“Me punu” dhe “të punosh”
I. Fetishi i dëmshëm
Tani kur po ndërtohet autostrada nga Durrësi drejt kufirit me Kosovën, kur mundësitë e komunikimit mes Tiranës dhe Prishtinës, por edhe mes qyteteve të tjera kosovare dhe shqiptare do të jenë shumë më të mëdha, do të shtohen edhe ndikimet e ndërsjella mes “trojeve tona”. Këto ndikime, në fakt, kanë filluar ngaherë, edhe në mungesë të një rruge të shpejtë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pasi regjimi kufitar është normalizuar pas përfundimit të luftës, shumë kosovarë kanë qëndruar në Shqipëri për turizëm, biznes ose për të takuar ndonjë familjar. Në fillim jo pak kosovarë shkonin në “vendin amë” dhe heshtnin, ngurronin të flisnin, sepse mendonin se bashkëkombësit e idealizuar me decenie do t’i përqeshnin për shkak të të folurës së tyre në gegërishte verilindore. Sot ka gjithnjë e më shumë kosovarë që në televizionet e zhurmshme dhe në restorantet e mrekullueshme të Tiranës pa kompleks thonë “me punu” dhe “me jetu” - dhe nuk keqkuptohen nga askush, sepse nuk ka vend për keqkuptime. Prej Elbasani e përpjetë deri në urën mbi Ibër në Mitrovicë thuhet “me punu”. Nëse ndokush ka çfarë të punojë. Në çastin kur kosovari e ka kuptuar se folja “me punu” nuk është e dënuar të ekzistojë vetëm brenda Kosovës, se ajo jeton në një hapësirë më të gjerë gjeografike - atëherë ai është çliruar nga shtangimi, nga memecëria dhe nga tuta. Fetishizimi i vetëm një varianti apo standardi gjuhësor nuk mund të jetë shtysë për shkëmbime kulturore, shkencore, ekonomike etj. Këtë fetish Kosova nuk duhet ta importojë më tutje nga Shqipëria. Për shembull, në Zvicrën gjermane ka programe shtetërore për ruajtjen e dialektit “Schwizerdütsch”, i cili ka dallime shumë më të mëdha me gjermanishten letrare se ç’kanë dy dialektet kryesore të shqipes: gegërishtja dhe toskërishtja. Industria e vogël e rok-muzikës në Zvicrën gjermane nuk do të mbijetonte, sikur këngëtarët të mos guxonin të këndonin në dialekt. Kënga e fuqishme “Amaneti i Clownit” e grupit “Troja” nuk do të bëhej kurrë kaq e popullarizuar në Kosovë sikur të këndohej në toskërisht. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë që secili prej nesh që e përdorim gjuhën për të komunikuar me lexuesit, me opinionin - në mënyrë autonome dhe arbitrare mund të vendosim dhe të krijojmë rregulla të reja, të folme të reja, gramatika të reja. Por, derisa heshtin specialistët, gjithnjë do të ketë provokatorë qëllimmirë dhe qëllimkëqij.
