E Shtunë, 31 Tetor 2026

U-21, barazim 2-2 përballë Austrisë

Kuqezinjtë e vegjël kaluan në avantazh të dyfishtë në minutat 21’ dhe 51’, me anë të Sykajt dhe Roshit. Sulmuesi i ri i Vllaznisë përfitoi nga një krosim i Karabecit brenda zonës, duke zhbllokuar rezultatin. Miqtë kishin mundësinë më të mirë për të barazuar dy minuta para fundit, por Kaulak nuk arrin të shndërrojë në gol një penallti. Me epërsinë e kuqezinjve mbyllet fraksioni i parë i lojës.

Me fillimin e 45 minutave të dyta, Shqipëria dyfishon rezultatin, kësaj here me anë të Roshit. Kronometri i lojës shënon minutën e 51-të. Fieraku i Flamurtarit shkëputet bukur në krahun e majtë të sulmit tonë, kalon dy-tre mbrojtës dhe vihet përballë portierit mik, godet fort dhe e dërgon topin në rrjetë. 2-0 për Shqipërinë, çka dukej se e vulosi fitoren e kuqezinjve, por nuk ndodhi kështu.

Ende pa kaluar një minutë, Kaulak korrigjoi gabimin, duke shënuar golin e parë për austriakët dhe duke rihapur takimin. 11 minuta para fundit, Veiman barazon gjithçka, edhe pse miqtë patën një tjetër mundësi të mirë për të rikthyer barazpeshën. Portieri Moçka priti një penallti të ekzekutuar nga Baumgaitner në minutën e 72-të.

Me këtë barazim Shqipëria ngjitet në kuotën e katër pikëve pas gjashtë ndeshjesh të luajtura, duke lënë pas vetëm Azerbajxhanin. Të mërkurën skuadra e Bushatit do të presë në “Niko Dovana” të Durrësit Bjellorusinë, në ndeshjen e radhës për eliminatoret e kampionatit europian U-21 që do të zhvillohet në vitin 2011.

Shqipëri-Austri 2-2 (Sykaj 21’, Roshi 51’ / Kaulak 53’, Weimann 79’)

Shqiperia: Moçka, Semina, Gocaj, P.Arbri, Malindi (Cikalleshi 87’), S.Lilaj (Gava 65’), Karabeci, Hysa (Januzi 55’), Hoxha, Sykaj, Roshi. Trajner: A. Bushati

Austria: L.G.Koni, Margreter (Perstaller 70’), Ramsebner, Baumgartinger, Grunnald (Borgstaller 63’), Kaulak, A.Nuhiu, Alaba, Koch, Weimann (Permayr 82’), Dibon. Trajner: A. Herzog

Gjyqtar: T. Mikulski (Poloni)

Kartonë të verdhë: Karabeci, Hoxha, Roshi / Koch, Kaulak, Baumgartinger

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›