E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një etikë e evolucion të mëtejshëm

Në gazetarinë shqiptare të tranzicionit shfaqen në mënyrë të ndërthurur informimi, identifikimi dhe "ngadhënjimi". Krahas tyre ka marrë një zhvillim të mirëpritur gazetaria investigative, sidomos për çështje korruptive. Ndërkohë që, gjatë gjithë periudhës 17 vjeçare, nuk ka munguar dhe gazetaria tabloide, ajo e hamendjeve dhe e thashethemeve, deri pamja e shëmtuar e saj e manifestuar si një gazetari antishqiptare e anti-intelektuale, e mbarsur me fyerje e shpifje të paturpshme. Fillimisht, kjo e fundit është ndeshur në gazetarinë militante, ndërsa kohët e fundit ajo po bëhet mbizotëruese në ndonjë media të shkruar, që në "origjinë" ka pretenduar të jetë neutrale (!) Shumë më pak shfaqet gazetaria tabloide në median televizive. Sidoqoftë, për probleme të tillë të mungesës së një etike minimale gazetareske, përkundrejt mbështetjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të pronarëve e botuesve, "indiferencës" apo "kapjes" së tyre, normalisht duhet të preokupoheshin dhe të ngriheshin në këmbë vetë strukturat përfaqësuese të gazetarisë shqiptare, gazetarët që manifestojnë një etikë të lartë profesionale si në median e shkruar, ashtu dhe atë elektronike. Pa këtë zë etik, të mirë-organizuar, madje dhe të ligjëruar, nuk mund të ngrihet në një standard të ri përgjegjësia profesionale-qytetare e vetë gazetarëve. "Tabloidët" do të vazhdojnë të ushqehen jo keq me plehrat e tyre!
 
Natyrisht, në gazetarinë shqiptare, në vend të parë është ai pasqyrim që ka ende një "obsesion" të konsiderueshëm për informacionin e përditshëm, diku të rëndomtë, diku të lidhur vetëm me mjediset e vagët politikë të Tiranës. Madje, besohet, si shumë kohë më parë, se pikërisht informacioni është vetë zemra e gazetarisë. Por kaq nuk mjafton. Pa mohuar vlerën e informacionit, një rëndësi në rritje po merr dhe gazetaria narrative, përshkruese dhe investigative, në të cilën informacioni jepet nëpërmjet analizës, konkretizimit apo identifikimit të një problematike të veçantë. Kjo vlen edhe për median e shkruar, që konkurrohet "ashpër" nga media elektronike, sidomos përsa i përket informacionit të freskët. Prandaj dhe besohet se, në këtë epokë të informimit tepër të shpejtë, një informacion i tepruar, sidomos ai i "kronikës së zezë", në median e shkruar i pakëson në mënyrë të konsiderueshme ndjekësit-lexues të saj. Gjetja e një raporti sa më të drejtë, nëpër faqe ose brenda të njëjtit shkrim, midis informimit dhe narracionit apo informacionit dhe analizës, është kthyer tashmë në një shqetësim për mbijetesën e shtypit të përditshëm. Ndërkohë, që nëpërmjet përshkrimit, analizës, identifikimit, ku detyrimisht është i nevojshëm dhe informacioni, mund të vazhdohet të mbahet e gjallë kjo vëmendje, edhe përkundrejt një media elektronike në ekspansion të fuqishëm.
Në këtë kuptim, identifikimi e narracioni mund të jetë dhe një zgjidhje e duhur ndaj apatisë në rritje. Sidomos kur narracioni, historitë e ndryshme, analiza e tyre trajtohen në mënyrë të tillë që t'u shërbejnë forcimit të marrëdhënieve normale njerëzore, pa lënë mënjanë çështje thelbësore, social-ekonomike, morale e etike të shoqërisë. Këtu mund të përfshihen dhe probleme, që lidhen me dinjitetin e individit, shëndetin mendor apo depresionin shoqëror, deri tek ballafaqimi me individë e dukuri me origjinë skizofrenike.
 
