Berisha: Më 2013 do jem kandidat për kryeministër, s’e ndal dot projektin “Shqipëria e zhvilluar”

Në një intervistë të gjatë për “Vizion Plus”, kryeministri Berisha thekson ambicien për t’u kërkuar shqiptarëve një kontratë tjetër për qeverisje, në mënyrë që të përmbyllet projekti “Shqipëria e Zhvilluar”. Ai është ndalur edhe tek ortakëria e trios Rama-Topi-Rama më 21 janar, për dhunimin e institucioneve prej dyshes Topi-Spahiu si dhe tek e drejta ekskluzive e mazhorancës për caktimin e presidentit të ri
- “Nesër (sot) është një datë e madhe ndër më të mëdhatë në historinë tonë, Kongresi i Lushnjës. Ky kongres realisht mund të cilësohet themelimi i dytë i pavarësisë, realisht mund të cilësohet kongresi i shpëtimit kombëtar”
- “Unë them të rishkruhet sepse ka pasur fatkeqësinë kjo shkencë, kjo doktrinë, e cila është më e lidhur me shumë se çdo gjë tjetër me politikën, të pësojë deformime të mëdha, manipulime të mëdha dhe të pamerituara”
- “Unë nuk punoj për historinë, unë bej punën time të përditshme. Gjithë problemi im është se unë nuk kam asnjë përkujdesje që të punoj për historinë. Unë punoj në ato që besoj, kam një pasion të madh për të gjitha projektet që unë besoj”
- “Të gjithë ata që panë (në 21 janar 2011) me qindra e mijëra gurë, që panë të sulmohej dera kryesore e kryeministrisë dhe të hapej me makinë, që panë të fluturonin shishet molotov por edhe plumba; e kanë të qartë se ajo ishte një axhendë dhe në gjithë këto pesë orë, kryetari i opozitës u instalua në godinën përkarshi me një megafon me besimin e verbër se do të vinte dhe do të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime”
- “Dihet këtë (21 janarin) nuk e bëri me kokë të vet, këtë e bëri me mbështetjen e fuqishme të atyre të cilët donin mandatin e dytë dhe e dinin se nga unë nuk do të propozoheshin. Absolutisht, me mbështetjen totale të prokurores, të presidentit, etj. Dihen tashmë. Këto veprime u bënë në një koordinim makabër. Natyrisht kishte disa opsione, mund t’ju a ktheja reston në mënyrën më të vendosur.
- “Ata meritonin shumë më tepër se shkarkim, sepse ata të cilët u angazhuan në një veprimtari antikushtetuese, për të rrëzuar me forcë një qeveri legjitime, për ata ligjet janë të qarta. Ata meritonin ligjin dhe nuk e morën ligjin”
- “Cili ishte motivi i 21 janarit? Ishte një shirit i transmetuar, një regjistrim në të cilin Kryeministri nëpërmjet manipulimit lidhej me një ngjarje që nuk kishte asnjë lidhje. U bazuan në një shirit, i cili lidhi Kryeministrin me një ngjarje që s’kishte asnjë lidhje, lidhi zëvendëskryeministrin; drejtësia dha fjalën e vet”
- “Ato dy ditë me Bamir Topin dhe Ina Ramën janë zhvilluar, jo nga unë, dhjetëra kontakte, dhe e kanë shitur dhe blerë njeri-tjetrin ata gjatë atyre dy ditëve nja 15 herë. Por problemi i tyre ishte se ishin bashkërisht në tavë”
- “Urdhri ishte ky, që ta dish ti, ai që do të hynte brenda ai nuk do të mund të dilte më, i vetmi urdhër. Rrethimi është atribut i gardës, ndërtesa do të mbrohej nga të gjithë punonjësit, ishim të gjithë në punë dhe këtu nuk mund të hynte njëri dhe ne ishim shumë të qetë”
- “E vërteta është se, ky binom, ky çift Topi-Spahiu, kanë vendosur ne krye të institucionit një standard dhunues për kushtetutën e vendit. Fyes, rrënues për institucionet kushtetuese që drejtojnë por njëkohësisht fyes për çdo qytetar”
- “E kam theksuar se një nga drejtuesit, ose çdo drejtues aktual i PD-së gjykoj se ka personalitetin dhe integritetin për t’u ulur në karrigen e Presidentit”
- “Me kënaqësi, me vendosmëri, me përkushtimin më maksimal, në 2013 do të jeni kandidat i mazhorancës për kryeministër. Ai mandat përbën për mua një lloj magneti, përbën për mua një magnet, një motiv, një frymë të vërtetë sepse ai mandat është mandati përcaktues Shqipëria vend i zhvilluar”
- “Nuk do të merrem më me politikë ditën që shqiptarët do të më thonë se ne kaq besojmë. Unë kam fushat e mia, të cilat më presin”
- “Reforma elektorale është një proces negociatash të gjithanshme. Unë nuk mund të mos jem i hapur për negociata me Ilir Metën kur negocioj gjithë ditën me Edi Ramën, përfaqësuesit tanë, kështu që është normal që do të negociohet”
Kemi hyrë në një vit të veçantë, në një vit historik, është viti i 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, do të doja të dija se çfarë të veçante përveç atyre që ju keni deklaruar në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për këtë festë por edhe në mbledhje të ndryshme, çfarë është ajo e veçantë që do të presin dhe do i bashkojë shqiptarët?
