Qëndrimet “e çuditshme” të Partisë Republikane për pronat dhe Ramiz Alinë
Partia Republikane ishte partia e dytë që u krijua pas Partisë Demokratike në fillim të janarit 1991. Shkrimtari Sabri Godo, që ishte dhe themeluesi i saj, mblodhi në kryesinë e parë të asaj partie një grup emrash të njohur të disidencës së kohës së komunizmit, por dhe një pjesë zyrtarësh të regjimit, kryesisht të natyrës teknokrate. Republikanët u bënë shpejt të njohur, më shumë për shkak të gazetës së tyre, “Republika”, gazeta e dytë opozitare në vend në atë kohë, e cila drejtohej nga një prej legjendave të shtypit shqiptar, Vangjush Gambeta, ish-gazetar i dënuar nga regjimi komunist.
Por, pavarësisht shfaqjes si parti opozitare, fillimet e saj Partia Republikane i ka të mbushura me qëndrime majtiste dhe shpesh shumë të qarta pro-ish presidentit komunist, Ramiz Alia.
Në programin e saj fillestar PR kishte në program ruajtjen e kooperativave bujqësore dhe ishte kundër privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. Programi i saj i ngjante një programi socialist të reformuar.
Në programin elektoral të PR për zgjedhjet e 31 marsit 1991 thuhet se: PR nuk njeh pronat e para-vitit 1945, as pronat e dala nga Reforma Agrare e vitit 1946.
PR kërkonte ndarje të re të tokës sipas frymëve, pra atë që pas gjashtë muajsh u sanksionua me Ligjin 7501, në korrik 1991.
Në aspektin politik, në vitin 1991, kjo parti pati rol negativ në disa zhvillime të forta. Ajo u përdor nga ish-presidenti, Ramiz Alia, për të propozuar në shkurt të vitit 1991 një Këshill Presidencial që të kishte autoritetin e një institucioni presidencial mbi palët gjatë periudhës së trazirave të para pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Kjo parti u shfaq në opinionin publik kundër mitingjeve të PD, me arsyetimin se ato destabilizojnë situatën.
Në gazetën “Republika” të datës 24 shkurt 1991 (FAKSIMILE 1), Sabri Godo, në atë kohë kryetar i partisë, kërkoi të pezulloheshin gjithë veprimtaritë që lidheshin me emrin e Enver Hoxhës dhe të bëhej një referendum për figurën e tij, pas zgjedhjeve.
Kjo parti në minutat e fundit të zgjedhjeve të para pluraliste bëri thirrje për votimin e Ramiz Alisë si president të vendit (FAKSIMILE 2). Në editorialin e gazetës “Republika”, më 31 mars 1991, pra ditën e zgjedhjeve, me titull “Revansh demagogjik partiak”, thuhet: “Populli e shikon atë si të vetmin personalitet të aftë për të mbajtur ekuilibrin, për të votuar në rregull e qetësi më 31 mars, për të filluar normalisht veprimtarinë e vet Kuvendi i ri Popullor, deri në zgjedhjen e presidentit të ri”. (faqe 1)
Kjo bëri që Partia Republikane të pësonte humbje në zgjedhjet e para pluraliste në vend. Ajo nuk arriti të marrë dot asnjë deputet duke humbur shansin të konkurronte me PD.
Kjo bëri që fill pas zgjedhjeve të para dhe pas formimit të Qeverisë së Stabilitetit, ku republikanët u bën pjesëtarë të saj në zgjedhjet e 22 marsit 1992, ata të futeshin në koalicion me PD.
Deklarata e përbashkët mes PD-PR-PSD qartësonte se këto tri parti do të hynin së bashku në zgjedhje dhe do të qeverisnin së bashku pas zgjedhjeve.
Në programin e vet elektoral për zgjedhjet e 22 marsit 1992, PR vazhdonte të shprehej se nuk njihte aktet e pronësisë mbi tokën të para vitit 1945, por njihte vetëm pronësinë mbi tokën të dhënë nga Reforma Agrare e vitit 1946, deri në 5 ha dhe kërkonte që, ata që fituan prona nga kjo reformë, atje ku qe e mundur t’i merrnin ato dhe diferenca të kompensohej me shpërblim financiar për 10 vjet (FAKSIMILE 3) (shih: “Republika”, 1 mars 1992, faqe 1)
Zgjedhjet ishin një goditje për republikanët. Ndërsa socialdemokratët e Gjinushit, në atë kohë aleatë me PD, hynë në parlament me një grup prej 6 deputetësh, republikanët ngelën sërish jashtë. I vetmi që fitoi ishte një deputet republikan në Elbasan, të cilit PD i la zonë të lirë zgjedhore.