Nuk mund të mohohet se, kryesisht në variantin elektronik, një rëndësi të madhe merr dhe aspekti emocional i gazetarisë elektronike (radio e televizive)). Në ç'kuptim? Në radhë të parë, me anë të transmetimit të problematikës kryesore tek dëgjuesi e teleshikuesi, por dhe në mbajtjen e neutralitetit të transmetimit, në ruajtjen e sjelljes së pavarur dhe jo partizane nga ana e gazetarit dhe e redaksisë përkatëse. Pra, kërkohet, njëkohësisht, si ruajtja e interesit apo e emocionit në transmetim, ashtu dhe neutraliteti i këtij transmetimi. Përndryshe, nga njëri kamp apo tjetri, për një emision konkret mund të dëgjohet thirrja: "Nuk është i balancuar! Është një avokati politike!". Fatkeqësisht, kjo po ndodh edhe në mjaft media elektronike sot, përfshirë dhe ato që e tërhiqnin dikur teleshikuesin me qëndrimin neutral e parimor të tyre. Bile dhe në emisionet narrativë apo opinion-bërës, edhe pse përbërësja e informacionit bëhet shpesh minimale, del qartësisht në pah edhe pozicionimi i drejtuesit të emisionit, apo komanda tejet e orientuar e pronarit të tij. Ndërkohë, që do të duhet të shfrytëzoheshin vetëm faktet bazike për të ndërtuar skenarin apo kontekstin e duhur.
Në gazetarinë narrative merr një rëndësi të veçantë studimi i rastit konkret (case study), karakterizimi i tij dhe i individit kryesor apo i njerëzve të tjerë pjesëmarrës në histori. Pa atë ngjarja, vetë historia nuk mund të rezultojë mjaft interesante. Por kjo kërkon aftësi dhe këmbëngulje, si dhe respektim të lirive dhe të drejtave njerëzore. Me mjaft vlerë, kanë rezultuar ato emisione ku narracioni ndërthuret me investigimin. Të tillë kanë qenë, p.sh., disa emisione të gazetares R. Xhunga, ku spikat ai emision i veçantë, që demaskonte me fakte bazike një gjoja përkthyese greke të emigrantëve shqiptarë të arrestuar, që nuk e kishte fare idenë e gjuhës shqipe, madje e mendonte atë si të njëjtë me ndonjë gjuhë sllave (!). Një narracion të përgatitur me mjaft kujdes, të normuar me një informacion të mjaftueshëm e analitik, e gjejmë dhe tek emisionet e A. Bushatit. Po kështu, ky stil narrativ, nëpërmjet shpjegimit të fotografive të zgjedhura, po alternohet me një dozë të mjaftueshme informacioni në emisionet e M.Nanos. Ndërkohë që një emision mjaft interesant, ku përzihen narracioni, informacioni dhe aspekti i fortë emocional është dhe ai i Vizion Plus-it, i titulluar "Njerëz të humbur". Aq më tepër që në këtë emision shtrohen e zgjidhen edhe shqetësime njerëzore tepër të rëndësishme për njerëzit e ftuar...
Edhe në emisione të tjerë e ndeshim stilin narrativ, por me një prirje të gazetarit të emisionit për të gjetur dhe momentet e përshtatshëm për të "goditur" të ftuarin dhe për të dinamizuar, me manipulim ose bindje vetjake, pjesëmarrjen e tij më "efektive" në emision. Ndonjëherë, kështu, mund të arrihet ajo që dëshirohet me një"inteligjencë minimale"...
 
Por gazetaria narrative, sidomos ajo televizive, shfaqet shpesh dhe si një fuqi lëvizëse e madhe. I tillë është dhe ai i përmendur më sipër, i titulluar "Njerëz të humbur". Sidoqoftë, për një trajtim përgjithësues, për të mos u keqkuptuar, për ilustrim, po japim një shembull, që, mesa më kujtohet, i përket vitit 1998 në Danimarkë. Bëhet fjalë për një emision dokumentar të gazetarit Lars Høj, të titulluar "Er du mors lille dreng" (që do të thotë pak a shumë "I lindur për të humbur"). Aty diskutohej për të drejtat prindërore përkundrejt një fëmije të sapolindur. Ky shembull është, në fakt, një rast tipik i gazetarisë narrative.
Historia rrjedh pak a shumë kështu: Mamaja lind fëmijën në prani të babait. Në fillim gjithçka duket normale, si një gëzim në familje. Më tej vihet re, se këto prindër janë nën standardin mendor të pranuar. Që në muaj e parë ata humbin qetësinë dhe sillen ashpër me fëmijën e vogël. Punonjësit socialë danezë që përpiqeshin t'i mësonin këta prindër problematikë sesi të ushqenin apo kujdeseshin për fëmijën, e kuptuan shpejt se ata e kishin pothuajse të pamundur mbajtjen e kësaj fëmije. (Ata, në pamundësi për të nxënë diçka, vetëm po egërsoheshin). Madje, gjendja e mamasë po përkeqësohej me ditë dhe e bënte të pamundur të ruhej kjo familje, apo të lihej fëmija të jetonte me ta...
Sidoqoftë, ky dokumentar tepër i rëndë, me ndërthurje emocionale u bë shkak për një diskutim të gjerë etik e social të situatave të ngjashme apo në përgjithësi të fëmijëve me prindër të ndarë apo të lindur në rrethana delikate jashtëmartesore...
 
