E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më mirë i fundit nëpër botë apo i parë në Shqipëri?

 Magdalena Alla

Po lajmërohet si dukuri kthimi i emigrantëve shqiptarë përfundimisht në shtëpi. Edhe zëra institucionalë për shtim të të kthyerve në atdhe, por pa shifra të sakta, si gjithmonë. Por një tendencë e tillë në rritje përkapet nga gjithsecili prej nesh, duke dëgjuar biseda sa andej-këtej, që tregojnë raste që shtohen e shtohen. E sidomos me të zhgënjyer prej Greqisë dhe Italisë, vendet më në krizë të Eurozonës dhe me përqendrimin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Do të ishte gazeta greke Ekathimerini që në shtator të 2011-ës raportoi një shifër: Rreth 10% e emigrantëve shqiptarë të Greqisë janë kthyer në atdheun e tyre gjatë 5 vjetëve të fundit. Por ka të kthyer edhe nga ShBA, Kanada e ngado nëpër botë ku ka shqiptarë. Kthime vështirë për tu matur saktësisht, por që e mbartin një domethënie. Dëgjohen emigrantë shqiptarë që kthehen, që duan të kthehen, por pavarësisht kësaj më shumë duket se janë ata që as kthehen, e as duan të kthehen. Pjesa më e madhe nuk po kthehet. Edhe në një anketim që gazeta Shekulli bëri me 100 të intervistuar, emigrantë shqiptarë që jetojnë nëpër botë, nëpërmjet profileve të tyre në facebook, del përafërsisht ajo matje më sipër që ka bërë gazeta greke. Vetëm 1/10 e tyre mendon seriozisht rikthimin.

Po përse nuk po kthehen, edhe pas njëzet vjetësh ndryshime në Shqipëri, edhe pse kriza botërore ka kapluar gjithandej e po rrënon ekonominë dhe standardet, sidomos të vendeve fqinje ku janë përqendruar më së shumti emigrantët shqiptarë?

Pse nuk kthehen së paku në Tiranë, meqë kryeqyteti është shndërruar në modelin më të mirë të zhvillimit të sotshëm shqiptar? Qendra ku mund të  përqendronin shtëpinë, familjen, punën, shkollimin apo biznesin vetjak, argëtimin mjaft emigrantë shqiptarë, që së paku standardin më të mirë të vendit të tyre mund ta gjenin në Tiranë?

Më poshtë janë shkëputur opinionet e dhjetë emigrantëve shqiptarë të moshave, profesioneve, gjinive dhe vendbanimeve të ndryshme nëpër botë. Nëntë prej tyre nuk pranojnë ti lënë vendet ku kanë emigruar për shkak të standardeve më të larta që kanë atje, edhe pse në krizë, e që nuk mund ti gjejnë ende në atdheun për të cilin thuhet se balta është më e ëmbël se mjalta. Vetëm njëri prej tyre, gazetari Fatos Mahmutaj, azilanti në Bruksel i pas 21 janarit, mezi pret të rikthehet në Shqipëri, nëse do të rrëzohet qeveria aktuale.

Natasha Bedaj, Athinë, Greqi

Mosha: 45 vjeç

Profesioni: shitëse lulesh

Vendlindja: Vlorë

Vendbanimi: Athinë, Greqi

Kam shumë vite dhe këtu e kam ngritur jetën, shoqërinë dhe punën. Kam shumë nostalgji dhe mall për vendin, por se në mund të isha më mirë apo më keq aty. Por me këto përpjekje që kam bërë, besoj se po. Dhe diçka tjetër: për kaq përpjekje që kam bërë këtu, po të isha në një vend evropian tjetër mund të isha dhe më mirë akoma. Kjo varet dha nga mbështetja e shtetit tonë për emigrantët kudo në botë. Standardi është më i lartë, këtu, kuptohet. Por ajri, trafiku, edukata, janë shumë elementë, detaje dhe varet sa të rëndësishme janë për ty.

Ti merrja ca gjëra me vete që këtej në Shqipëri do ishte akoma më mirë.

Marsela Bozhani – Ravenna, Itali

Mosha: 36 vjeç

Profesioni: punëtore

Vendlindja: Vlorë, Shqipëri

Venbanimi: Ravenna, Itali

Në Shqipëri nuk ma ha mendja të kthehem tani për tani. Jemi mësuar me këtë jetë këtej. Fëmijët janë ende duke bërë shkollën. Atje nuk di nga tia filloj po vajta.

