E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë kafe, se orë mësimi...

Në kohën e mësimit, në kohë të lirë, për festa, për të biseduar, por edhe për t‘u përqafuar. Në gjimnaz, në shkollë të lartë, ditëve të pushimit, paradite dhe pasdite. Gjimnazistëve dhe studentëve nuk iu mungon asnjëherë dëshira për të shkuar në kafe. Disa thonë se është i vetmi ambient ku mund të flasin, të argëtohen, të kalojnë kohë me miqtë, por në të njëjtën kohë është edhe i vetmi vend, ku mund të presësh sa të mbarojë një orë "e mërzitshme" mësimi. Lokalet, baret, apo siç i thonë të gjithë të rinjtë në gjuhën e përditshme, "kafet", janë pjesë e pandashme e të përditshmes së tyre. Në këtë vend mund të mblidhesh të argëtohesh, të qash hallet, por edhe të rrish afër e afër me bashkëmoshatarët, për të cilët krijon simpati.

Pak shkolla kanë libra dhe biblioteka, salla studimi, kurse pas shkollore, orë suplementare për nxënës që kanë vështirësi në disa lëndë. Ambientet sportive, mundësitë për të kaluar kohën pas mësimit, nuk janë të njëjta me ato që kanë të rinjtë evropianë.

Kjo dhe shumë faktorë të tjerë, sipas gjimnazistëve dhe të rinjve, ka krijuar atë që sot njihet me fjalën: kulturo-kafe.

Koha

Gjatë një vëzhgimi në disa nga gjimnazet dhe fakultetet në kryeqytetet, nuk kemi gjetur asnjë ambient pa lokale, bare dhe dyqane me ushqim të shpejtë. Por, edhe pse ato janë shumë, shtohen çdo ditë si kërpudhat pas shiut, për çudi nuk i pamë bosh. Si në mëngjes, si në orët e pushimit, apo edhe në drekë, pas mbarimit të leksioneve apo pushimit të madh, lokalet ishin plot.

Në orët e para të mëngjesit gjen të "vetmuar" kryesisht ata që zgjohen në orët e vona. Askush nuk i pranon të futen në klasë apo auditor në mes të orës. Kështu që, zgjidhja mbetet vetëm rehatimi në një tavolinë te lokali pranë shkollës apo fakultetit.

Pjesë e grupit janë edhe ata që nuk kanë mësuar dhe sipas radhës iu bie patjetër të çohen në mësim, apo të jenë aktiv gjatë orës së seminarit. Kur lihen orët e mësimit, të gjithë e dinë, vendi ku takohen janë lokalet. Kur mungon mësuesja, pedagogu, kur nuk ke dëshirë të dëgjosh një orë "të bezdisshme", vendi i takimit është kafja. Por jo vetëm kaq, kur mbaron mësimi para se të nisesh për në shtëpi, miqtë takohen aty te kafeneja e preferuar. Kjo kohë është edhe koha e artë, ora e "shpëtimit", kur askush nuk ruhet se mos kalon ndonjë "zysh" e i shikon që mund të kenë lënë mësimin...

Argëtimi

Kafetë afër shkollave apo afër fakultetit, janë dhe më të lirat se ato në qendër. Studentët, e në mënyrë të veçantë adoleshentët, duke e ditur buxhetin që kanë, zgjedhin të pinë më shumë kafe brenda zonës së shkollës, sesa ato që qendër, ku mund të ulen vetëm një herë në ditë, apo edhe më rrallë. Çmimet e ulëta që ofrojnë kafenetë pranë shkollës favorizojnë kalimin e një kohe më të gjatë, apo uljet më të shpeshta gjatë një dite. Fundjava është koha, kur prindërit bëhen më bujar, kështu që edhe kafeneja ku shpenzohet koha është më "luksoze". Prenotimet e ditëlindjeve, e festave, organizimeve apo gjetjet e sebepeve për t‘u mbledhur janë edhe më të bukura në kafene. Muzika është më e lartë, veshjet që përdoren janë më të bukura se ato të të përditshmes. Angazhimi për t‘u paraqitur në lartësinë e duhur është edhe më i madh. Kjo është koha, kur mund të konsumohet pak më shumë duhan apo alkool.

Madje, kjo është kohë edhe më e qetë, kur nuk duhet të vrasësh mendjen për orën e ardhshme, për provimin, për "zyshën që të ngre më shumë nervat", apo për detyrat që të presin kur do të shkosh në shtëpi. Prenotimet e kafeneve pranë shkollës janë edhe më të leverdishme sesa variantet e tjera që të ofron kryeqyteti.

Studentët

Nga halli apo nga malli, nga dëshira apo nga pamundësia për të bërë diçka tjetër, ata që mbajnë rekord në shpenzimin e kohës në kafene janë studentët. Shpeshherë pedagogët nuk paraqiten në fakultet, e atyre u duhet të presin sa të kalojë ora për seminarin apo leksionin e radhës. Herë të tjera, ata nuk kanë dëshirë të rrinë gjatë në auditor. Rastet, kur nuk je përgatitur në provim, apo nuk ke bërë detyrat, janë të gjitha pretekste për të qëndruar në kafe. Për thashetheme, për t‘u takuar para se të nis dita, apo edhe kot për të kaluar kohën, sigurisht që për të rinjtë janë arsye dhe motive për të qëndruar në kafene.

Më pak se adoleshentët, të rinjtë motivohen për të ndenjur në lokal edhe për të përsëritur pyetjet para një provimi, për të bërë kopje, apo për të pritur teksa shoku fotokopjon leksionet. Shumë prej tyre nuk e pëlqejnë këtë kulturë, e cila është bërë pjesë e të përditshmes te të gjithë. Por mundësitë për të filluar punë, ofertat për të zënë kohën e lirë, mosfunksionimi i të gjitha hallkave ashtu siç duhet, i rregullave, të drejtave dhe detyrave në fakultet, bën që me hir a me pahir kafenetë të shtojnë fitimet e tyre, ndërsa të rinjtë të konsumojnë veten në këto mjedise.

Mundësitë

Mundësitë, që shkolla dhe universiteti të jenë më tërheqës dhe interesantë se kafenetë, deri tani janë të vakëta. "Betejën" mes të dyjave, deri tani e kanë fituar lokalet. Kjo është thjeshtësisht e verifikueshme nga të gjithë. Mjafton të shikosh numrin e bareve rreth e qark gjimnazeve, fakulteteve publike e private, pranë ambienteve ku ka adoleshentë dhe studentë. Kafenetë, vit pas viti, rikonstuktohen, shtohen ashtu si kërkesa dhe numri i frekuentuesve të rregullt të tyre. Madje, vitet e fundit, duke ditur edhe çfarë kërkohet, pronarët e kafeneve, të cilët kanë studiuar "tregun" përshtatin edhe infrastrukturën me kërkesat e adoleshentëve. Tani lokalet kanë futur si pjesë të tendencës, ambiente me papafingo. Ndërsa, pjesa në katin e parë strehon miqtë dhe grupet e mëdha, që ulen në kafene, papafingo shërben si vend më i qetë dhe si "fole", për ata që kanë nisur të kenë pëlqimet e para. Në këto vende, mund të përfitosh nga rasti jo vetëm të kapësh dorën e personit që ke pranë, por edhe t‘i rrembash ndonjë puthje a përqafim të zjarrtë. Këto, më të rrezikshme, bëhen në kohën që ke lënë orën e mësimit...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›