E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me marihuanë kundër krizës

Nga Express më 08 shtator 2011 në ora 20:50

Qeveria e Greqisë ka bërë hapin e parë të madh drejt dekriminalizimit të përdorimit të drogave. Në fakt, sipas asaj që deklaroi të mërkurën ministri grek i Drejtësisë, Miltiades Papainou, Greqia do të legalizojë përdorimin dhe posedimin e “sasive të vogla” të të gjitha drogave.

Ministri grek i Drejtësisë, Miltiades Papainou, ia ka prezantuar në parlamentit grek idetë e ligjit të ri për drogat.

"Ligji grek duhet të koordinohet me legjislaturën evropiane, kështu që tash e tutje kujtdo që i gjendet një sasi e vogël (droge) të dedikuar për përdorim personal nuk do të konsiderohet si kriminel”, theksoi Papainou, vetëm një ditë pasi që Këshilli i Ministrave miratoi propozim-ligjin.

Ministri grek tha se së shpejti në parlament do të precizohet edhe ajo se çfarë nënkuptohet me “sasinë e vogël” të drogës.

"Shfrytëzuesi i drogës është njeri i sëmurë, e jo kriminel”, sqaroi ai tutje.
Mirëpo, ministri Papainou theksoi se posedimi dhe furnizimi me drogë, si dhe kultivimi i saj, do të mbesin veprime të dënueshme me ligj. Ai sqaroi se këto veprime nuk do të konsiderohen vepra penale përderisa të kenë efekt vetëm në shfrytëzuesin dhe në asnjë person tjetër.

Papinou theksoi se shpenzimet për aplikimin e ligjit të ri do të jenë minimale në krahasim me përfitimin shoqëror, dhe shtoi se ministria e tij po i realizon masat që të varurve do t’iu mundësojnë që së shpejti të kenë rastin të marrin Metadon si zëvendësim të drogës. Ai tha se në Greqi vdesin rreth 300 njerëz në vit si pasojë e lidhjeve të tyre me droga të ndryshme, dhe se nëpër burgjet e vendit aktualisht mbahen afro 4,500 persona të cilët e kanë shkelur ligjin që e rregullon fushën që ndërlidhet me përdorimin e drogave.

Po të merren parasysh dhunimet, vjedhjet dhe veprat tjera penale, të cilat janë në lidhje direkte me përdorimin ose trafikimin e drogave, del se çdo i dyti i burgosur në Greqi mban burg pikërisht për këtë gjë, pohoi agjencia greke e lajmeve.

Sipas ligjit aktual grek, çdokush që shfrytëzon ose përdorë qoftë edhe sasinë më të vogël të drogës rrezikon të dënohet deri me pesë vjet burg.

Ndërkaq, sipas ligjit të ri policia do të mund të fokusohet vetëm në veprat e rënda penale që lidhen me drogën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›