Mendoj se më e rëndësishmja që mund ti bashkojë shqiptarët në këtë festë, në këtë vit festiv, është vlerësimi dhe rivlerësimi i njëri-tjetrit, është një vlerësim dhe rivlerësim i përpjekjeve të tyre një shekullore, për të arritur sot si një komb i lirë kudo që ndodhemi. Nuk duhet të harrojmë se pavarësia e Shqipërisë, nuk ishte një pavarësi pa cen; ishte një pavarësi e shpallur në 1/3 e territoreve shqiptare dhe imagjinoni ju se çfarë dhimbje, se çfarë drame, krijoi ajo te 3/4 e shqiptarëve që mbetën jashtë territorit të Shqipërisë, veçanërisht në Kosovë, që bëri luftërat e mëdha, të cilat imponuan pavarësinë. Por në këtë 100 vjetor, ne vijmë të lirë kudo që jemi, ne vijmë për herë të parë ndoshta në historinë tonë duke ndërtuar të ardhmen, sepse të ardhmen e ndërtojnë vetëm kombet e lira. Në këtë 100 vjetor, si çdo komb ne kemi pasur lartësimet dhe tatëpjetat tona, por këtë 100 vjetor, ne kemi arritur si komb edhe arritjet më të jashtëzakonshme; ndër më të jashtëzakonshmet në historinë tonë, por edhe në historinë e një kombi siç është pavarësia e Kosovës. Kështu që, mendoj se ajo për të cilën duhet të na shërbejë ky vit, të na frymëzojë, është një vlerësim dhe rivlerësim për njëri-tjetrin, një vlerësim dhe rivlerësim për të gjitha gjeneratat që shkuan, sakrificat, mundin, përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme, që shqiptarët të ngjisin shekullin dhe të jenë sot në majën e tij, një komb i lirë. Kjo gjykoj unë është arritja më e madhe. Dita në të cilën në parlament u hap ky vit kishte një moment ndër me domethënëse se çdo gjë tjetër, aty folën deputetët shqiptarë të të gjitha viseve të trevave shqiptare, të zgjedhur me votën e lirë të shqiptarëve. Pra ëndrra e lirisë u shndërrua në realitet. Ne nuk patëm, ne ishim një komb jetim në kuptimin real të fjalës dhe nuk patëm mundësinë, që sapo shpallëm pavarësinë të nisnim dhe të ndërtonim lirin dhe vlerat e saj, sepse u përballëm sërish me probleme ekzistence, u përballem sërish me përpjekje, me traktate që stimulonin shuarjen nga harta politike e Europës, të Shqipërisë, të shtetit shqiptar dhe për rrjedhojë gradualisht dhe të kombit shqiptar mbi programe të caktuara. Këto nuk u realizuan, nuk u realizuan, sepse shqiptarët qëndruan në kushte ndër më të vështirat, qëndruan në kushte kur mbështetja ishte nga më diskretet, qëndruan në kushtet kur organizimi shtetëror ju mungonte. Vetëm në luftën e parë botërore, kanë rënë viktima 10 për qind e popullatës shqiptare, por në këto rrethana sërish u arrit. Nesër (sot) është një datë e madhe ndër më të mëdhatë në historinë tonë, Kongresi i Lushnjës. Ky kongres realisht mund të cilësohet themelimi i dytë i pavarësisë, realisht mund të cilësohet kongresi i shpëtimit kombëtar, sepse në momente rrokullisje të re të madhe dhe shkarje absurde të qeverisë së Durrësit; një grup personalitetesh të qeverisë shqiptare me përfaqësues nga të gjitha zonat mblodhën Kongresin e Lushnjës, krijuan një qeveri me një nga burrat më të shquar të kombit, një nga shtetarë më të përgjegjshëm të kombit shqiptar Sulejman Delvinën, emëroi një Ministër të Brendshëm, një njeri që do të dëshmonte përkushtimin më të madh në gjeneratat dhe brezat e tij, për formimin e shtetit shqiptar. Përcaktuan Tiranën kryeqytet, por përcaktuan zgjedhje të përgjithshme dhe të lira, si rruga për të vendosur demokracinë parlamentare në Shqipëri. I dhanë vendit monedhën, nuk kishte monedhë të tij, deri në atë vit Shqipëria përdorte monedhën e bashkimit monetar latin.
Ju keni thënë që një nga objektivat e këtij viti, është rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut; ju keni qenë në Francë disa herë muajt e fundit, keni biseduar me autoritetet atje, a ka ndonjë problem?
Jo, nuk ka asnjë problem dhe rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut do të ndodhë gjatë muajve që vijnë, Ministria e Mbrojtjes është ngarkuar. Mund të shqyrtohet edhe rikthimi i eshtrave të personaliteteve tona të tjera të shquara, ë cilat për arsye tashmë të njohura kanë vdekur në mërgim, por që kanë dhënë kontribute të mëdha në historinë dhe në zhvillimet e vendit. Është një moment ky shumë i rëndësishëm që të jemi realë në historinë tonë. Jap një shembull, Hasan Prishtina është në Kukës i varrosur, se nuk mund të varrosej në Kosovë, pra Hasan Prishtina varrin natyral e ka në Prishtinë. Me histori do të merremi ne gjatë këtij viti, se është normale, por do të merremi në një sens real të saj.
Ju ra ju të jeni në krye të vendit për 100 vjetorin e pavarësisë?
Eshtë një shans, nuk mund ta mohoj këtë, është një koincidencë shumë e këndshme dhe do të përpiqem të bëjë detyrën time.
Ju thoni që historia e Shqipërisë duhet rishkruar dhe në fakt historia e botes është një proces shkrimi dhe rishkrimi i pandalshëm. Ju keni një raport të veçantë me historinë, nuk e keni fshehur ndonjëherë; ashtu siç thoni se keni një raport të veçantë me përjetësinë, e keni menduar ndonjëherë raportin tuaj me historinë e Shqipërisë në 100 vitet e fundit?
Unë them të rishkruhet sepse ka pasur fatkeqësinë kjo shkencë, kjo doktrinë, e cila është më e lidhur me shumë se çdo gjë tjetër me politikën, të pësojë deformime të mëdha, manipulime të mëdha dhe të pamerituara. Unë jam i vetëdijshëm se marrëdhëniet e individëve me historinë janë nga më komplekset, jam i vetëdijshëm se në qëndrimet ndaj tyre, ndikon shumë dhe emocioni njerëzor; por në këtë vit të 100 ne kemi 100 arsye për ta parë atë me gjakftohtësi. Marrëdhëniet njerëzore me historinë janë shumë komplekse, por kjo nuk duhet të na pengojë ne të nxjerrim në pah kontributet dhe pozivitetet e saj; sikundër nuk duhet të na pengojë ne në mënyrë realiste të përcaktojmë qëndrimet e gabuara të gjithsecilit. Po jap një shembull; Bajram Curri, tribun legjendar në kryengritjet e Kosovës, po a veproi drejt që sulmoi ushtarakisht kryeministrin Ahmet Zogu; nuk e bëri, nuk i takonte një gjë e tillë. Por a e zvogëlon kjo figurën e Bajram Currit? Jo, nuk e zvogëlon sepse jashtë teorisë së gabimit askush nuk del. Bajram Curri është një kolos dhe një tribun i vërtete në udhëheqjen e kryengritjeve që sollën Pavarësinë. Ose merr Nolin. Kush i ka shërbyer kombit më shumë se Noli në njohjen e tij ndërkombëtare. Ai është dhe do mbetet diplomati më frymëzues i kohërave. Por pastaj kryeministër me short, nuk ishte zgjidhja, të themi atë që është, por këto nuk e zbehin figurën e tij. Këto janë realitete historike që ne duhet ti themi siç janë. Historia bëhet edhe për të nxjerrë mësime, sikundër bëhet gjithnjë ne sensin e vlerësimit real të zhvillimeve.
