E Diel, 1 Nëntor 2026

Votohen rekomandimet e grave deputete

(E plotësuar) Gratë deputete gjatë debatit të sotëm në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar më shumë të drejta për gruan dhe që t’u jepet fund shkeljeve të të drejtave të kësaj kategorie siç ka ndodhur deri më sot.

Gjithashtu, është kërkuar që institucionet e vendit të ngritin zërin më shumë për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në vend.

Grupi i Grave Deputete (GGD), kanë nxjerrë disa rekomandime të cilat me disa ndryshime janë votuar me shumicë votash nga deputetët.

Me 54 për, 1 kundër dhe asnjë abstenim janë votuar rekomandimet me ndryshime.

Deputetët kërkojnë më shumë të drejta për gratë

Gratë deputete gjatë debatit të sotëm në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar më shumë të drejta për gruan dhe t’u jepet shkeljeve të të drejtave të kësaj kategorie siç ka ndodhur deri më sot. Gjithashtu, është kërkuar që institucionet e vendit të ngrisin zërin më shumë për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në vend.

Grupi i Grave Deputete (GGD), kanë nxjerrë disa rekomandime të cilat më pas pritet të votohen.

Në fillim të seancës, kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ua ka uruar 8 marsin të gjitha grave.

Teuta Sahatçija, kryetare e Grupit të Grave Deputete, ka thënë se ky grup ka kërkuar seancë të veçantë, jo seancë festive, jo solemne, por seancë ku do të debatohet për pozitën e gruas.

Thirrjen e kësaj seance e kanë bërë 44 nënshkrime të deptutetëve, ku 28 nënshkrues janë burra e 16 gra. Sahatçija ka thënë se kërkesa do të fokusohet në qasjen e gruas në drejtësi, fuqizimin ekonomik të saj dhe një pasqyrë reale të fuqizimit të gruas në shoqëri.

Ajo ka thënë se ky mentalitet pengon të flitet për gratë të cilat kanë qenë viktima gjatë luftës, duke shtuar se ky mentalitet duhet të ndërrohet.

“Ky mentalitet i praptë pengon të flitet për gratë e dhunuara që janë viktimat më të dhimbshme. Çdo burrë, me krenari, tregon për plagët që i ka marrë gjatë luftës, por nuk duron për këto gra që i kanë marrë në trup dhe shpirt të cilat nuk shërohen. Për këto gra pa zë duhet të flasim ne gratë dhe burrat dhe të bëjmë zgjidhje, sepse atyre u kemi borxh”, ka theksuar Sahatçija.

Nga ana tjetër deputetja, Blerta Deliu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se për të aderuar në Bashkimin Evropian, Kosova duhet të përmbushë edhe kriterin gjinor. Sipas saj, raporti i sivjtëm i Progresit thotë se Kosova ka shënuar progres në këtë drejtim.

Deliu ka shtuar se institucionet kanë bërë përpjekje të pa rreshtura në arritjen e barazisë gjinore dhe se Grupi Parlamentar i PDK-së e përkrah debatin dhe inkurjon institucionet në angazhimin e tyre.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se të drejtat e gruas janë fundamentale për zhvillimin e një shoqërie, duke e ditur faktin se gruaja nuk duhet të shikohet si numër, por si vlerë.

Beqiri ka shtuar se është e padiskutueshme që sot në Kosovë, me gjithë avancimet, ka shumë hapësirë që gruaja të fuqizohet dhe të ketë më shumë hapësirën në institucione të ndryshme.

Për më tepër, ai ka shtuar se raporte të ndryshme tregojnë se gruaja në menaxhim është më pak e korruptuar se sa burrat.

