E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me risi

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të premten është grumbulluar në Prishtinë. Ky kamp, i cili është i dyti me radhë që nga emërim i Albert Bunjakut në krye të përfaqësueses së Kosovës, do të zgjasë tri ditë.

Selektori Albert Bunjaku të premten publikoi edhe listën me emrat e 22 futbollistëve të ftuar për këtë grumbullim. Ashtu siç kishte paralajmëruar Bunjaku, të gjithë lojtarët e thirrur në këtë kamp aktivizohen në Superligën e Kosovës.

Shumica e të ftuarve janë lojtarë që nuk janë ftuar në tubimin e muajit të kaluar, me përjashtim të katër futbollistëve, derisa mosha mesatare e tyre është rreth 21 vjeç.

Në përfaqësuese kësaj radhe janë ftuar gjashtë lojtarë të Hysit, pasi herën e parë nuk ka mundur ta ftojë asnjë, ngase kanë qenë të angazhuar me skuadrën e tyre për ndeshjen e Superkupës mbarëkombëtare.

Tre futbollistë janë ftuar nga klubi i Prishtinës, ndërsa nga dy lojtarë janë thirrur nga Trepça e Liria. Nga një futbollist është ftuar prej Vëllaznimit, Besës, Kosovës (V), Gjilanit, Ferizajt, Flamurtarit, KEK-ut, Drenicës dhe 2 Korrikut që garon në Ligën e Parë.

Ndërkohë, seleksionuesi kosovar, Albert Bunjaku, në një konferencë për media të mbajtur të premten në kryeqytet, bëri të ditur edhe plan-programin e tij në bazë të të cilit do të punohet gjatë këtij kampi treditor.

Në ditën e parë, përkatësisht të premten, ekipi kosovar ka stërvitur në stadiumin e KEK-ut në Kastriot, derisa në mbrëmje ka mbajtur ushtrime teorikisht.

Të shtunën, përfaqësuesja e Kosovës në mëngjes do të stërvitë në stadiumin e 2 Korrikut në kryeqytet, kurse pasdite në stadiumin e KEK-ut. Të njëjtën ditë Albert Bunjaku do tu ligjërojë dy herë teorikisht

Ndërsa të dielën kampi do të përmbyllet, pas një stërvitjeje që ekipi kosovar do ta mbajë në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë.

Albert Bunjaku ka thënë se kjo përzgjedhje është reale. Ai tha se në muajin janar të vitit të ardhshëm do ta mbajë edhe një tubim të ngjashëm në Kosovë, ku do të ftohen kryesisht lojtarët që kanë marrë pjesë në kampin e muajit tetor dhe të këtij të fundit.

Në tubimin e muajit tetor do të ftohen sërish gjithë këta lojtarë dhe do të testohen fizikisht, para se të bëhet klasifikimi përfundimtar i tyre. Ata që i kalojnë ato teste fizike do të hyjnë në listën përfundimtare, e cila do të jetë e kombinuar me lojtarët që luajnë jashtë vendit, tha Bunjaku

Ai tregoi se planifikon që në vitin e ardhshëm ta mbajë një grumbullim tjetër jashtë Kosovës, ku do të ftohen vetëm lojtarët kosovarë që luajnë nëpër Evropë.

Planifikoj ta mbaj një tubim në Suedi me lojtarët që luajnë jashtë. Tashmë kam idenë se si duhet ta organizojmë atë kamp. Lojtarët që jetojnë jashtë Kosovës tani do të mund të aplikojnë për të marrë pjesë në kamp në ueb faqen zyrtare të FFK-së. Ne do ti shikojmë informatat që ata lojtarë i dërgojnë dhe më pas do të bëhet klasifikimi i tyre, pohoi Bunjaku.

Ai ka paralajmëruar se pas kampit në Suedi do ta përpilojë listën përfundimtare. Sipas tij, aty pritet të ftohen lojtarë nga Kosova dhe nga ata që luajnë jashtë vendit.

Futbollistët e ftuar
Flamur Neziri, Kushtrim Breznica, Besart Musolli, Mentor Zhdrella, Elhami Berish, Enis Zabërxha (Hysi), Behar Maliqi, Ilir Berisha e Genc Sermaxhaj (Prishtina), Roland Duraku, Fitim Krusha (Liria), Liridon Ahmeti e Bardhyl Kaçiu (Trepça), Fisnik Papuqi (Vëllaznimi), Burim Fejza (Flamurtari), Premton Muja (Drenica), Bajram Zuqaku (Kosova(V)), Shiqeri Alili (Ferizaj), Blerim Hysenlekaj (Besa), Fidan Bajrami (Gjilani), Visar Zogiani (KEK-u), dhe Festim Krasniqi (2 Korriku).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›