Çfarë do të mbetet në histori nga ju, çfarë do t’ju njihet pas shumë viteve?
Si mund t’i bësh këtë pyetje një njeriu që s’ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme për historinë. Unë nuk punoj për historinë, unë bej punën time të përditshme. Gjithë problemi im është se unë nuk kam asnjë përkujdesje që të punoj për historinë. Unë punoj në ato që besoj, kam një pasion të madh për të gjitha projektet që unë besoj.
Kalojmë te përditshmëria politike. Nesër (sot) është 21 janari ku përveç Kongresit të Lushnjës ku mesa dimë Qeveria do të ndodhet atje për kujtimin e kësaj ngjarje të madhe historike, opozita ka ftuar qytetarët të bëjnë një homazh në përkujtim të 21 janarit të një viti më parë. Ju keni deklaruar se vazhdoni ti qëndroni mendimeve që keni dhënë më 23 janar të një viti më parë. Është një deklaratë që në fakt më shumë është komentuar si një kërcënim për Edi Ramën, sepse keni thënë të gjithë janë të amnistuar përveç atij?
Absolutisht asnjë kërcënim, por thjesht një qëndrim real, nga i cili nuk do të lëviz ndonjëherë.
Që do të thotë?
Që do të thotë unë u rrethova njëherë me zjarr, me gurë, me hunj në zyrën tim, unë që isha kryeministri i zgjedhur në mënyre legjitime. Që do të thotë në mënyrën më tragjike ky rrethim u shoqërua me 4 viktima, një humbje e dhimbshme me plagosjen e qindra e qindra të tjerëve; policë, gardiste qytetarë dhe të gjitha këto për të marrë me dhunë këtë institucion.
Mendoni se kishte një skenar për ta marrë me dhunë pushtetin?
Unë nuk e di se kush nuk e mendon këtë. Nuk di se kush nuk e mendon këtë. Të gjithë ata që panë me qindra e mijëra gurë, që panë të sulmohej dera kryesore e kryeministrisë dhe të hapej me makinë, që panë të fluturonin shishet molotov por edhe plumba; e kanë të qartë se ajo ishte një axhendë dhe në gjithë këto pesë orë, kryetari i opozitës u instalua në godinën përkarshi me një megafon me besimin e verber se do të vinte dhe do të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime.
E keni të saktë këtë?
Absolute, shumë të saktë dhe shumë të sakta edhe gjëra të tjera; edhe për tjetrën që kishin futur armë ne bodrumin e asaj ndërtese ku rrinte kryetari, te dy kullat. Dhe se në fund çuan mesazh se do të sulmojnë me kallashnikov dhe morën përgjigje se vend mbi tokë nuk do të gjeni nëse dilni qoftë edhe me një të vetëm. Pra këto ishin zhvillimet e asaj nate dhe dihet këtë nuk e bëri me kokë të vet, këtë e bëri me mbështetjen e fuqishme të atyre të cilët donin mandatin e dytë dhe e dinin se nga unë nuk do të propozoheshin.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi...?
Absolutisht, me mbështetjen totale të prokurores, të presidentit, etj. Dihen tashmë. Këto veprime u bënë në një koordinim makabër. Natyrisht kishte disa opsione, mund t’ju a ktheja reston në mënyrën më të vendosur.
Që do të thotë?
Që do të thotë se mund të merrnin atë që meritonin por interesa të tjera prevaluan, interesi që e keqja duhet zvogëluar. Së dyti më takonte mua që të bëja gjithçka për të ruajtur rendin kushtetues, për të mos cenuar unë kushtetutën. Unë e dija se çështja do të hetohej, nga një prej pjesëmarrësve të këtij puci e këtij veprimi. Dija gjithçka, por midis hetimit nga zonja që i pritet mandati dhe hetimit nga një prokuror tjetër i emëruar nga unë, apo nga kjo mazhorancë; natyrisht pastaj në cenim të shumë rregullave; kjo e para ishte më e përshtatshme për vendin sesa e dyta.
Pra keni pasur plan që edhe ta shkarkonit kryeprokuroren?
Jo ajo nuk meritonte shkarkim, ata meritonin shumë më tepër se shkarkim, sepse ata të cilët u angazhuan në një veprimtari antikushtetuese, për të rrëzuar me forcë një qeveri legjitime, për ata ligjet janë të qarta.
Pra meritonin arrestimin?
Ata meritonin ligjin dhe nuk e morën ligjin. Unë ato fjalë që ju kam thënë atyre, as nuk i heq, as nuk i kam hequr dhe as nuk do t’i heq. Quaje grusht, apo quaje tentativë për përmbysje pushteti me dhunë, se dëgjoja një ditë, një rudiment politik që thoshte se grushti bëhet kur rrëzohet Presidenti; Presidenti është simbolik, në Republikë Parlamentare është Qeveria.
Pra kur rrëzohet qeveria?
Po pa diskutim. Kushdo që e lexon nuk mund të thotë...
Presidenti tha që unë nuk i kam qëlluar me grusht vetvetes…?
Tani, është mirë ta lëmë këto 6 muaj, se kam vendosur që këto 6 muaj të rrijë, të formojë atë parti se e ka kthyer presidencës në parti unë nuk do të merrem me të. Por historia është kjo për ta mbyllur, kjo çështje edhe një çështje e rëndë, pa diskutim. Kam pranuar një skemë, kam pranuar skemën e hetimit të organizatorëve, kam pranuar skemën e hetimit të vrasjeve plotësisht, sepse çdo vrasje meriton hetim të plotë, qartësimin e çdo rrethane; kam pranuar skemën e hetimit të sponsorizuesve të tyre. Deri sot qoftë edhe një organizator i vetëm nuk ekziston.
Kjo skemë kur është negociuar, kur është rënë dakord për të?
