E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji, të internuarit pas vitit 1954 të paguhen me skemë pensioni

Autori i Lajmit: Red.Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, në Kuvend, mori në shqyrtim dje propozimet e paraqitura nga Komisioni i Ligjeve për projektligjin "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist". Antarët e Komisionit gjatë shqyrtimit nen për nen ranë dakort me shumicën e formulimeve të propozuara nga Komisioni i Ligjeve, ndërkohë që për disa të tjera u ra dakort që në Kuvend të shkohet me variantet e secilit komision. Ndër propozimet e paraqitura nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, janë: dëmshpërblimi të bëhet për një rreth të ngushtë familjar (prindër dhe fëmijë), të internuarit e periudhës 1944-1954 të përfitojnë një dëmshpërblim prej 1.000 lekësh dita, ndërsa ata të periudhës 1954-1.10.1991 të trajtohen me skemë pensioni. Gjithashtu, të burgosurve, të internuarit, apo të dënuarve dhe familjarëve të tyre, t u zbritet vlera e përfituar deri tani, si hyrje pallati, bono privatizimi, dëmshpërblimi financiar, etj. Projektligji synon të dëmshpërblejë kontigjentin më të ndjeshëm të ish-të persekutuarve politikë, që kanë vuajtur drejtpërdrejtë dënimin në burgjet komuniste. Objekti i tij është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe proçedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politik të cilët kanë vuajtur persekutim të drejtëpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë, të gjykatave speciale, apo të urdhërave të organeve të hetuesisë gjatë periudhës 30.11.1944-1.10.1991. Ndërsa në projektligj parashikohet:
Neni 7
Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim ne hetuesi, nga data 30. 11. 1944 deri 1.10. 1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën e 2 mijë lekë dita. Për personat, të cilët kanë vuajtur në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 mijë lekë dita. Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin e parë u takon edhe familjarëve të tij, në pjesë të barabartë takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblimin është e drejtë pasurore jovetjake.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›