“Është shumë e qartë për opinionin se gratë në menaxhimin kanë treguar se janë shumë më të suksesshme dhe të afta dhe thënë sinqerisht janë shumë më pak të korruptuara. Tregojnë se në raport me gjininë tjetër janë shumë më të kujdesshme dhe sot kemi shumë më pak raste kur gruaja në cilindo institucion që punon hetohet për dukuri të tilla. Andaj duke i parë këto vlera ne duhet të krijojmë sa më tepër hapësirë”, ka thënë Beqiri.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama ka thënë se ajo që i rëndon më së shumti, është se gratë e dhunuara nuk e kanë gjetur mbështetjen e institucioneve të Kosovës.

Për më tepër ajo ka shtuar se është koha që krerët e institucioneve të dalin në ndihmë grave të dhunuara gjatë luftës së fundit.

“Krerët e kësaj politike partiarkale nuk u kujtuan të dalin të flasin për sakrificën e grave… Është koha që ky parlament të njohë kontributin e gruas në luftë… Në emrin tim dhe Lëvizjes Vetëvendosjes kërkoj nga parlamenti dhe Qeveria të mbështesin në mënyrë publike dhe institucionale gratë e dhunuara gjatë luftës”, ka thënë Lama.

Sipas saj, Qeveria duhet të ngrejë me prioritet këtë çështje dhe Serbia të pranojë se kanë ndodhur dhunime gjatë luftës. Gjithashtu, ajo ka kërkuar që gratë e dhunuara gjatë luftës të përfshihen në listën e veteranëve të luftës.

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se fokusi ynë duhet të jetë në realizimin e të drejtës së gruas në shoqëri në barazinë që duhet të krijohet. Sipas tij, kjo bëhet me ligje me kushtetutë dhe akte më të larta të vendit.

Kryeparlamentari, Jakupi Krasniqi, ka thënë se ka dokumente të cilat flasin për të drejtat e gruas, por, sipas tij, problemi më i madh është se a zbatohen ato.

Ai ka thënë se GGD kërkon më shumë të drejta për gratë dhe jo privilegje, por, sipas tij, kjo çështje duhet të fillohet nga edukimi në familje.

“Jam i bindur se kërkesa e GGD-së nuk është kërkesë për privilegje të gruas në shoqëri, por kërkesë për një trajtim të barabartë në gjithë jetën shoqërore dhe politike në Kosovë. Dhe nga duhet t’ia nisim që vërtetë gruaja të jetë e barabartë në shoqëri, të ketë trajtim dhe qasje të barabartë. Konsideroj se duhet filluar nga edukimi në familje që ndoshta, nuk mund të bëhet shumë, por duhet të shikojmë se cili është roli i shkollës, edukimit dhe arsimit në këtë rast”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka pohuar se kjo shoqëri vuan edhe nga dhuna në familje dhe sistemi i drejtësisë duhet të bëjë diçka më tepër për të ndryshuar qasjen e shoqërisë dhe neve si individ.

Grup i Grave Deputete ka hartuar disa rekomandime: Të gjitha ligjet që draftohen të trajtohen nga perspektiva gjinore. Forcimi dhe rritja e efikasitetit të punëve përmes mekanizmave gjyqësore për të implementuar të drejtat e gruas, të trajtohen me ligj rastet e dhunimit të gruas, në dialog me Serbinë të jetë edhe kjo kjo çështje (dhunimet), të përshpejtohen procedurat gjyqësore për dhunën në familje, sidomos dhunës ndaj gruas, të drejtat për punë, trashëgimi e drejtësi.

Zbatimin e ligjit për barazi gjinore, të bëhet më tepër për zbatimin e rezolutës 13. 25 për përfshirjen e gruas në politikëbërje, të punohet për strehimoret dhe ushtruesi i dhunës të largohet nga shtëpia e jo viktima. Të bëhet përkrahja e afarizmit të grave përmes politikave që fuqizojnë ekonomikisht gratë, të hartohet strategjia kombëtare për gratë në biznes. Në universitet të hartohen korikuluma për gratë, të rritet partneriteti publiko-privat, prezenca e grave në bordet e ndërmarrjeve publike dhe të bëhet platforma për menaxhimin e rritjes së fëmijëve. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›