Më n’fund kuqezi
Dita e premte ishte e veçantë për Mërgim Mavrajn. Mbrojtësi kosovar ka shkelur tokën shqiptare, ku hiq më larg se para dy viteve nga shumë tifozë u quajt tradhtar, pasi nuk u ishte përgjigjur pozitivisht ftesave të Kombëtares shqiptare.
Anëtari i ekipit gjerman Greuther Furth fillimisht më 2006 e më pas edhe në vitin 2010 kishte hezituar ta veshë fanellën kuqezi, edhe pse kishte marrë ftesë nga ish selektorët e Shqipërisë, Otto Bariç e Josip Kuze.
Por, e treta ishte e vërteta. 25 vjeçari pranoi ftesën e trajnerit italian Gianni de Biasi, që t’i bashkohet ekipit kuqezi për dy ndeshjet miqësore kundër Katarit, që do të luhet më 22 maj dhe Iranit, që do të zhvillohet katër ditë më vonë.
Tani mbrojtësi me prejardhje nga Istogu, i cili qysh në vitin 2006 ishe pajisur me pasaportë shqiptare, ndihet rehat që më në fund po e vesh fanellën kuqezi.
“E ndiej veten shumë të lumtur që i jam bashkuar Kombëtares, gjithashtu ky është edhe një çlirim për mua. Është privilegj me vesh fanellën kuq e zi”, ka thënë fillimisht Mavraj për Express.
Mbrojtësi shtatlartë është i vetëdijshëm se dy ndeshjet miqësore kundër Katarit dhe Iranit do të jenë një sprovë për të ardhmen e tij në ekipin kuqezi.
Megjithëkëtë, Mavraj beson se do të lë përshtypje të mira gjatë këtij grumbullimi dhe do ta bind trajnerin De Biasi që ta ftojë sërish në ekipin kuqezi.
“Se a do të ftohem edhe herëve të tjera në Kombëtare, ajo varet nga unë. Tani topi është te unë. Mua më mbetet ta tregoj veten duke luajtur mirë dhe duke e dhënë maksimumin. Normalisht shpresoj që do ftohem edhe për ndeshjet tjera”, ka theksuar Mavraj.
Ish mbrojtësi i ekipeve gjermane Darmstadt dhe Bochum nuk ka dashur të flasë për rezultatet e kaluara të ekipit kuqezi dhe mangësitë që ka pasur kjo skuadër në repartin defanziv.
Ndërsa, sa u përket kualifikimeve për kampionatin botëror ‘Brazili 2014’, Mavraj është optimist e kuqezinjtë mund të synojnë vendin e parë në Grupin E, ku përveç Shqipërisë janë edhe Norvegjia, Zvicra, Qiproja, Sllovenia dhe Islanda.
“Gjasa për kualifikim ka gjithmonë nëse të gjithë punojnë për të njëjtin destinacion. Vetëm një repart nëse nuk funksionon qysh duhet, atëherë gjithçka bëhet e vështirë për të arritur deri te suksesi pa marrë parasysh se kundër cilit ekip luajmë”, ka përfunduar Mavraj i cili në vitin 2007 kishte luajtur një ndeshje për përfaqësuesen U21 të Gjermanisë.
Brahimi: Ftesa nga Kombëtarja A, si në ëndërr
Gianni de Biasi në ekipin kuqezi për dy ndeshjet miqësore kundër Katarit dhe Iranit ka ftuar edhe mesfushorin kosovar të Grasshoppersit, Mërgim Brahimin, i cili deri më tani është aktivizuar me ekipin U21 të Shqipërisë.
19 vjeçari, i cili do t’i mungojë Shqipërisë në ndeshjen kundër Katarit, është shumë i lumtur që ka marrë ftesën nga përfaqësuesja A, të cilën e kishte ëndërruar që nga fëmijëria.
“Grasshoppers nuk më ka dhënë leje që t’i bashkohem menjëherë Kombëtares pasi kemi ndeshje në kampionat. Unë do t’i bashkohem Shqipërisë në Stamboll për takimin me Iranin. Ftesa t’i bashkohem ekipit A po më duket si në ëndërr, pasi këtë e kam pritur që prej kur luaj futboll. Unë do ta jap maksimumin dhe tani i mbetet trajnerit se a do të më ftojë për ndeshjet tjera”, ka deklaruar Barhimi për Express.
Berisha: Unë ose Ujkani
Ndërkohë, ekipit kuqezi në ndeshjen kundër Iranit, që do të zhvillohet më 27 maj në Stamboll, për herë të parë do t’i bashkohet edhe portieri kosovar Etrit Berisha.
Gardiani i ekipit suedez Kalmar u ka thënë medieve suedeze se ai dhe Ujkani do të jenë kandidatët kryesorë për t’u bërë numri një i Shqipërisë në të ardhmen.
“Unë e di se Shqipëria ka një portier të talentuar, i cili luan në Serinë A, por ai është i lënduar dhe nuk do të luajë kundër Katarit dhe Iranit. Mendoj ne të dy do të konkurrojmë për një vend titullar në ekip”, ka thënë ish portieri i 2 Korrikut për ueb faqen www.barometern.se
Aktualisht fanellën e Shqipërisë e bartin: Samir Ujkani, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, derisa pas një pauze ekipit pritet t’i bashkohet edhe Besart Berisha.