II. Kafka të çara
Kosova po ashtu nuk duhet ta importojë, madje duhet të mbrohet nga vërshimi i një lloj gazetarie të çoroditur, e cila tashmë prej vitesh “kultivohet” në Tiranë. Kjo fushë në Shqipëri është, në pjesën më të madhe, e korruptuar nga politika, nga interesat e biznesit (sepse pothuaj secili prej tyre ka gazetën e tij), madje është sekret publik se ndonjë televizion themelin financiar e ka shtruar me pará të krimit të organizuar ose të pushtetit të korruptuar. Në shtypin e Kosovës është tejkaluar gjuha ekstreme denigruese e shoqëruar me fyerje personale, familjare dhe fisnore. Këtu, natyrisht, fjala është për mediet serioze në Kosovë. Jo për fletushka në shërbim të pushtetit, të opozitës apo të tarafeve që luftojnë për interesa të ngushta dhe të cilat si model orientimi kanë gazetarinë e Tiranës. Sidoqoftë, edhe në gazetën më të keqe të Kosovës nuk mund të lexosh thirrje që një gazetari “t’i çahet kafka”, siç ndodhi së fundi në një gazetë të Tiranës. Për të kuptuar gjendjen e medieve në Shqipëri mjafton të lexosh një letër që Mihal Delijorgjit, njëri prej personave më të përfolur për shkaktimin e tragjedisë së Gërdecit, e botoi këto ditë te një e përditshme shqiptare. Nga burgu 313 i Tiranës, Delijorgji, mes të tjerash, shkruan: “Si ka mundësi që gazetarë e njerëz të medias, për të cilët dera e zyrës sime ka qenë gjithmonë e hapur, sot të denigrojnë emrin tim në mënyrë kaq kriminale jashtë çdo etike profesionale? Madje ndonjë prej këtyre të fundit mund të më ketë dhe pará borxh, por në vend të vlerësimit (...) janë shndërruar në kryqëzuesit abuzivë më të mëdhenj të emrit tim duke mos më kursyer as familjen”. Ndoshta vjen dita dhe Delijorgji i publikon emrat e gazetarëve që i kanë borxh atij.
III. Jargavitje publike
“Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide e jo për inate personale, për shfryrjen e të cilave janë të çelura kaq gjykatore!”, - shkruante dikur gjuhëtari i madh Eqrem Çabej. Në mediet e shtypura dhe serioze të Kosovës, për fat të mirë, ende nuk kemi lexuar jargavitje e shpifje shkrimore mbi jetën seksuale të këtij apo atij politikani. Në Shqipëri - po! Madje edhe tallje bizare. Rreziku, megjithatë, ekziston edhe në Kosovë. Shenjat e para të këtij rreziku tashmë shihen, kur, për shembull, në ueb-faqet e gazetave “lexuesit”, duke shfrytëzuar anonimitetin e internetit dhe me lejen e redaksisë përkatëse mund të postojnë “komentet” e tyre, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me tekstin e botuar në gazetë, por merren me fyerje personale, denigrime, shpifje, nganjëherë me nuhatje në jetën private të personaliteteve publike. Kjo është metodë e shërbimeve sekrete të stilit sovjetik. Gjithsesi, Kosova duhet të mbrohet edhe nga leksiondhënësit e gazetarisë nga Tirana, të cilët duan të na shesin mend në mes të Prishtinës mbi standardet profesionale dhe etike. Hiç pa modesti mund të themi se në fushën e gazetarisë Kosova ka një traditë të qëndrueshme për dallim nga Shqipëria. Gjer më sot e vetmja gazetë në gjuhën shqipe që ka pasur tirazhin më të madh, numrin më të madh të korrespondentëve dhe një cilësi të dallueshme ka qenë e përditshmja “Rilindja” e Prishtinës, e cila për fat të keq u varros, por roli i saj iluminist nuk duhet të harrohet. Madje vetë krerët e Partisë së Punës në Shqipëri, si Ramiz Alia në fillim të viteve ’90, e kanë pranuar se burim informacioni kanë pasur gazetën “Rilindja”. Tani traditën relativisht të mirë të gazetarisë në Kosovë - traditë që edhe në vitet ‘90 e vazhduan revistat javore “Koha” dhe “Zëri”, si dhe kjo gazetë që po e mbani në duar (“Koha Ditore” - shën. red) - po provojnë ta zbehin edhe disa leksiondhënës publicistikë nga Tirana. Këta tashmë i kanë mbjellë fidanët e tyre gazetareskë në Prishtinë, të cilët po vaditen dhe po rriten çdo ditë, natyrisht falë ryshfetit qeveritar ose favoreve të tjera.
IV. Pazari politik
Gjithashtu, Kosova nga pazari politik në Shqipëri nuk duhet të blejë apo kopjojë manipulimin e zgjedhjeve, shitblerjen e deputetëve dhe votës, kërcënimet, akuzat pa mbështetje, nepotizmin, sulmet personale, hallakamat në parlament, vërsuljet, polarizimin e skajshëm, polemikat groteske, gjuhën plot helm. E, sidomos, Kosova nuk duhet të blejë assesi metodën e vrasjes së deputetëve. Pastaj keqpërdorimin e foltores së parlamentit për të shpotitur oponentin politik, duke aluduar se e ka motrën prostitutë! Nuk duhet të blejë as mënyrën e poshtërimit të pushtetarëve, siç po ndodh në Shqipëri, kur në emër të kritikës legjitime dhe lirisë së fjalës kryeministri shpallet gjakpirës, kriminel ose grykës, ose bëhen aludime mbi jetën e tij seksuale. E tmerrshme është kjo! Po ka edhe më zi. A nuk është, për shembull, marrëzi kontinentale që në Shqipëri që nga rrëzimi i regjimit komunist para gati dy decenieve asnjë palë zgjedhje nuk janë cilësuar nga vëzhguesit si plotësisht të lira dhe në përputhje me standardet evropiane? A nuk është marrëzi që Shqipëria tani shprehu rezerva ndaj emërimit të diplomates britanike, Audrey Glover, si udhëheqëse e misionit vëzhgues të OSBE në zgjedhjet e 28 qershorit? Glover ka qenë shefe e vëzhguesve në zgjedhjet e turpshme të vitit 1996, të cilat ajo atëbotë i kishte kritikuar ashpër. Vërtet është e turpshme që një vendi anëtar të NATO-s, siç është tashmë Shqipëria, Komisioni i Bashkimit Evropian detyrohet t’i bëjë thirrje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Thua se kjo nuk do duhej të ishte e vetëkuptueshme.
V. Ekonomia
Para se të bëhet vonë në Kosovë duhet të parandalohet plaçkitja e resurseve të vendit, të cilat duhet të ruhen nga secila qeveri dhe të shfrytëzohen në të mirën e përgjithshme. Në Shqipëri që nga rënia e komunizmit viktima më e madhe është natyra me të gjitha resurset e saj. Janë prerë aq shumë drunj, sa tani Shqipëria as nuk mund të quhet “vend i shqipeve”, sepse shqiponjat nuk kanë lisa për të ndërtuar foletë e tyre. Në bregdet janë ndërtuar aq shumë objekte monstruoze dhe pa asnjë plan urbanistik, saqë Durrësi sot i ngjan Rripit të Gazës. Tani i ka ardhur radha shitjes së bregdetit. Në mediet shqiptare çdo ditë mund të gjenden njoftime për skandale që ndërlidhen me shitjen e tokave buzë detit, për privatizime arbitrare, për investime të biznesmenëve të dyshimtë. Dufi i opozitës shqiptare kundër kësaj dukurie shpesh është qesharak, sepse zi e më zi ka qenë edhe në kohën kur ajo ka qenë në pushtet. Disa nga këto mbrapshti shihen sidomos kohëve të fundit edhe në Kosovë: papërgjegjësi në menaxhimin e resurseve, nepotizëm (mjafton të kesh “diplomën” përkatëse rajonale dhe do të shpërblehesh me post fitimprurës), vokabular i helmatisur, kriminalizim i kundërshtarit politik pa paraqitur fakte, fryrje e thashethemeve dhe muhabeteve të odave dhe kafehaneve. Autostrada Durrës-Kukës (derisa kjo rrugë të shtrohet deri në Prishtinë, do të kalojnë shumë vite), gjithsesi do t’i afrojë shqiptarët - pra, është një shans historik i mirëpritur nga çdo shqiptar që synon integrimet evropiane. Por kjo autostradë nuk duhet të jetë një rrugë, përmes së cilës në mënyrë të ndërsjellë të shkarkohet bërllok kulturor, siç po ndodh tani nëpër shtigjet gjarpërore që shpien nga Tirana në Prishtinë.