Pse, se ajo nuk negocion se, ajo që heton është një organizatore, është pjesë e këtij puçi.
Është akuzë e rëndë për Kryeprokuroren kjo?
Absolute, është absolute pjesë, janë të verifikuara këto. Ata të cilët organizuan këtë kishin dy skenarë: njëri ishte që natyrisht do pushtonin zyrën dhe do ishin të qetë, në variantin tjetër ishte se do më bënin rreshtore, ata e dinë. Rreshtore kryeministrit të zgjedhur me votën e lirë të shqiptarëve. Por ky është një kapitull që nuk mbyllet kurrë pa hetim dhe këtë unë më mirë të jem i hapur me çdo shqiptarë, ky kapitull mbyllet pasi të zbardhen të gjitha përgjegjësitë; të organizmit, të sponsorizimit, të vrasjeve, të dëmeve. Deri tani në hetim as edhe një organizator i vetëm. Përkundrazi deri tani organizatorët kryesorë komandojnë prokurorinë e shtetit, komandojnë prokurorinë e shtetit, ta them unë
Kush janë organizatorët kryesorë?
Dihen ata. Ne kemi një komision hetimor parlamentar,i cili sa të jetë në pushtet kjo forcë politike do të jete i gatshëm. Por tani për tani, dhe bëmë prapë mirë, menduam që kjo të mos konsiderohet një presion ndaj drejtësisë, ai është një komision “on-hold”. Cili ishte motivi i 21 janarit? Ishte një shirit i transmetuar, një regjistrim në të cilin Kryeministri nëpërmjet manipulimit lidhej me një ngjarje që nuk kishte asnjë lidhje. U bazuan në një shirit, i cili lidhi Kryeministrin me një ngjarje që s’kishte asnjë lidhje, lidhi zv/kryeministrin; drejtësia dha fjalën e vet, por një gjë që e kam thënë edhe në atë kohë dhe e përsëris se ky shirit është prerë dhe ngjitur 28 herë. Mjafton të vije kufjet në vesh dhe çdo njëri kuptonte se ajo ishte e tëra një montim i neveritshëm, por montim ama që u përdor për të ftuar njerëzit në Tiranë, se qeveria paska bërë hatanë. Të gjitha këto rrethana janë dhe do të hetohen. Nuk i kam thënë Edi Ramës asnjë kërcënim dhe duhet ta dijë se nuk e kërcënoj kurrë, por duhet ta dijë se i qëndroj fjalës sime në mënyrën më absolute.
Në fakt nëse e lexon merret si i tillë...
Jo nuk është kërcënim, por nuk lëviz nga pozicioni im.
Nuk ju amnistoj, çfarë do të thotë?
Do të thotë se nga 2005 e deri më sot ai ka qenë në mbrojtjen totale të këtij shteti, të cilin ai me një grusht banditësh dhe kriminelësh erdhi të rrëzoje me dhunë një kryeministër të zgjedhur me menynë legjitime. Kurrë ndonjëherë ai nuk mund ta kapërcejë këtë pa u bërë drejtësia siç duhet.
Thoni se do të hetohet, keni parasysh këtu faktin se do të zgjidhet një president i ri dhe më pas kjo mazhoranncë për shkak të mbarimit të mandatit do të zgjedhë një Prokurore ose Prokuror të ri, këtë keni parasysh me hetim?
Ngjarje të tilla të rënda nuk amnistohen kurrë. Jo. Ngjarje të tilla të rënda kanë vetëm një përgjigje hetimin e plotë dhe të vërtetën në shesh.
Pra keni parasysh me këtë rihetim pas ardhjes së prokurorit të ri të përgjithshëm?
Ky është një problem i rëndësishëm, që duhet të të marrë zgjidhje ligjore. Por të jesh i bindur që ato dy ditë me Bamir Topin dhe Ina Ramën janë zhvilluar, jo nga unë, dhjetëra kontakte, dhe e kanë shitur dhe blerë njeri-tjetrin ata gjatë atyre dy ditëve nja 15 herë. Por problemi i tyre ishte se ishin bashkërisht në tavë.
Paskan qenë të përgjuar?
Jo, i bindur të jesh jo. Nuk ke për të gjetur kurrë, mbaje mend këtë, njeri që të thotë se më përgjoi Sali Berisha.
Çfarë përgjegjësie ndjeni sot pas një viti për 4 të vrarët?
Absolutisht, ndiej një dhimbje dhe keqardhje të madhe, por në mënyrë absolute, dhe njëherë dhe 100 herë mund të theksoj se një institucion i një vendi të lirë nuk mund të pushtohet. Pse? Ai nen i kushtetutës që i jep të drejtë opozitës të protestojë kudo... shiko, janë të pakta vendet në Europë ku protestohet para dritares së Kryeministrit.
Edhe ju keni protestuar në opozitë...
Po, ky është një standard dhe do të protestojnë sa herë të duan dhe do të kenë garanci të plotë. Është një opozitë që nga 2005 e deri më sot ka organizuar 1753 protesta, ka pasur 3 të dhunshme; është një opozitë që është toleruar. Kur bllokuan në Londër, me gjyq i pastruan, nuk i lejova të shkojnë ne gjyq administrata dhe njerëzit.
Po flisni për grevën e urisë?
Me grevën e urisë këta kishin skenarin të futeshin, po ai skenar nuk u bashkërendua dot me ata të tjerët që u bashkërendua më 21 janar.
Për 4 viktimat...
Keqardhje e madhe
Kush ka dhënë urdhër, keni dhënë ju urdhër apo ndonjë vartësi juaj?
Në mënyrë kategorike dhe absolute as edhe një urdhër. Urdhri ishte ky, që ta dish ti, ai që do të hynte brenda ai nuk do të mund të dilte më, i vetmi urdhër. Rrethimi është atribut i gardës, ndërtesa do të mbrohej nga të gjithë punonjësit, ishim të gjithë në punë dhe këtu nuk mund të hynte njëri dhe ne ishim shumë të qetë. Cili është ligji i gardës? Ligji i gardës është ky, po e gjuajte ushtarin me gur, me dru, me çdo gjë tjetër, nuk të gjuan me gur, nuk të gjuan me dru; nuk ka ushtar në botë që po ta gjuash nuk të drejton armën. Nuk ka ligje në botën demokratike që kur një ushtar i gardës gjuhet me tulla, gjuhet me gur, nuk i thotë: 1 qëllo në ajër: 2 në qoftë se vazhdon qëlloje te këmbët: 3 qëlloje direkt. Këto janë të përcaktuara në ligjet e gardës të të gjitha vendeve demokratike. Në këtë kontekst nëse ndokush ata pesë apo dhjetë ushtarët rreth e rrotull i konsideronte derra apo viça lope që mund të lëshonin breshëri tullash dhe gurësh dhe ata do të bënin sehir, gabon. Nuk di, jo gardë, por nuk di ushtar në vendroje, i cili të mund të qëllohet me gurë dhe të mos reagojë.
Po thoni se katër viktimat kanë ardhur nga garda për shkak të detyrës?
Jo unë them këtë, garda ka qëlluar në zbatim të ligjit, sesi kanë ardhur viktimat kjo do jetë një proces hetimi. Këto do të jene të tëra në hetim, nuk më takon mua; por unë them se ushtar në këtë vend që të qëllohet me objekte të forta që të sulmohet dhe agresohet nuk ka që të mos reagojë në përputhje me ligjin.
Keni deklaruar atë ditë se nga protestuesit ka pasur pistoleta armë, çadra armë.
Të gjitha janë informacionet
Ka diçka që duhet të ridimensiononi pas një viti nga informacionet që keni thënë?
Tani për tani hetimin në dorë e kanë ata të cilët ishin pjesë e këtij skenari, por unë kam përzgjedhur vete këtë si diçka më të afërt me kushtetutën. Natyrisht në mënyrën më të padiskutueshme kurrë ndonjëherë nuk do të pranoj që kjo çështje të mos zbardhet tërësisht.
Pra ju i qëndroni deklaratës që keni thënë se ka pasur njerëz me çadra-pistoletë?
Unë i qëndroj informacionit që kam pasur. Unë kam pasur atë informacion dhe informacione të tjera, por këtu 1 vit rresht as edhe një organizator i vetëm nuk është pyetur.
Me sa di unë është pyetur Sajmir Tahiri?
Në parlament nuk ka as edhe një kërkesë për heqje imuniteti, për marrje në ndjekje, asnjë zyrtar; çka do të thotë se nuk ka, se pse janë thirrur aty nuk di gjë.
Ka pasur një problem në atë kohë pas firmosjes së urdhër-arresteve për zinxhirin drejtues të Gardës dhe nuk u lejua ekzekutimi i këtyre urdhër arresteve nga ana e policisë.
Jo, nuk u lejuan nga kryeministri.
Ju nuk i kini lejuar?
Jo nuk u lejuan nga kryeministri, po sigurisht. Po të urdhëroja policinë unë ajo do të ndodhte; por a mund tua jepnim bandave ne kryeministrinë. Dhe jo vetëm unë ka pasur një ndërhyrje të gjithanshme dhe besoj se ajo u faktua se ishte tërësisht pjesë e skenarit.
Cili ishte skenari?
Skenari ishte, që personi i cili ishte ne zyrën e tij dhe kishte vetëm një detyrë, evakuimin e kryeministrisë, që unë nuk evakuohesha kurrë, por ata bëjnë planet e tyre; ai duhej arrestuar që nuk kishte qenë kurrë këtu dhe ish-komandanti i gardës. Këto janë çështje hetimi, por ka element të shumtë. E para kjo, e dyta nuk kemi qenë absolutisht kundër marrjes në ndjekje, jo. Por ndjekje të lirë, se nëse ti e merr nga komandanti i gardës deri te i fundit çfarë u thua; ti u thua kriminelëve sulmoni e merreni se nuk ka kush e mbron më. Kjo ishte një aventurë, sepse kjo do të mbrohej me çdo çmim, këtë se merrte dot kurrë. Pra nuk ka këtu asnjë lloj përpjekje për të penguar, por ka një përpjekje nga ata të cilët u dështoi, nuk dëgjuan dot fjalimin nga ballkoni i kryeministrisë dhe menduan se të nesërmen mund ta realizonin meqë pati viktima.
Ju po thoni që urdhri për arrestimin e 6 drejtuesve të gardës ishte vazhdim i planit?
Absolutisht, kryekëput. Pse nuk u zbatua? Unë në bazë të ligjeve të vendit dhashë urdhër që të mbahej “on-hold”, ka ligje që përcaktojnë këtë për shkak të detyrës, pse nuk ndodhi kjo pas 3 muajsh, pas 5 muajsh, pse nuk ndodhi?! Ke dëgjuar ta kem penguar unë. Kush e pengoi? Ekspertët e huaj, jo përkundrazi. Po pse do të ndodhte vetëm 5 orë prapa, pa pasur asnjë fakt asnjë provë dhe asgjë. Po pse Edi Rama do të dilte në konferencë shtypi dhe do të citonte Ina Ramën?! Më thuaj pak si mund të ndodhte kjo. Ai që ishte organizatori kryesor për të marrë pushtetin me dhunë. Janë të gjitha të regjistruara.
Thuhet se pamjet që janë filmuar nga kamerat e kryeministrisë janë fshirë nga serveri qendror?
Absolutisht nuk kam asnjë dijeni se janë fshirë qoftë edhe një gjë. Ajo që unë kam bërë që në orën 7 të darkës kam urdhëruar që gjithçka, ne nuk kemi një sistem kaq të përsosur por diçka kemi, për rrethimin unë them se duhet të jetë i gardës. Grupi im nuk ka sistem. Grupi im detyrat e veta. Unë kam një grup si çdo kryeministër dhe ai ka detyrat e veta. Kështu që gjithçka ka ndodhur para kamerave. Nuk kam dijeni që të jetë fshirë qoftë edhe një segment. Kam dijeni që nuk ka qenë i gjithë territori i survejuar dhe prapë mund të mos jetë i tërë territori, varet nga mjedisi, kjo është çështje ekspertësh dhe jo çështje të miat.
Ato ditë janë parë ushtarë të gardës të marrin mjekimin brenda territorit të kryeministrisë dhe nuk janë çuar në spital?
Tani sesi e kanë rregullin ata, tani unë nuk mund të them se cila plagë shkon në spital dhe cila plagë, kjo është çështje e ekipit. E rëndësishme është se një ambulancë ka ardhur dhe i ka mjekuar. Ambulanca ka pasur një mjek dhe një ndihmës mjek dhe ato kanë vepruar mbi gjykimin sepse në spital edhe kanë dërguar.
