E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Tiranë, vendosën qytetarët, jo politikanët

06-07-2011 / Gazeta 55

Në emër të PD-së, Jorida Tabaku u përgjigjet presioneve të Edi Ramës, ndaj Kolegjit Zgjedhor

Partia Demokratike e cilësoi presion ndaj institucioneve të pavarura deklaratën e djeshme të kryesocialistit Edi Rama, i cili apeloi që Kolegji Zgjedhor të vendosë drejtësi për Tiranën. “Edhe sot (dje) Edi Rama vazhdoi avazin e tij te vjetër. 24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin në lidhje me kërkesën që ai vetë ka bërë, Edi Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron. Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura, është i papranueshëm dhe tregon qartë se është Edi Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin”. Kështu u shpreh dje në një deklaratë për mediat përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Sipas saj, Rama ka mbyllur veshët dhe sytë para qytetarëve, të cilët u shprehën me zërin e tyre në zgjedhjet më të ndershme dhe më transparente të bëra ndonjëherë në Shqipëri. “Ka mbyllur sytë dhe veshët para komunitetit ndërkombëtar, të cilët vazhdimisht dhe pa asnjë mëdyshje janë shprehur se të gjithë palët duhet të presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit, dhe të respektojnë vendimin e institucioneve të pavarura”. Sipas saj, PD ka përshëndetur faktin që në kryeqytet fitoi demokracia, ku, pas një procesi ligjor dhe transparent, u dëgjua zëri i të gjithë qytetarëve dhe u numërua çdo votë. “Partia Demokratike ka përshëndetur faktin se në kryeqytet fitoi demokracia, ku, pas një procesi ligjor dhe transparent u dëgjua zëri i të gjithë qytetarëve dhe u numërua çdo vote”, u shpreh Tabaku. Ajo nënvizoi më tej se në përfundim të këtij procesi, rezultoi se më shumë qytetarë kanë vendosur që.Lulzim Basha të jetë kryebashkiaku i ardhshëm. Sipas saj në një proces demokratik, janë qytetarët ata që vendosin se kush fiton në zgjedhje dhe jo politikanët dhe axhenda e tyre personale. “Në përfundim të këtij procesi, rezultoi se më shumë qytetarë kanë vendosur që Lulzim Basha të jetë kryebashkiaku i ardhshëm. Në një proces demokratik, janë qytetarët ata që vendosin se kush fiton në zgjedhje dhe jo politikanët dhe axhenda e tyre personale”, tha ajo.
Duke drejtuar më pas pyetjet: “Përse pas numërimit të çdo vote Edi Rama kërkon të nxjerrë antikushtetuese votën e qytetarëve? Përse kërkon Edi Rama të shpallë antikushtetues zërin e qytetarëve? Përse me 14 maj Edi Rama e shpalli veten fitues me 10 vota, dhe tani që zëri i 250 mijë qytetarëve të Tiranës u dëgjua, kërkon të anulojë zgjedhjet?”. “Përgjigja është e thjeshtë. Sepse prej dy vitesh ai kërkon atë që qytetarët nuk ia japin”, përfundoi Tabaku.
Më herët kreu i PS-së, Edi Rama, më një gjuhë ultimative dhe kërcënuese, i kërkoi dje nga Kolegji Zgjedhor që të respektojë kushtetutën dhe standardet në shqyrtimin e ankimimit të socialistëve për tabelat e rezultateve për bashkinë Tiranë. “Ne presim nga Kolegji që të mos shkelë ligjin dhe të mos mbyllë sytë dhe veshët para fakteve e shifrave të një kanibalizmi elektoral që e kanë parë të gjithë”, u shpreh Rama në një deklaratë për mediat, një ditë para shqyrtimit të ankimimit të PS-së. “Kërkojmë që gjykatësit e Kolegjit të respektojnë Kushtetutën dhe të mos ligjërojnë në asnjë mënyrë rezultatin antikushtetues të KQZ-së, të respektojnë standardet ndërkombëtare të interpretuara më së mirë nga Komisioni i Venecias dhe të mos shpikin asnjë standard të amoralitetit ekstraligjor, që sundon në shtetin e kapur prej Saliut”, tha Rama. Ai kujtoi se ishte pikërisht ky Kolegj, që në zgjedhjet e 2009-s vendosi precedentë duke shpallur të pavlefshëm procesin në njësitë me probleme të njëjta si në Tiranë, ku numri i votuesve nuk përputhej me numrin e votave. Kreu i PS-së ripërsëriti deklaratën e pak ditëve më parë, duke theksuar se socialistët janë të gatshëm të rikthehen para popullit të Tiranës me një rigjykim përmes votës, pasi siç tha ai më i rëndësishëm se emri i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit është zgjidhja e krizës zgjedhore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›