Standard ii jetesës ka rënë shumë dhe këtu. Është rritur vlera e benzinës, punë nuk ka si më parë. Na qan zemra për Shqipërinë, por atje ske liri, ske mundësi për një punë stabël. Ligji atje nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe ka shumë dallime mes njerëzve. Edhe Italia ka probleme, port ë paktën për dokumenta, për shkollat e fëmijëve, për rregullat e punës nuk janë keq.

Masar Dogani – Aargau, Zvicër

Mosha: 47 vjeç

Profesioni: drejtor arti

Vendlindja: Kosovë

Vendbanimi: Baselaugst, Aargau, Zvicër

Për momentin gjendem në emigrim, Zvicër. Nuk e shoh të arsyeshme të kthehem deri në rregullimin e situatës që po mbretëron në Kosovë. Shqipëria mendoj se është në tërësi pak më mirë se Kosova, por dhe Shqipërisë i duhen disa ndryshime. Do ende edhe pak kohë të arrijë disa standarde.

Vasil Bardhi – Athinë, Greqi

Mosha: 35 vjeç

Profesioni: punëtor ndërtimi

Vendlindja: Librazhd

Vendbanimi: Athinë, Greqi

Duam të kthehemi. Nuk ia vlen të rrish më këtu, me këtë krizë që ka zënë Greqinë, po ku të shkosh se? Dhe në atdhe druaj a do të gjej punë dhe nuk ndiej siguri për të ardhmen e fëmijëve. Më shumë anoj nga kthimi, por prapë në dilemë jam.

Leonard Toma – Toskana, Itali

Mosha: 48 vjeç

Profesioni: artist

Vendlindja: Tiranë

Vendbanimi: Rosignano Solvay, Toscana, Italy

Mentaliteti ka ndryshim të madh. Për atë që ka kaluar mbi dhjetë vjet në një vend tjetër të kthehet në Shqipëri përbën traumë. Nga çdëgjoj nga miqtë e mi atjeDomethënë emigrant nëpër botë, emigrant në Shqipëri! E mban mend atë këngën sdi si me ia bërë?

Në Tiranë, kam dëgjuar se po ta shoqërojë një komshi (mashkull) deri në Rinas komshien (femër) të nesërmen edhe meshkujt, edhe femrat do ti vënë diçiturën: “Aha, e hëngri ajo!”. Domethënë presion, presion dhe thashetheme. Në Tiranë shkoj shpesh dhe këto janë lajme reale. E varet pastaj se sa i fortë është njeriu, kur presioni shtyp enët e mendimeve e veprimeve të tij.

Dhurata Lilaj-Koellner – Bremen, Gjermani

Mosha: 35 vjeç

Profesioni: Punonjëse sociale

Vendlindja: Poliçan

Vendbanimi: Bremen, Gjermani

Ia vlen më mirë të rrish në Gjermani për mendimin tim, sepse cilësia e jetës është shumë më e lartë se sa në Shqipëri. Siguria është shumë më e lartë, sepse minimumi i ekzistencës është i garantuar nga shteti. Mentaliteti dhe mënyra e sjelljes me njëri-tjetrin është më e përparuar se sa në Shqipëri dhe kjo nuk është gjë e vogël, pasi të krijon shëndet mendor dhe mirëqenie në çdo fushë të jetës.

Vilma Koçllari – Detroit, ShBA

Mosha: 24 vjeç

Profesioni: Studente

Vendlindja: Maliq, Korçë

Vendbanimi: Detroit, SHBA

Po t’ia vlente do isha kthyer. Por edhe ndoshta dëshira nuk ka qenë e koordinuar me mundësitë e momentit dhe si pasojë përfundimi mbetet i njëjtë. Për sa i përket arsyes, pjesa tjetër e përgjigjes qëndron në realitetin e themelit që unë po ndëtoj me studimet dhe paralelisht me punën time këtu dhe për mua është më e qëndrueshme për momentin. Plus dhe standardi i jetës as që krahasohet me Shqipërinë. Nuk di ku ta filloj; njerëzit, kultura, ligjet e rregullsisë qytetare, komunikimi profesional, vlera e privatësisë vetjake dhe pa dyshim edhe pastërtia e qytetit.

Adolon

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›