Këto ditë në media është shfaqur një intervistë e të afërmit të njërit prej viktimave të 21 janarit sikur ju, pretendohet që keni dërguar persona pranë tyre për t’i takuar, për t’u dërguar para, për të shkuar në varrim; a ka ndonjë të vërtetë këtu?
Në mënyrë absolute as kam dërguar dhe as nuk dërgoj, as nuk e njoh. Kam shprehur ngushëllimet e mia dhe pa diskutim keqardhjen më të sinqertë. Dhe nga ana tjetër kurrë ndonjëherë një institucion kushtetues nuk do të mund të pushtohet, do të mbrohet, do të mbrohet vetëm do të mbrohet.
Shihni një paralele mes 21 janarit dhe 14 shtatorit 1998?
Në 12 shtator u vra Valesa i shqiptarëve, Azem Hajdari. Kush e vranë, e vranë majorë dhe kolonelë të policisë së shtetit, është faktuar kjo. Më 12 shtator në një konferencë për shtyp timen të parë kam dhënë emrat e vrasësve një për një, siç m’i thanë dëshmitarët dhe ata u mbrojtën për muaj e muaj të tërë nga shteti. Dhe vrasje të tilla në histori janë shkaqe të tronditjeve më të mëdha të një vendi. E dyta, absolutisht kam bërë gjithçka që funerali të mos ndalonte para kryeministrisë. E treta, në skenarin kryeministria ishte boshatisur. Siç e dini ata që më rrethuan dhe sulmuan mua atë ditë, unë isha në zyrë. Ata që erdhën te dera e kryeministrisë gabuan dhe faktikisht nuk gjetën njëri brenda gjetën vetëm muret. E katërta u vranë katër vetë dhe për ato vrasje nuk ka asnjë njëri të penalizuar deri më sot. Cila është ngjashmëria? Nëse ekzekutohet simboli i një lëvizje që nxori shqiptarët nga diktatura dhe ekzekutohet te selia e partisë së tij në mënyrën më demonstrative, dhe ekzekutohet nga uniformat e shtetit. Ata të cilët bëjnë paralelizëm ata dëshmojnë thjesht një primitivizëm politik dhe asgjë tjetër, sepse këto janë dy ngjarje pa asnjë krahasim. Dhe po ti marrësh kështu, më 14 shtator ‘ 98 ishte bosh, ndërsa me 21 janar ishte plot kryeministria, edhe Erla ishte këtu në detyrën e vet, të gjithë ishin.
Para zgjedhjeve të 2005 jeni deklaruar se do ta rihapni hetimin për Azem Hajdarin për shkaqet e vërteta që nuk dolën kurrë në fakt?
Në fakt është një problem madhor, të dhënat e më pasme kanë faktuar se aty kishte një luftë të brendshme brenda kupolës qeveritare. Një gjë është, që në tërësi, ata të cilët ekzekutuan Azem Hajdarin morën dënimin. Nuk u sqaruan qartësisht dhe juridikisht ata qe e organizuan atë vepër dhe natyrisht në dritën e fakteve të reja çdo gjë mund të rishqyrtohet por duhen fakte dhe dokumente. Nuk është e thjeshtë të gjenden. Dëshira është e madhe por duhen fakte.
Doja të vazhdoja me kërkesën tuaj për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, a ka një kontradiktë këtu sepse nuk mund ta shkarkojë parlamenti?
Nuk ka asnjë kontradiktë. Në doktrinë ai institucion që të emëron ai të shkarkon. Më shumë se çdo institucion tjetër, ai ka përgjegjësinë e emërimit ai ka edhe përgjegjësinë e shkarkimit. Si qëndron e vërteta. E vërteta është se, ky binom, ky çift Topi-Spahiu, kanë vendosur ne krye të institucionit një standard dhunues për kushtetutën e vendit. Fyes, rrënues për institucionet kushtetuese që drejtojnë por njëkohësisht fyes për çdo qytetar. Pse? Cilido që të jetë personaliteti, presidenca është një institucion i nderuar i vendit dhe pavarësisht nëse ka ose jo kompetenca është institucioni numër një i vendit. Kjo është e vërteta. KLD-ja është qeveria e drejtësisë, e një sistemi që është më i rëndësishëm se çdo sistem tjetër, më i rëndësishëm se çdo institucion tjetër për sa i përket lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Në qoftë se në krye të këtij sistemi, ata që drejtojnë këtë sistem, merren e transformojnë dhe shfrytëzojnë qenien aty për të krijuar një parti politike unë po të garantoj se, kjo nuk ndodh kurrë dhe nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një vendi të lirë.
Në fakt bëhet fjalë për dy parti...
Ato janë skemat e Ramës, skemat e Ramës nuk më interesojnë mua. Këtë e dinë të gjithë. Ai më kujton ata barinjtë. Barinjtë kanë një gjë interesante çdo qengj që therin i lexojnë shpatullën me pasion. Dhe te shpatulla ata lexojnë motin lexojnë luftëra, kohërat gjithçka. Rama ka kaq kohë që lexon në këtë shpatull dy parti dhe ju thotë vartësve të tij se shpëtuam prej tyre. Ok, s’ka gjë, për këtu unë nuk e qortoj dhe ka angazhuar të gjithë propagandën e tij të fuqishme se na ka ngelur pa parti dhe e majta do i krijojë parti të djathtës. Kjo është absolutisht jo shqetësimi ynë. Po të qe kjo mua më interesonte të rrinte aty ku është, se çdo ditë dhe më shumë para shqiptarëve do të zhvishej gradualisht, po të qe për interes partiak do të ishte të dilnin çdo ditë se kush janë. Interesi i i vendit i kushtetutës është i papajtueshëm. Një nga arritjet e pamohueshme të këtij sistemi juridik, që ka plot të meta, është shkalla më e lartë e depolitizimit. Nuk ka një sistem tjetër në këtë vend që të jetë me shkallën e depolitizimit që ka gjyqësori shqiptar, dhe e kanë faktuar. Tjetër punë se çfarë flasin njerëzit. Por, po të marrësh vendimet e tyre, ata këtë e kanë faktuar. Kjo është një arritje e madhe për vendin. Kanë probleme të tjera, unë nuk them, por tani çfarë mesazhi u jep ti këtyre 360 grave dhe burrave, të cilët në ligjin e tyre, në detyrën e tyre, e kanë për detyrë për të qenë të depolitizuar kur ti pisket nga maja e piramidës ku të ka vendosur parlamenti dhe vendi në emër të një partiçke që s’bën asgjë, vetëm sa fyen sistemin. Çfarë mesazhi, çfarë autoriteti, çfarë besimi ka ky njëri dhe këta dy zotërinj te këta njerëz të cilët janë gjykatës përjetë nëse nuk bëjnë shkelje të mëdha ligjore, të cilët presin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbështetje, reformime, disiplinime dhe katandis KLD-në në një pozitë kaq qesharake.