Gazetaria narrative e shkruar, në planin emocional, jo patjetër, shfaq karakterin e saj "pushtues", siç mund të arrihet me atë televizive (pamore). Informacioni dhe në shtyp mund të jepet në detaje nëpërmjet narracionit dhe të identifikohet drejt. Por, ama, të mos harrojmë se aty detajet janë dhënë me fjalë, pa artikulim zanor e gjeste trupore, pa mimikë, pa gëzim ose dhimbje të mishëruar në një lëvizje të fotografuar. Ndërkohë, që pamjet televizive mund të bëhen lehtësisht "pushtuese". Aty fotografohet e transmetohet çdo detaj i ngjarjes apo personave të identifikuar. Por, dhe për raste të tillë, nuk mund të shmangen aspektet etikë. Dhe aty mund të shtrohet një pyetje me karakter të pastër moral-etik: A duhet të vihet në dijeni personi konkret (apo grupi i personave) që po bëhet (bëhen) një "study case"? Por kur ky person nuk e realizon një gjë të tillë? A duhet në këto raste që kamera televizive të depërtojë ashpër e "pa teklif" në jetën e tij dhe më tej ta bëj atë publike?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje në planin gazetaresk, moral e etik, edhe pse disa prej këtyre personave mund të jenë plotësisht dakord për këtë "invazion të brendshëm" të kamerave, sepse ata i tundon thjesht tërheqja e vëmendjes së të tjerëve. Ndonjëherë, disa "protagonistë" të tillë mund të kuptojnë "lojën" që i bëhet dhe mund të tërhiqen vetëm në çastin e fundit. Kjo duhet analizuar me kujdes, aq më tepër që edhe tek ne janë manifestuar "case study", sidomos për disa personazhe të veçantë në emisionet e ndjekura të A. Çanit, që në një mënyrë apo tjetrën, përkundrejt dëshirës për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, zhveshin përpara publikut të gjerë situata vetjake të pakëndshme. Në një mënyrë apo tjetrën, një gjë e tillë mund të lexohet dhe si një "shfrytëzim" i pavetëdijshëm i këtyre individëve!...
Sidoqoftë, duhet të ishte fare normale që situata dhe çështje të tilla etike-morale të diskutohen në organizmat e etikës së vetë gazetarëve, për të përcaktuar pozicione sa më njerëzore. Nëse këto komisione etike nuk ekzistojnë, ata duhen ndërtuar sa më shpejt, për të shmangur deformimet e deritanishme, që nuk janë të vogla në një plan të mirëfilltë etik. Një shembull pozitiv është ai i gazetës "Shekulli", ku funksionon një strukturë e tillë për etikën.
 
Nuk mohohet se ndryshe nga emisione ekzistuese (përveç lajmeve), ku informacioni jepet krejt i shkëputur nga gazetaria narrative, kjo e fundit shfaq epërsi në komunikim dhe në ndjekje. Ajo krijon kuptim, duke mundësuar një sistem autentik referimi, që mund të arrijë deri në një nivel emocional transmetimi. Për këtë arsye, sidomos sot, në vrullëzimin aktual të informacionit të gjithanshëm, modeli narrativ kërkon rritjen e vëmendjes dhe përparësisë edhe në gazetarinë tonë. Aq më e rëndësishme dhe specifike bëhet kjo për çështje që kërkojnë zgjidhje humane, që ndihmojnë në rritjen e shkallës së kohezionit qytetar apo përmirësimin e kapitalit social. Por, ama, nuk mund të ecet më shpejt përpara në gazetarinë narrative e identifikuese pa një pjekuri profesionale në rritje dhe kompromis etik me vetveten nga të gjithë gazetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›