Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë
Nga libri i Dr. Zoi Xoxës “Kujtimet e një gazetari”
Fjalët e urta të Hasan Prishtinës - Por le të kthehemi në ngjarjet tona. U mblodhëm, pra, në dhomën e Hasan Prishtinës. Ishim më të shumët e refugjatëve të Vjenës, me përjashtim të Fan Nolit, sepse nuk e gjetëm dot Nush Bushatin për ta lajmëruar. Qazim Koculi u tregua i tërbuar kundër paktit të Tiranës dhe s’la gjë pa vjellë kundër Mustafa Krujës, kurse Dom Lazër Shantoja dhe Shuk Gurakuqi e mbrojtëm me sa mundën. Hasan Prishtina, si kosovar, ishte kundër Jugosllavisë dhe, gjer në njëfarë pike, në favor të paktit; por sikur ia prishte punën ai neni që parashikonte ndërhyrjen italiane për turbullira të brendshme. Megjithatë, përpiqej të ishte i moderuar, duke mos u shprehur me egërsi as kundër Mustafa Krujës.
Kur e pashë që gati po kacafyteshin dhe s’mund të përfitoja gjë konkretisht, u thashë: -Meqë erdha gjer këtu në Vjenë dhe dëgjova mendimet tuaja, e quaj për detyrë të turrem edhe gjer në Zarë për të dëgjuar mendimin e Mustafait. Një gjykim i mirë bëhet kur dëgjohen të dy palët. Pa të shohim çdo të na thotë edhe Mustafai. Ky program i kënaqi, sidomos ata të grupit të Zarës.
U shpërndamë. Hasan Prishtina më mbajti për drekë. U kënaqa me bisedimin e tij të çiltër, tërë gjykim e patriotizëm. Tek e dëgjoja, kishte parasysh deputetin shqiptar në Stamboll, që iu kërcënua midis parlamentit të fuqishmit Turgut Pasha, duke i thënë se shqiptarët do të rroknin armët kundër Turqisë, në qoftë se ajo nuk do t’u njihte të drejtën e vetëqeverimit. Në shkurt 1911, Haki Pashai, kryetar i qeverisë turke, iu vërsul Ismail Qenalit. Dhe njëfarë Dervish beu, deputet i Serezit, mori guximin t’i binte Plakut të Vlorës me pëllëmbë. Atëherë Hasan Prishtina, pa iu trembur syri fare, protestoi me energji para qeverisë dhe gjithë parlamentit. Ajo dackë nuk i ra vetëm Ismail Qemalit, po të gjithë shqiptarëve, që t’i poshtëronte dhe t’u ndalonte të ngrinin zërin për të kërkuar të drejtat e tyre kombëtare. Qé një fyerje për të gjithë Shqipërinë. Hasan Prishtina nuk mjaftoi me protestën e rreptë që i bëri qeverisë turke dhe brenda në Parlament, nuk mjaftoi me protestat që bëri me anë të shtypit, po e thirri edhe në dyluftim Dervish beun, atë që kishte shkelur nderin tonë kombëtar. Dhe u desh urtësia e Plakut tonë, Ismail Qemalit, që ta bënte Hasan Prishtinën të hiqte dorë.
Kur më përcolli, më tha edhe këto fjalë, që s’do t’i harroj kurrë: -Ti, biri im, vepro si të dish ma mirë. Mos na këqyr neve. Na e kena ba politikën “profesion”.
Mbresa të pashlyeshme ndaj Hasan Prishtinës - I lashë refugjatët e Vjenës në atë gjendje dhe u nisa për në Rumani. Më mungonin të hollat për udhëtim gjer në Bukuresht dhe u bëra gati t’i bëja një telegram Mihalit (Xoxe), por Hasan Prishtina nuk më la dhe më dha, nuk mbaj mend se sa korona. Nuk ishte ndonjë shumë e madhe: vetëm sa për biletën Vjenë – Bukuresht. Iu zotova se do t’ia ktheja sa më shpejt, por ai më vuri në bé dhe më tha se nuk ia vlente barra qiranë. Deshi të më përcillte gjer në stacion, por unë e ndalova kategorikisht, se ishte plak dhe s’desha të mundohej. Por ai m’u përgjigj se kishte qejf të bisedonim edhe ca, ndaj të mos merrnim tramvajin, por ta bënim rrugën në këmbë. Treni donte edhe një orë që të nisej. E kujtoj me mallëngjim atë takim të fundit me Hasan Prishtinën: më futi krahun me një dhembshuri atërore, që më preku mu në shpirt dhe nisi të më fliste me zë të ulët dhe me atë gjuhën e tij thuthuqe, po të ëmbël, porsi djalit të vet. Unë mbaja valixhen në dorën e mëngjër dhe i rrija shtrënguar, duke e dëgjuar me vëmendje, me zemrën që mend më pëlciste nga mallëngjimi.
Më tha që, siç dukeshin punët, kjo mbase ishte hera e fundit që takoheshim bashkë. “Ti je i ri, me një të ardhme që unë ta uroj të lumtur për të mirën e Shqipërisë. Uroj që të jesh me shpirt të pastër, i papërlyer, me ideale të reja. Ti duhet të ndjekësh rrugën tënde, né rrugën tonë. Ne jemi zhytur aq thellë në batakun e “politikës profesionale” sa nuk kemi sesi të shkëputemi që të ndjekim një rrugë të re. Ti mos na e vër veshin, shko përpara me guxim, me kurajë civile, po kurdoherë me patriotizëm. Të jap vetëm këtë porosi, që mbase është fjala e fundit që dëgjon prej gojës sime: Në çdo veprim, në çdo hap që të hedhësh në jetë, kurdoherë të të frymëzojë ideali patriotik; kurdoherë mos harro se Shqipëria te ju të rinjtë i ka varur të gjitha shpresat e saj. Ne pleqtë e mbaruam misionin tonë, na quaj të vdekur. Bëmë ç’bëmë gjer më sot, po më s’jemi të hairit. Kujdesi ynë është që të mbahemi me nder këto pak kohë që na mbetën dhe mos ta turpërojmë biografinë tonë tani, në pleqëri”. Këto, ose pak a shumë këto (se nuk mund t’i mbaj mend tekstualisht) janë fjalët e fundit që më tha Hasan Prishtina. Unë nuk nxora asnjë fjalë nga goja. Vetëm dëgjoja. Isha shumë i mallëngjyer dhe mezi po i përmbaja lotët. E përqafova me dashurinë si ndaj një prindi dhe desha t’i puth dorën, aq isha i prekur, po nuk më la. Edhe ai dukej mjaft i mallëngjyer. Hipa me të shpejtë në tren dhe ndenja në këmbë para dritares, duke i buzëqeshur e duke e përshëndetur me dorë gjersa treni u nis, mori një kthesë dhe u zhduk.
Në të kaluarën ka pasur edhe të tillë pleq Shqipëria, që meritojnë të kujtohen e të adhurohen prej brezit të ri.