Zoti Spahiu e bën detyrën e Aleancës Kuqezi jashtë orarit të punës...
Jo more zotëri. Zoti Spahiu po të donte te realizonte projektin e Edi Ramës i thoshte që unë po jap dorëheqjen në radhë të parë, që ta kem të gjithë kohën e lirë dhe të luftoj nga mëngjesi deri në darkë kundër Sali Berishës. Është kështu apo jo?
Po ta ketë sfidë personale... Çdo njeri ka të drejtë të ketë ambicie, apo jo?
Unë e quaj normale? Absolutisht e quaj normale. E quaj normale, s’kam asgjë me të. E thashë edhe një herë, për interes timin dhe të partisë sime ai më mirë të jetë atje. Por jo, se është interesi i vendit përpara dhe atje nuk mund të jetë, se e ka katandisur këtë institucion në gjendjen më qesharake, më të mjerë që ka ekzistuar ndonjëherë. Kurrë KLD në Shqipëri nuk është shndërruar në një parti përveç kësaj here. Këtu nuk është ai. Më fal, këtu është Bamir Topi. Ke dëgjuar ti të shqipërojë ndonjë fjalë Topit për Spahiun që e nxjerr poshtë e përpjetë këtë...
Mund të jetë angazhim jashtë institucioneve?
Më fal një minutë, që nënkryetari im të zhvillojë një veprimtari tjetër nga ajo për të cilën e kam propozuar kjo nuk mund të ndodhë, ose do të lejë detyrën e nënkryetarit dhe do të shkojë të bëjë ç’të dojë si njeri i lirë, ose do t’i përmbahet statusit. Por, kjo ndodh sepse faktikisht ky është vetëm lojtari, pasi direkt partia është e Bamir Topit. Ç’është kjo parti tani? Parti e cila luftoi kundër censusit. A luftohet, a bën një institucion kaq serioz luftë kundër censusit?
S’e ka bërë institucioni, e bëri Aleanca...
Por, të lutem, institucioni përfaqësohet, ky nuk është një anëtar i KLD-së, se po të ishte një anëtar prapë do të mbaja një qëndrim, ky është një drejtues i KLD-së, ky është nënkryetar. “De facto” pothuajse kryetar. Pse? Për vetë funksionet e presidentit janë të atilla saqë shumicën e mbledhjeve i drejton ky. Ky e udhëheq KLD-në. Pra ka ndodhur ky element, më primitivi në historinë 20-vjeçare të vendit: dhe mund të rri unë, mund të rrijë mazhoranca duarkryq përpara këtij. Mazhoranca do ta shkarkojë.
Meqë pranohet nga të gjithë tashmë se zoti Topi s’do të jetë për një mandat të dytë, e ka deklaruar vetë dhe ju e keni deklaruar se nuk do ta mbështesni. Pothuajse të gjithë ambasadorët e rëndësishëm në Tiranë kanë deklaruar që Presidenti i ardhshëm duhet të jetë konsensual, përfshirë ambasadorin e SHBA-ve që e ka bërë këtë deklaratë në korrik të 2011 pas zgjedhjeve të 8 majit...
Tani, unë kam një respekt shumë të madh për konsensusin, sikundër theksoj se politika nuk është konsensus.
Pra do të vazhdoni t’i qëndroni asaj që keni thënë se Presidenti i ardhshëm do të jetë një nga drejtuesit e PD-së?
Kushtetuta për mua është monarku absolut i ligjeve të vendit.
Pra do të jetë një nga drejtuesit e PD-së Presidenti i ardhshëm?
E kam theksuar se një nga drejtuesit, ose çdo drejtues aktual i PD-së gjykoj se ka personalitetin dhe integritetin për t’u ulur në karrigen e Presidentit.
Ato janë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe Ridvan Bode...
Më vjen keq, nuk janë vetëm këta. Tani të themi atë që është. Partia ka disa drejtues, ka jo pak, ka shumë drejtues të tjerë. Por, kam përjashtuar veten time.
Në 2013 do të jeni kandidat i mazhorancës për kryeministër?
Me kënaqësi, me vendosmëri, me përkushtimin më maksimal. Ai mandat përbën për mua një lloj magneti, përbën për mua një magnet, një motiv, një frymë të vërtetë sepse ai mandat është mandati përcaktues Shqipëria vend i zhvilluar.
Nuk ka ardhur momenti zoti kryeministër, pas 8 vitesh në qeveri, pas 22 vitesh në politikë të tërhiqeni të paktën nga gara për kryeministër në 2013 t’i hapni vendin një garuesi tjetër, një kandidati tjetër brenda mazhorancës?
Betejat nuk fitohen me hapje vendi, ato s’janë fitore. Kështu që, unë këtë forcë politike, këtë projekt që kemi nisur, i cili ka transformuar Shqipërinë më shumë se çdo projekt tjetër në historinë e vet do ta vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Natyrisht do të qëndroj kryeministër për aq kohë sa do të më votojnë shqiptarët. Nuk do të zemërohem kurrë me ta ditën që ata s’do të më votojnë mua. Unë kam një mirënjohje të pafundme, jam njeriu që kam në shpirtin tim vota dhe besim të tyre që kurrë ndonjëherë, ndofta nuk u dal dot borxhit.
Të dyja rezultatet janë në lojë, nëse kjo mazhorancë i humbet zgjedhjet, garantoni rotacion të qetë pushteti siç Fatos Nano bëri në 2005?
Absolutisht do të respektohet verdikti i qytetarëve në mënyrën më të vendosur dhe më të civilizuar. Por....
Atë e dimë.
Por, problemi është këtu se ata kanë një kontratë të fuqishme morale me Sali Berishën.
Nëse ky rotacion normal pushteti ndodh dhe humbisni, është momenti për t’u tërhequr si Fatos Nano në 2005?
