DRBUMK kontroll mencave në sistemin arsimor dhe në spitale
Autori i Lajmit: Red.Inspektoriati ushqimor pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier, në bashkëpunim me inspektorët e higjienës dhe ata të veterinarisë, kanë ndërmarrë një kontroll në mencat e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Burime zyrtare nga DRBUMK thanë se "deri tani janë ushtruar kontrolle në 20 menca, ku gatuhet për fëmijët e çerdheve, kopshteve, nxënësit e shkollave dhe pacientëve të spitaleve". Objekt i kontrollit kanë qenë kushtet dhe standardet në guzhinat e institucioneve publike dhe jo publike, cilësia e gatimeve dhe produkteve të përdorura për gatim. “Parandalimi i epidemive apo helmimeve të ndryshme nga mungesa e higjienës apo përdorimit të ushqimeve jashtë standardeve ishte në fokus të këtij kontrolli të përbashkët”, nënvizuan burimet. Një rëndësi e veçantë iu kushtua kontrollit të mishit, kryesisht pajisjes së tij me çertifikatë shëndetësore. Nga kontrolli i ushtruar, theksojnë burimet, u konstatua respektimi i parmetrave higjieno-sanitarë.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2007