Përsëri me zonjën Ledi Shamku alias Enkelejda Shkreli
Duke lexuar replikën e zonjës Ledi Shamku - Shkreli, me titull “Rrudhja e shkërbejve të shenjtë”, botuar në gazetën “TemA”, datë 3 maj 2009, faqet 8-9, me të cilën i përgjigjet shkrimit tim kritik me titull “Ledi Shamku dhe Formula e Pagëzimit”, botuar më 26 prill 2009 në po këtë gazetë në faqet 8-9, m’u kujtuan fjalët e një burri të mençur drejtuar një kritiku të tij, i cili e qortonte për një varg gabimesh. “Nuk jam dakord se kam kryer shumë gabime, - iu përgjigj burri i urtë, - kam kryer vetëm një gabim: që nuk u korrigjova në gabimin e parë, sepse nga moskorrigjimi i gabimit të parë rrodhi gabimi i dytë dhe nga moskorrigjimi i të dytit bëra të tretin e kështu me radhë”.
Në artikullin tim me titull “Ledi Shamku dhe Formula e Pagëzimit” (26 prill 2009) unë e “qortoja” zonjën e nderuar në tri çështje: e para, përse e quan manipulim faksimilen e letërqarkores së Pal Engjëllit, kurse në të vërtetë ajo është një bashkim teknik i dy faqeve të Kodeksit që flasin për Formulën e Pagëzimit të kombinuara, jo nga Lumo Skëndo, siç thotë ajo, por nga linguisti frëng, Mario Roques; e dyta, përse nuk njofton se Kodeksin e Pal Engjëllit të shekullit XV, që ruhet në Bibliotekën Laurentiana të Firences (Itali) e kanë trajtuar gjerësisht të tjerë para saj dhe se ajo nuk sjell ndonjë gjë të re, përveç pretendimit se ajo paska zbuluar se kopja ndodhet në vendin tonë; e treta, përse e injoron faktin se letërqarkoren e Pal Engjëllit e ka botuar të plotë për të parën herë në vitin 2005 në origjinalin latinisht dhe në përkthimin shqip një studiues i ri shqiptar, Fatjon Balliu. Njoftoja se kjo nuk e nderon zonjën Shamku, aq më tepër që ajo ka riprodhuar vetëm pesë nga pesëmbëdhjetë faqet që ka letërqarkorja e Kodeksit, kurse në vend të përkthimit ka botuar një përmbledhje, të cilën e ka huazuar nga të tjerët. Shtoja më në fund se, për të mos e fyer më rëndë zonjën Shamku, nuk po ndalesha te gafat e saj, të cilat për politesë i quaja çikërrima, kurse në të vërtetë, siç do të shohim, janë gafa të rënda, të pafalshme për një gjuhëtare, që pretendon se është shkencëtare.
Zonja Shamku pa dyshim është prekur thellë në sedër nga qortimet e mia. Ajo është prekur aq thellë, sa, e paçliruar ende nga mentaliteti kanunor i malësive të veriut, shfryn me “hakmarrje”, duke më quajtur mua një “shkërbe”, në latinisht “monstro”, pra po të përdor shpjegimin që jep “Fjalori i Gjuhës Shqipe” (botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë), “shkërbe”, fjalë krahinore, do të thotë bishë, madje përbindësh. Vitin që vjen mbush 90 vjeç. Gjatë jetës sime kam marrë herëpashere disa “dekorata” të rralla. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, organet fashiste më quanin “komunist”. Gjatë regjimit komunist, disa qarqe puniste më quajtën “borgjez”. Pas vitit 1990, një penë e djathtë më cilësoi “gjenocidist”. Tani një penë e majtë më quan ”përbindësh”. E falënderoj zonjën Shamku që e plotësoi biografinë time me një “dekoratë” të re. E përgëzoj gjithashtu zonjën Shamku që me këtë “dekoratë” tregon respektin që ka për një historian të moshuar.