Nuk do të merrem me politikë më ditën që shqiptarët do të më thonë se ne kaq besojmë. Unë kam fusha të miat të cilat më presin.
Përpara se të përmbyllim pjesën politike ka diçka me reformën elektorale. Jo më larg se këtë javë, një nga aleatët tuaj kryesorë në bashkëqeverisje, zoti Meta, ka deklaruar se do të donte nga reforma që do të donte dy gjëra: Korrektim kombëtar të sistemit ose një rishpërndarje të re të qarqeve për arsye elektorale. Jeni gati të ndryshoni diçka dhe t’i merrni parasysh kërkesat e aleatëve?
Reforma elektorale është një proces negociatash të gjithanshme. Unë nuk mund të mos jem i hapur për negociata me Ilir Metën kur negocioj gjithë ditën me Edi Ramën, përfaqësuesit tanë, kështu që është normal që do të negociohet.
Ju keni thënë që nuk jeni për ndryshimin e sistemit. Edhe kjo është e pa negociueshme?
Kjo është sepse kërkon ndërhyrje në Kushtetutë.
Por jeni gati për çdo ndryshim që nuk kërkon ndërhyrje në Kushtetutë?
Më bëtë një pyetje pak të komplikuar. Pse? Sepse doktrina elektorale është komplekse dhe nuk mund të them se do të pranoj çdo ndryshim pasi mund të ketë ndryshime të barasvlershme të Kushtetutës, dua t’i shoh këto, jam i hapur për negociata, sistemi nuk ndryshon, jo për ndonjë dashuri të madhe, por s’është serioze të ndryshosh sistemin çdo 3-4 vjet.
Po korrektimi që nuk kërkon ndërhyrje?
Ka mendime nga më të ndryshmet. Më mirë t’i lëmë ekspertët të vazhdojnë diskutimet.
Jeni i hapur edhe për ndryshime të mundshme?
Unë nuk po them tani, por duhet të shoh format e propozimeve.
Në kuadrin e diskutimit për reformën elektorale ka diskutime për dy gjëra të tjera esenciale, për mënyrën e kompozimit të KQZ, por edhe për mënyrën e votimit. Si mendoni, është koha dhe si mund të jetë një KQZ sa më pak e atakueshme dhe si mund të jetë një mënyrë votimi që të jetë edhe e shpejtë, edhe e pakontestueshme mundësisht?
Unë mund të them një gjë që, për reformën elektorale po diskutojmë për përfaqësuesin tim një nga njerëzit që e njeh dhe ka njohuri më të shkëlqyera në këtë fushë. Mendoj, që po kështu, Damian Gjiknuri ka njohuri në këtë fushë. Njohuri të shkëlqyera ka pasur Kastriot Islami, u bë kurban dhe ia veshën atij fajin pse humbën zgjedhjet. Tani, unë nuk dua as të paragjykoj, as të përcaktoj paraprakisht sepse ajo që po ju garantoj që me seriozitetin më të madh unë shqyrtoj propozimet e përfaqësuesve tanë. Përfaqësuesit tanë aty, Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi si deputetë kanë ekspertizën më të lartë. Kështu që, ky është një problem që të dy palët kanë specialistë, kanë njohës të mirë, disa vendime janë politike, por nuk është se përcaktojmë ne Kodin Zgjedhor.
Jeni për votimin elektronik?
Unë personalisht jam, edhe për diasporë, edhe për elektronikë jam.
Edhe për pjesëmarrjen e emigrantëve?
Jam plotësisht dakord.
Janë në axhendë për t’u diskutuar?
Unë them se po. Ne kemi ngritur këtë çështjen e emigracionit, e kemi ngritur edhe më parë, PS erdhi në këto arsyetime dhe ne e mirëpresim.
Ju keni thënë që LSI-ja është e mirëpritur, nëse dëshiron le të bëjë propozimet dhe të bëjë ndryshimet e veta në postet që i takon brenda qeverisë, pra për rikthimin e zotit Meta. Keni ju ndonjë indicie nga LSI dhe Ilir Meta për këtë rikthim?
Qëndrimi im është konstant. Partive të koalicionit nuk u diktoj unë, por unë respektoj vullnetin e tyre. Absolutisht në rast se ato nesër vendosin kandidaturat e tyre për ministra, unë i pranoj sigurisht. Tani, Ilir Meta mendoj se ndoqi një proces në mënyrën më transparente dhe më serioze. Ishte zëvendëskryeministër dha dorëheqjen, nuk njohu imunitet mbi një dokument 28 herë të prerë dhe të ngjitur. Kërkoj burrërisht dhe mençurisht Gjykatës së Lartë që çështja të trajtohet në themel, Gjykata e Lartë vendosi në unanimitet për pafajësinë e Ilir Metës. Në një shoqëri ku kokë e turkut është akoma e preferuar, në kuptimin figurativ të asaj fjale që përdorim ne, kjo mund të krijojë një lloj mërzitje. Por për një shoqëri të lirë të shtetit ligjor ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe pozitiv. Ilir Meta ndoqi një proces, kërkoi një gjykim në themel në mes të gjykatës, të Gjykatës Lartës që dhanë atë vendim.
Keni sinjal për t’u kthyer shpejt?
Nuk më ka shprehur asnjë lloj mendimi. Pranoj pa asnjë diskutim.
Takimet tuaja në shtëpinë e Ilir Metës dhe në Rogner përpara vendimit të Gjykatës së Lartë janë konsideruar nga një pjesë e medias si një presion që ju keni bërë para vendimit...
Prapë këtu jemi në një paragjykim dhe një paragjykim shumë të pa vend. Pse? Ilir Meta është kryetar i LSI, e cila është aleat kryesor i këtij koalicioni dhe ky koalicion, pa LSI-në nuk ka votat për të krijuar mazhorancën. Pra, jo vetëm që është kryesore, por ka edhe një peshë specifike të veçantë. Me Ilir Metën jam takuar dhe takohem në mënyrën më konstante. Kemi darkuar dhe do të darkojmë. Kemi pirë kafe, në mënyrë absolute, kurrë nuk ka kërkuar tek unë as edhe gjënë më të vogël. E kam përgëzuar kur kërkoi dhe iu miratua kërkesa për shqyrtimin në themel sepse ai mu duk mua veprimi më i goditur. Ndaj edhe të mendohet kështu është një paragjykim.