Pas formimit të qeverisë, republikanët morën Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ndërsa vetë partia u stimulua me disa veprimtari biznesi, siç ishte një leje trageti nga Vlora në Brindisi dhe veprimtari të tjera të ngjashme.
Ndërkohë, Partia Republikane nisi ndryshimin e kursit duke marrë pozicione të djathta. Ajo shpalli në tetor të vitit 1992 një platformë të djathtë pro ish-pronarëve dhe të persekutuarve dhe vetë Godo nisi spastrimet brenda saj. Nga PR u larguan figurat solide që e formuan atë dhe filluan të afrohen emra të rinj të panjohur. Një prej tyre ishte Fatmir Mediu, një lider lokal i PR në Fier, i cili u thirr në Tiranë pas largimit nga partia të disa prej figurave kryesore të saj në atë kohë, si Vangjush Gambeta, Hysen Çobani etj.
Në vitin 1994 republikanët tentuan të mbështesin ish-pronarët në një grevë të improvizuar në selinë e tyre për t’u bërë simbol i kërkesave për kthimin e pronës. Por greva dështoi dhe për shkak të lojës së dyfishtë të kësaj partie me qeverinë Berisha, pjesë e së cilës ishte.
Në zgjedhjet e vitit 1996 republikanët hynë të vetëm. Dështimi i zgjedhjeve dhe prishja e integritetit të procesit zgjedhor bëri që republikanët të dalin me 5 deputetë nga këto zgjedhje. Ata u bën më pas pjesë e qeverisë së re Berisha përmes dy sekretarëve të Shtetit dhe disa posteve të tjera dytësore.
Por zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve dhe fillimi i krizës bëri që situata të ndryshojë. Me fillimin e trazirave republikanët ashpërsuan qëndrimin ndaj PD dhe lideri i tyre, Sabri Godo, ishte pjesë e përpjekjeve për të bashkëpunuar me të dy palët. Ai u përpoq të ishte ndërmjetës gjatë krizës së vitit 1997 me Komitetet e Shpëtimit, pa qenë i autorizuar nga PD dhe ky pozicion e largoi atë nga PD. Pas fitores së socialistëve në zgjedhjet e vitit 1997, republikanët u mbajtën afër si “opozitë konstruktive”, Godo u emërua bashkë-hartues i Kushtetutës, ndërsa Mediu, që mori ndërkohë Partinë Republikane, filloi të bashkëpunojë me kundërshtarët e Berishës në PD, kryesisht me Genc Pollon.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2000 për herë të parë pati një bashkëpunim të pjesshëm me Partinë Republikane lidhur me çështjen e komisionerëve, por një aleancë e mirëfilltë dështoi. Komisionerët republikanë në shumicë bashkëpunuan me Partinë Socialiste dhe u bënë pjesë e një procesi të manipuluar.
Në zgjedhjet e vitit 2001, republikanët iu rikthyen përfundimisht aleancës me PD. Berisha futi në listën e PD Fatmir Mediun duke e garantuar si deputet dhe kështu nisi një periudhë e gjatë bashkëpunimi mes tyre.
E njëjta situatë u përsërit në zgjedhjet e vitit 2005, ku për shkak të një votimi taktik votat e republikaneve u frynë prej votuesve të PD duke futur në atë listë njerëz të PD, të emëruar si republikanë.
Republikanët u bënë pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2005. Fatmir Mediu u bë ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë. Por profili i tij u ulët, mungesa e integritetit personal dhe prirjet e tij drejt aferave korruptive bënë që ai të përfshihej në lobim personal së bashku me djalin e kryeministrit për kontratën e Gërdecit, e cila çoi në një tragjedi të madhe njerëzore.
Pas tragjedisë së Gërdecit, Mediu ka dhënë dorëheqjen nga qeveria, por vazhdon të udhëheqë Partinë Republikane si aleate të PD në këto zgjedhje.
Në çdo vend normal demokratik një politikan që është përgjegjës për një tragjedi të tillë do të kishte ikur përgjithnjë nga politika. Por kreu i republikanëve nuk ka denjuar ta mendojë kurrë ikjen. Shpresojmë që përgjigjen e duhur ta marrë në datën 28 qershor.