Dua t’i kujtoj zonjës Shamku se, jo me fyerjen personale, por me argumentet që ajo sjell në përgjigjet e saj, vazhdon të amplifikojë gabimin e parë. Metoda e përgjigjes së saj është tepër e njohur. Ajo kujton se e hedh poshtë qortimin tim duke më akuzuar mua personalisht në çështje që s’kanë lidhje fare me Formulën e Pagëzimit. Ajo shkruan se Kristo Frashëri është një “profesor i kohës së komunizmit”, i cili zbrazi kundër shkrimit të saj, por edhe kundër asaj personalisht një dozë të pamotivuar (sic!) vreri, e cila, - sipas saj, - e stërkalonte masën që duhej të kishte njoftimi i tij mbi një botim pararendës që ai vetë paskësh bërë (sic!). Kjo shpjegon, shkruan ajo, “egërsinë, mungesën e politesës dhe lojën e papastër që bën me fjalën ky person”. Më tej ajo shton se: “Reagimi i profesor Kristos nxjerr në pah faktin se ende pas kaq vitesh (e ka fjalën për përmbysjen e regjimit komunist - K. F.), elita e shkërbejve të shenjtë (monstri sacri) të kohës së komunizmit, rezervon akoma sot një mllef të pashuar ndaj gegnishtes e ndaj lagjes Parrucë a Gjuhadol të Shkodrës; e jo vetëm kaq, por edhe ndaj martirëve si Pjetër Mëshkalla, shqipja e të cilit s’ka të krahasuar me shqipen e cungët të profesor Kristos”.
Në artikullin e saj, zonja e inatosur tej mase në sedrën e saj më akuzon ndër të tjera se unë paskam ndihmuar në rrënimin e Lef Nosit. Si dëshmi sjell shkrimin e Mërgim Korçës (“Hedhje drite rreth shtrembërish historike”, f. 326, Tiranë 2008) dhe thekson pastaj se unë si studiues paskam gatuar mitin e Haxhi Qamilit. Më në fund thotë se paskam bërë gafa në histori në monografinë “Skënderbeu”, të cilat i paska bërë botërisht me dije studiuesi “i mprehtë”, K. Biçoku.
Siç shihet, të gjitha këto akuza, me të cilat ajo më padit, nuk kanë lidhje me tri çështjet që unë ngrita. Unë do të përgjigjem duke trajtuar çështjet që ajo ngre dhe jo duke e zhvendosur si ajo, bisedën në çështje të lidhura me personin e saj, sipas mendimit tim, një metodë kjo e praktikuar nga ata, të cilët nuk janë në gjendje të mbrojnë tezën e tyre, por lëshojnë degë më degë akuza dhe anatema që nuk kanë lidhje me tezën që debatojmë - një metodë kjo e trashëguar nga penat partiake puniste.
Tani po përgjigjem.
*
Motivi që më shtyu të shkruaj këtë kritikë të ashpër nuk ka të bëjë aspak me pozicionin politik të zonjës Shamku, e cila dy ditë më parë na doli me emrin e saj të Gjendjes Civile, Enkelejda Shkreli. Zonja e nderuar duhet ta ketë kuptuar se në të gjitha çështjet historike apo kulturore që kam debatuar deri sot nuk jam nisur nga pozicioni politik, as i objektit, as i subjektit. Jam nisur nga respektimi i vërtetësisë historike dhe nga ndershmëria profesionale e autorit. Kjo, mbasi kohët e fundit kam vënë re që në shtypin tonë të përditshëm po botohen në fushën e historiografisë broçkulla e stërbroçkulla. Kam parë se ka njerëz që kopjojnë, shpeshherë keq, shkrime të botuara kohë më parë dhe i shesin sikur janë prodhim i penës së tyre. Më keq akoma, kam parë autorë që shesin si fakte historike ngjarje të dyshimta, shpeshherë të sajuara dhe pretendojnë se kanë dhënë kontribut të madh në fushën e kulturës shqiptare. Të parët quhen “mburravecë” dhe, kur e teprojnë, plagjiatë, kjo një fjalë elegante për të mos përdorur fjalën e shëmtuar vjedhës. Sipas mendimit tim, hëpërhë zonja Shamku hyn te mburravecët. Të dytët nuk kam nguruar t’i quaj në shtyp, si p.sh., Musa Ahmetin, i cili gënjeu paturpësisht se gjoja kishte zbuluar një dorëshkrim shqip të fillimit të shekullit XIII, matrapazë, madje dhe sharlatanë, për arsye se këta me prirjen e tyre molepsin opinionin publik me virusin e shëmtuar të mashtrimit dhe të korrupsionit.
Ndoshta nuk bëj mirë që ngre zërin, kur shoh njerëz intelektualë a pseudointelektualë, që dalin në faqet e shtypit me zbulime të gjërave që janë zbuluar dhe me ndriçimin e çështjeve që më parë janë ndriçuar, mbasi menjëherë fillojnë shigjetat kundër meje. Nuk ke ç’i bën! Nuk hesht dot, kur shoh se mungon ndershmëria profesionale dhe kur flasin për historinë njerëz që nuk janë historianë.
Letërqarkorja në latinisht e Pal Engjëllit, e lëshuar më 8 nëntor 1462, ku bën pjesë dhe Formula e Pagëzimit apo siç quhet më drejt “Sakramenti i Pagëzimit”, e shkruar në gjuhën shqipe, është një dokument historik tepër i rëndësishëm. Ajo ka interes për tri fusha studimore - për fushën historike, mbasi hedh deri diku dritë mbi situatën politike, në të cilën ndodhej Shqipëria, më saktë krahina e Matit, në vitet e Skënderbeut; e dyta, për fushën gjuhësore, mbasi na sjell një dëshmi qoftë edhe tepër të shkurtër mbi shqipen e folur në mes të shekullit XV; për fushën kishtare, mbasi nëpërmjet penës së një prelati të kulturuar, siç ishte Pal Engjëlli, mësojmë gjendjen ku ishte katandisur në mes të shekullit XV liturgjia në kishën katolike të Shqipërisë së Mesme.
Duke u nisur nga specialiteti që ka marrë zonja Shamku dhe nga angazhimi i saj në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë si anëtare e Departamentit që merret me historinë e gjuhës shqipe, ne prisnim që zonja e nderuar ta trajtonte letërqarkoren e Pal Engjëllit të paktën nga këndvështrimi i profesionit të saj, pra nga analiza gjuhësore e Formulës së Pagëzimit, e shkruar në gjuhën shqipe në mes të shekullit XV. Natyrisht, nuk përjashtohet e drejta që ajo ka për ta trajtuar letërqarkoren e Pal Engjëllit edhe nga këndvështrimi historik. Por, për habinë tonë, pamë se ajo, në shkrimin e saj mbi Formulën e Pagëzimit, nuk u përqendrua as me aspektin historik, as me atë gjuhësor, por me probleme të liturgjisë kishtare. Sigurisht që ajo kujtonte se do të na sillte me këtë rast një sqarim shkencor mbi problemet e liturgjisë së ritit katolik. Ne në të kaluarën kemi anashkaluar problemet liturgjike që përmban letërqarkorja e Pal Engjëllit, mbasi nuk e ndjenim veten në gjendje të merreshim me to. Por, nga ndërhyrja e meshtarit dom Gjergj Meta, një njohës i mirë i liturgjisë kishtare, botuar në gazetën “TemA”, më 26 prill 2009, - një ndërhyrje seriozisht e argumentuar, - vumë re se zonja Shamku nuk ka as njohuritë më elementare, qoftë mbi liturgjinë kishtare, qoftë mbi gjuhën latine. “Nisma që ka marrë zonja Shamku, - shkruan meshtari katolik, - për të parë te letërqarkorja e Pal Engjëllit, jo vetëm aspekte gjuhësore, por edhe “për të eksploruar hapësira që i takojnë teologjisë dhe të drejtës kanunore”, tregon se ajo nuk e njeh as këtë fushë studimore, sepse “disa koncepte të karakterit teologjik dhe juridik (të shprehura nga zonja Ledi), - nënvizon ai, - kanë nevojë për disa saktësime”. Kështu p.sh., dom Gjergj Meta e gjen të pasaktë njoftimin e zonjës Shamku, sipas së cilës në letërqarkore thuhet se prindërit mund të pagëzojnë fëmijët e tyre, kurse Pal Engjëlli nuk e zë gjëkundi në gojë këtë normë kanonike. Meshtari katolik vë gjithashtu në dukje se zonja Shamku ngatërron famullitarin, italisht parroco, me pjesëtarin e famullisë (parrocchianos) dhe se nga kjo ngatërresë ajo e ka shtrembëruar kuptimin e letërqarkores. Gabimi tjetër vihet re dhe te termi shekullar. Sipas saj, shekullar do të thotë prift - prift shekullar i ndryshëm nga prift rregulltar, kurse në të vërtetë, shekullarët, sqaron meshtari katolik, nuk janë as priftërinjtë, as djakonët, por besimtarët e thjeshtë. Një tjetër absurditet i zonjës Shamku është kuptimi që ajo i jep termit latinisht “femmina”, që përmendet në letërqarkoren e Pal Engjëllit. Ajo kujton se “femmina” në latinisht ka kuptimin “murgeshë”, kurse murgeshës latinisht i thonë “monaca” (monacha) dhe “femmina” ka të njëjtin kuptim, si dhe sot, qenie e gjinisë femërore, shqip femër. Edhe një shembull tjetër. Zonja Shamku provon se nuk e njeh as terminologjinë kishtare, mbasi ajo kujton se laik do të thotë prift, i pashuguruar, kurse laik do të thotë, njësoj si dhe sot, njeri i shoqërisë civile. Nuk po zgjatemi me gafat e tjera (si p.sh., vajin e bekuar e ngatërron me ujin e pagëzimit apo me ujin e bekuar), të cilat nuk janë të parëndësishme.
