gjithë shqiptarë kanë kontributin e vet për këtë ditë të madhe, por kryekontributi është në këtë lagje, në lagjen Jashari, ku janë të gjitha shenjat se këtu ka ndodhur një ngjarje dhe kthesë e madhe, e cila i ka hapur të gjitha perspektivat që i kemi sot në Kosovës, si vend që, siç tha Krasniqi, “që pretendojmë t’i konsolidojmë institucionet dhe të krijojmë siguri për qytetarët e Kosovës. I pyetur se për ç’arsye krerë të institucioneve të Kosovës nuk vijnë në Prekaz bashkë, siç bënin më përpara, kryeparlamentari Krasniqi u përgjigj, se e rëndësishme është se të gjithë përfaqësuesit e shtetit e shohin obligim për t’i nderuar ata që kanë kontribuar që ne të jemi këtu. “Por, jo vetëm institucionet, por edhe qytetarët e shfrytëzojnë këtë ditë për të ardhur dhe për të bërë homazhe aty ku historia ka ndryshuar rrjedhën e saj”, tha kryeparlamentari Krasniqi.
Misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës shënojnë Ditën Pavarësisë
Ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës nëpër vendet e tjera, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë shënuar katër vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës, me ceremoni solemne të organizuara me këtë rast. Në pritjet e organizuara, kanë marrë pjesë personalitete të shquara të vendeve ku janë hapur ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, përfaqësues të jetës politike e publike të këtyre shteteve, si dhe diplomatë të huaj e bashkatdhetarë tanë të cilët jetojnë në këto vende. Ceremonitë solemne janë karakterizuar nga prania e shumë miqve të Kosovës, të cilët kanë shprehur bindjen e plotë se Kosova do të vazhdojë me sukses të plotë rrugën drejt ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit. Ata, përmes stafit diplomatik përkatësisht konsullor të Kosovës, kanë uruar popullin dhe udhëheqësit politikë të Kosovës për vendosmërinë e tyre në ecjen përpara, me theks të veçantë në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër, stafi diplomatik përkatësisht konsullor i Republikës së Kosovës në shtetet pritëse, në emër të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar përfaqësuesit e vendeve mike dhe diplomatët e tjerë të pranishëm, për mbështetjen që po i ofrojnë Kosovës dhe kanë premtuar vazhdimin e angazhimit të plotë të shtetit dhe diplomacisë kosovare për forcimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës.