E Diel, 1 Nëntor 2026

Më parate e legalizimeve, kompensim ish-pronarëve

Autori i Lajmit: Silvana BalliuKëshillit i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRTRSH) në mbledhjen e djeshme miratoi legalizimin e 65 zonave informale, të shtrira në 8 qarqet kryesore të vendit: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Sarandë, etj.
Mbledhja e djeshme mori në shqyrtim miratimin e kufijve të 65 zonave, në 8 qarqe, të cilat përfshijnë një sipërfaqe prej rreth 8.000 hektarësh, me 8000 banesa për mbi 74 mijë familje dhe 310 mijë banorë.
Deklarata e Berishës
Në këtë mbledhje mbajti fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha, i cili duke folur për formalizimin e zonave informale, u shpreh se "sot shqyrtohet një problem, që është kryefjala e miratimit të kufijve të zonave informale, si një vendim përcaktues për problemet e legalizimit. Duke folur për rëndësinë e legalizimit, mes të tjerave, Kryeministri Berisha, theksoi se me këtë proces, hyn në një treg një kapital i ngrirë deri tani, me vlerë 2 miliardë USD. Ai përshëndeti punën e shkëlqyer të ALUIZNI-t me fotografimin e hartës dixhitale të territorit të zonave informale, si një proçes që do të ecë me shpejtësi dhe saktësim të plotë. Duke u ndalur në përshpejtimin e proçesit të legalizimeve, i cili u pengua nga zgjedhjet lokale dhe konstituimi i ngadaltë i këshillave të qarqeve, Kryeministri Sali Berisha kërkoi të njëjtin angazhim edhe për legalizimin e shpejtë edhe të 50 zonave të tjera informale.
Gati edhe 50 zona
"Së shpejti, brenda muajit nëntor, do të vijnë në sekretarinë e KRTRSH-së dokumentacionet edhe për 50 zonat e tjera", tha Kryeministri Berisha, duke kërkuar shpejtësi të proçesit, sikurse ndodhi me proçesin e privatizimit në 8 muaj të 250 mijë apartamenteve në vitin 1992. Kryeministri Berisha kërkoi angazhimin e ALUIZNI-t dhe ministrisë së Punëve Publike për shpejtimin e amendimeve që i duhen bërë ligjit për Legalizimet, pasi vihen re burokraci të panevojshme, ku nuk përcaktohen penalitetet përkatëse. Kryeministri Sali Berisha kërkoi që në këto amendime ligjore, të përcaktohen sanksione të qarta, pasi ata që kanë zënë pronën e tjetrit, duhet të përgjigjen me afate kohore për pagimin e tarifave të legalizimit. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal edhe në proçesin e urbanizimit, i cili nuk duhet të zgjatet me përfundimin e proçesit të legalizimit. Duke kërkuar shpejtim të procesit, Kryeministri Berisha tha se 1/3-ta e ndërtimeve ilegale janë në pronat e të tjerëve, po aq në pronat vetjake dhe shtetërore. "E rëndësishme është që 2/3-tat e sipërfaqeve të zëna me ndërtime informale, do të përdoren për dy qëllime, për kompensimin e ish pronarëve, ku shteti vë në dispozicion një shumë jo të vogël dhe për urbanizimin e zonave informale", u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Kryetari i ALUIZNI-t, Shaban Memia, paraqiti 65 zonat informale për legalizim, me të gjithë treguesit teknikë dhe ligjorë, në Tiranë, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Durrës, etj. KRTRSH miratoi të 65 zonat informale për legalizim, duke kërkuar që të ruhen të gjitha aspektet ligjore që parashikon ky proçes. Për legalizimin e komunave të Farkës dhe Qesarakës në Tiranë, të cilat kanë planet urbanistike të miratuara nga KRTRSH, u kërkua që legalizimet e ndërtimeve informale të përshtaten me këto plane.
Ky lajm është publikuar: 27/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›