*
Studiuesit, në mënyrë të veçantë gjuhëtarët, kur trajtojnë problemet e fushës së tyre, nuk duhet të spekulojnë me motive politike, edhe kur ato i urrejnë, me shpresë se mund të përfitojnë shkencërisht prej tyre. Zonja Shamku, nëse kujton se duke e fajësuar regjimin komunist në lidhje me letërqarkoren e Pal Engjëllit, do të sigurojë përfitime politike, gabohet rëndë. Koha e aktivistëve partiakë ka kaluar. Për hir të së vërtetës duhet të pohojmë se, para regjimit komunist letërqarkorja e Pal Engjëllit është përmendur nga Lumo Skëndo, Justin Rrota dhe Eqerem Çabej vetëm për hir të Formulës së Pagëzimit. Përkundrazi, gjatë regjimit komunist letërqarkorja e Pal Engjëllit është trajtuar nga disa këndvështrime në shkrime studimore me rastin e 500-vjetorit të Formulës së Pagëzimit, më 1962 nga Kristo Frashëri, Injac Zamputi, më 1963 nga Eqerem Çabej, shkrimet e të cilëve janë ribotuar në vëllimin “Formula e Pagëzimit (Kumtesa dhe artikuj)”, botuar nga Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë 2008. Madje, pas përmbysjes së regjimit komunist, edhe pse ka 18 vjet që është vendosur regjimi demokratik, ne për sa i përket letërqarkores së Pal Engjëllit, lundrojmë pak a shumë ende në rezultatet e studimeve të kryera gjatë viteve të regjimit komunist, me përjashtim të studimeve në fushën gjuhësore të prof. Seit Mancakut dhe prof. Kolec Topallit. Në fakt, zonja Ledi Shamku me ato që thotë në artikullin e saj botuar në “Gazetën Shqiptare” (19 prill 2009) dhe që i riboton në “Hylli i Dritës”, I, 2009, nuk na sjell asgjë të re, madje thotë më pak sesa ato që dihen. Pikërisht këtu e ka burimin vërejtja jonë se nuk ka asgjë më të lehtë për një intelektual apo pseudointelektual sesa të zbulojë dokumente të zbuluara dhe të ndriçojë fenomene të ndriçuara. Te mungesa e analizës shkencore, sidomos te gafat që bën në fjalorin kishtar tregon, sipas mendimit tonë, se ajo ende nuk ka shkelur në truallin e shkencës dhe se ende ndodhet në paradhomën (anticamera) e disiplinës shkencore, për të cilën ajo është diplomuar. Është e palejueshme, nëse zonja Ledi Shamku nuk e ka lexuar përkthimin shqip nga Fatjon Balliu të letërqarkores së Pal Engjëllit, botuar në vëllimin “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke e shekullit XV”, Tiranë 2005. Nëse e ka lexuar dhe bën sikur nuk e ka lexuar, është turp për të. Para se të vinte në Arkivin Qendror të Shtetit, do të bënte mirë të trokiste në dyert e Bibliotekës Kombëtare. Po ta shikonte përkthimin shqip të Fatjon Balliut, do të kishte shmangur gafat e pafalshme që ajo ka bërë në përkthimin e saj, mbasi atje laiku është laik dhe jo prift, femmina është femër dhe jo murgeshë, shekullari është shekullar dhe jo meshtar, famullitari nuk ngatërrohet me pjesëtarin e famullisë etj. Përpjekja e saj për ta injoruar emrin e këtij përkthyesi të ri, i cili nuk shfaqet në media me pretendime butaforike, është e padrejtë. Do të bënte mirë sikur ajo zonjë shkencëtare ta përgëzonte atë djalë të ri që ka mbaruar të njëjtin fakultet të gjuhësisë, i cili punon heshturazi dhe kokulur për të thelluar njohuritë e tij në gjuhësi, në histori, në latinisht dhe në gjuhë të tjera.
*
Le të kalojmë tani tek akuzat e saj. Çfarë kupton ajo me akuzën “profesor i kohës së komunizmit”?
Regjimi komunist në Shqipëri jetoi 4 e ca dekada. Gjatë atyre dekadave, ai nuk sundoi vetëm në Shqipëri, por me përjashtim të Greqisë dhe të Turqisë, në të gjitha shtetet e Evropës Lindore e Juglindore. Kudo, por ca më tepër në Shqipëri, regjimi komunist qe i egër. Kemi 18 vjet që po e shajmë ditë e natë. Mirë bëjmë! Veçse gënjejmë veten, po të kujtojmë se, duke e sharë regjimin komunist ditë e natë, po e nxijmë thellë e më thellë atë. Regjimi komunist çrrënjoset, jo duke e sharë me nënë e me babë, por duke i analizuar nga një këndvështrim objektiv veprimet e tij. Regjimi komunist si sistem politik, ideologjik, ekonomik, shoqëror, kulturor mori fund në fillim të viteve ’90. Megjithatë, ai na ka lënë trashëgim mentalitetin e vet, logjikën e të menduarit dhe të gjykuarit mbrapsht. Është fatkeqësi se këtë mentalitet, më tepër se komunistët e djeshëm, e kanë trashëguar antikomunistët e rinj, disa nga mllefet se kanë vuajtur, disa si kapital për të bërë karrierë. Harrojmë se në të gjitha shtetet komuniste jeta shkencore, kulturore, artistike dhe sportive nuk u ndërpre, madje qendrat më të kualifikuara të jetës shkencore, kulturore dhe artistike të vendeve socialiste qenë në garë me partneret e tyre të botës perëndimore. Kudo pati profesorë, doktorë, akademikë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, të cilët bota perëndimore i respektoi dhe i nderoi. Kudo veprat e tyre konsiderohen si pasuri e kulturës, shkencës, letërsisë, artit botëror. Natyrisht, pati dhe përjashtime. Pati profesorë, doktorë, akademikë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë të dobët ose të politizuar pas ideologjive, të cilët megjithatë nuk ka pse të dënohen apo të fyen, në qoftë se nuk kanë kryer krime. Regjimi demokratik u njeh të drejtën e qytetarisë të gjitha ideologjive, përfshirë edhe ideologjive të majta, mjaft që ato të mos frymëzojnë krime. Me akuzën e saj se ky ose ai është “profesor i kohës së komunizmit”, zonja Shamku i dënon të gjithë, njësoj siç i dënonte regjimi fashist komunistët ose regjimi komunist antikomunistët. Në këtë pikë, zonja Shamku me teserë socialiste, flet si ata që pozicionohen në llogoret fashiste.
E dyta, nëse zonja Ledi Shamku do të ishte në gjendje të thellohej më tepër për fjalët që lëshon pa menduar, ajo duhej të kishte parasysh se duke stigmatizuar Kristo Frashërin si “profesor të kohës së komunizmit”, ajo ka stigmatizuar dhe “profesorët” që asaj i kanë dhënë leksione në universitet, sepse ata të gjithë kanë qenë dhe janë “profesorë të kohës së komunizmit”. Madje, burrat e shtetit, punonjësit shkencorë, penat letrare, vargu i artistëve që në ditët tona i shërbejnë kombit, në shumicën e tyre janë formuar në periudhën e regjimit komunist. Për më tepër, jo vetëm profesorët e saj, por edhe nxënësit apo nxënëset e tyre, përfshirë edhe zonjën Ledi Shamku, janë me hir apo me pahir pjella të profesorëve të kohës së komunizmit. Nëse është kështu, çfarë i mbetet kësaj Shqipërie të gjorë?
Kristo Frashëri nuk e mohon se ka simpatizuar që kur ka qenë i ri pikëpamjet e majta, por me përjashtim të disa muajve të parë të PKSH, nuk ka qenë anëtar i saj, as i PPSH. Jo për të justifikuar veten, por për të korrigjuar zonjën Ledi Shamku, e njoftoj atë se gjatë dhjetëvjeçarëve të regjimit komunist, ndonëse ushtroi një veprimtari 40-vjeçare shkencore, ai nuk pati nderin të bëhej Profesor. Atij iu dha titulli Profesor, vetëm pasi u përmbys regjimi komunist, më 6 maj 1991, madje pasi doli në pension. Më 1947, kur filluan reformat komuniste në Shqipëri, Kristo Frashëri ishte 27 vjeç, pra një njeri i pjekur. Shkollën e mesme dhe njëfarë shkolle të lartë e kishte kryer, para se në Shqipëri të vendosej regjimi komunist. Të mos harrojë gjithashtu se gjatë dhjetëvjeçarëve të regjimit komunist, ashtu si Kristo Frashëri, i shërbyen shkencës, historisë, kulturës shqiptare profesorë të tij, si Aleks Buda, Eqerem Çabej ose kolegë moshatarë, nga të cilët po përmend vetëm disa emra të njohur nga zonjën Shamku, si Injac Zamputi, Henrik Lacaj, Rrok Zojzi, Pashk Gjeçi, asnjëri prej tyre anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë.
Akuzën që më bën se unë ruaj urrejtjen ndaj gegnishtes, zonja Shamku le ta marrë mbrapsht. Unë kam dëshiruar dhe dëshiroj që ne shqiptarët, siç jemi pjesëtarë të një kombi, pavarësisht se sot jemi të ndarë në disa shtete, jo për fajin tonë, por për interesat dhe paragjykimet e diplomacisë botërore - të përdorim një gjuhë të vetme letrare, zyrtare, standarde, quajeni si të doni. Ashtu si francezët, pavarësisht se janë qytetarë të Francës apo të Belgjikës, të Zvicrës apo të Kanadasë flasin një frëngjishte standarde, të ndryshme nga frëngjishtja e dialekteve të tyre, ashtu uroj dhe dëshiroj që të kemi dhe ne shqiptarët një gjuhë të vetme standarde. Nuk jam vetëm kundër gjuhës së Patër Mëshkallës, gjuha e të cilit pranoj se, siç thotë zonja Shamku, mund të jetë më e ngritur se kjo gjuha e varfër e ime, por jam edhe kundër shkrimeve në të folmet dialektore të çdo krahine qoftë. Jam kundër edhe atyre që do të kërkojnë të shkruajnë, nëse mund të ndodhë, shqipen e Naum Veqilharxhit apo të Ilo Mitkë Qafëzezit, po të doni edhe kundër teprimeve toskërishte të Sami Frashërit apo dhe kundër teprimeve gegërishte të Mati Logorecit. Por kjo nuk do të thotë, siç e shpërfytyron zonja Shamku frazën, se jam kundër si person Naum Veqilharxhit apo Ilo Mitkës, kundër Sami Frashërit apo Mati Logorecit. E përdora emrin e Patër Mëshkallës, sepse është tepër lokalist, jo se është meshtar i martirizuar. Nëse ju, me rastin e Patër Mëshkallës bëni insinuata politike që mua as që më kanë shkuar ndërmend, pirolla ju qoftë, se unë nuk do të shkas në kurthin tuaj, se edhe unë mund të gjej diçka për të thënë ndaj jush dhe ndaj familjes suaj. Unë nuk kritikova gegërishten, as shkodranishten. Personalisht, i adhuroj shkrimet e klasikëve shkodranë të letërsisë shqipe. Nëse zonja Ledi Shamku nuk beson, le të vijë e të më marrë në provim për t’u bindur se unë di përmendësh vargje të tëra të “Lahutës së Malcis” apo të tingëllimeve lirike të Gj. Fishtës, të N. Mjedës apo dhe të Vinçenc Prendushit. Unë me to jam rritur, zonja Shamku, dhe me to jam ushqyer. Jam ushqyer njësoj si me Naim Frashërin, ashtu dhe me Gjergj Fishtën, si me Fan Nolin, ashtu dhe me Ndre Mjedën, si me Lasgushin, ashtu dhe me Migjenin e kështu me radhë. Unë thashë se nuk bën mirë që shkruan në të folmen e Patër Mëshkallës, e cila nuk është shkodranishte. Por unë nuk shava Patër Mëshkallën si person, si meshtar, si intelektual, as si patriot. Jeni ju, zonja Shamku, që përdorni metodën e Enver Hoxhës, i cili, kur nuk kishte material për të mbrojtur tezën e vet politike, e përqendronte kritikën e vet në çështje personale dhe i akuzonte si bashkëpunëtorë të fashizmit, spiunë të armiqve të Shqipërisë apo agjentë borgjezo-revizionistë. Nga doli që unë e kritikova Patër Mëshkallën, ngase ai ka qenë i persekutuar nga regjimi komunist?
Historia na mëson se një gjuhë letrare e përbashkët ka patur kudo si pikënisje letërsinë e përpunuar në një dialekt. Italishtja letrare e çau rrugën e vet me Dante Aligerin, i cili poezitë e veta gjeniale i hartoi në dialektin e Toskanës. Pastaj, me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës letrare, e cila me kohë u bë dhe gjuhë zyrtare, të gjitha dialektet e Italisë dhanë kontributet e tyre duke e pasuruar gjuhën letrare me fjalë dhe frazeologji, të cilat gjuha letrare i përpunoi sipas mokrrës së saj. E dimë të gjithë se napolitanët, të dashuruar pas dialektit të tyre, e cila për një kohë të gjatë qe gjuhë zyrtare e Mbretërisë së Napolit, mbetën të pakënaqur nga mospërfillja e dialektit të tyre shumë të pasur me letërsi, fjalor, këngë dhe fjalë të urta. Madje, ata e kanë përkthyer edhe Shekspirin në gjuhën e tyre, me shpresë se mund ta mposhtnin gjuhën letrare. Por, më në fund, u bindën dhe iu nënshtruan procesit historik të unifikimit gjuhësor. Madje, pas Luftës së Dytë Botërore, sardët, banorë të Sardenjës, menduan për një çast që të krijonin një gjuhë të veçantë, me bazë dialektin e tyre për ishullin. Por edhe ata e panë se nuk mund ta mposhtnin dot rrymën historike.
Zonjë e nderuar! Një gjuhë letrare e përbashkët, ndërtuar në cilindo dialekt, lë të pakënaqur dashnorët e dialektit lokal, sado e pasur që të jetë. Në qoftë se gjuha letrare do të ishte vendosur mbi “gegnishten”, do të linte të pakënaqur dashnorët e dialekteve të tjera. Madje, me këtë rast nuk dëshiroj të hap debat, nëse gjuha që ju shkruani përfaqëson gegnishten e vetme. Gegnishtja nuk përfaqësohet vetëm nga shkodranishtja. Kam në dorë një tekst të shkruar dikur në dialektin gjakovar, ku fëmijës i thoshin themi, gjuhës apo giuhës - guhë, që ndryshon nga gegnishtja juaj. Të mos përmendim dibranishten, ku shtëpisë i thonë shpaj, dhisë-dhaj, Peshkopisë-Peshkopaj. Prandaj, këmbëngulja me pretendimin se shkodranishtja duhet përdorur lirisht si gjuhë e dytë zyrtare, është okubet o Zot, tendencë për ta shndërruar kombin tonë në platformën serbo-madhe të Beogradit, sipas së cilës ka dy Shqipëri. Gjuhën letrare që përdorim sot nuk e krijoi Enver Hoxha. Mos spekuloni me frymën gjoja antikomuniste. Gjuha letrare që përdor sot administrata dhe shkolla, letërsia dhe arti, vetëm nga paskajorja dhe nga rotacizmi është toskërisht. Elemente të tjerë të saj përbëhen nga fondet e të gjithë dialekteve. Veç kësaj, gjuhën e sotme letrare nuk e vendosi E. Hoxha. Atë e vendosi Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. Nuk e vendosën as shkrimtarët toskë, por gjuhëtarët dhe shkrimtarët, që përfaqësuan mbarë trojet shqiptare, përfshirë dhe gjuhëtarë shkodranë. Edhe nëse E. Hoxha ka ndikuar në vendimin e Kongresit, nuk ka asgjë të keqe.
Vijon numrin e nesërm