Zgjidhja e krizës spitalore, skema e sigurimeve shëndetësore
Në Pediatri nuk kryhen të gjitha ekzaminimet. Mungesës së barnave dhe mjeteve spitalore nuk i ka shpëtuar as pavijoni i Pediatrisë në QSUT. Prindërit e fëmijëve që janë shtruar në repartin Pediatrik, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", janë të detyruar të blejnë me para në dorë medikamentet për kurim, madje edhe ato bazë. Prej javësh, prindërit e fëmijëve të shtruar në pavijonin e Pediatrisë blejnë edhe vitaminat C, të cilat megjithëse kushtojnë shumë pak, nuk gjenden në farmacinë e këtij reparti. Ndërsa që prej katër muajsh në këtë pavijon mungon letra EKG, që shërben për nxjerrjen e të dhënave pas ekzaminimit. Kur pyet tek informacioni i këtij pavijoni, të përgjigjen shkurt: "Ka tre-katër muaj që nuk ka letër për ezhenë". Kur kërkon më tej sqarime se si t‘ia bëjnë pacientët, të gjithë ngrenë supet duke thënë: "Shteti e di". Kudo që të përplasesh në pavijonet e QSUT-së merr të njëjtën përgjigje: "Nuk ka barna, shkoni dhe blejini në farmaci". Krizës nuk i ka shpëtuar as laboratori ku kryhen analizat. Sot, në QSUT-në "Nënë Tereza", në Tiranë, nuk kryen dot as analiza gjaku dhe as analiza për gjëndrën tiroide. Arsyeja? Mungojnë reagentët. Alarmante është situata edhe në shumë spitale të tjera të Shqipërisë. Në spitalin e Korçës, listës së mungesave, përveç barnave, i shtohet edhe ajo e reagentëve laboratorikë, si edhe ajo e shiringave, të cilat duhet të blihen gjithashtu në sektorin privat. Mungesa e reagentëve në laboratorin e spitalit ka sjellë edhe pamundësinë e kryerjes së një sërë analizash laboratorike, të cilat janë të domosdoshme për diagnostikimin e të sëmurëve. Edhe në spitalin e Fierit është dhënë alarmi për mungesën e barnave. Mjekët e këtij spitali i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa, pasi kanë mungesa të theksuara të medikamenteve, deri edhe tek ato më elementaret. Situata është kaotike, ndërsa kërkesat e pacientëve janë të shumta. Në Vlorë, mbi 100 milionë lekë ilaçe rezultojnë të jenë stok, në një kohë kur spitali ka mungesa të barnave nga më të domosdoshmet. I vetmi institucion spitalor ku mund të gjesh barnat imediate është spitali rajonal i Durrësit. Pacientët shprehen se nuk janë të detyruar që të vrapojnë nëpër farmacitë private për të blerë dorezat e operacionit, pambukun, paracetamolin apo vigonët. Pyetëm se cila është arsyeja se përse në këtë spital nuk ndihet kriza që ka pushtuar të gjithë sistemin spitalor në Shqipëri. Vetë drejtuesi i këtij spitali, Neritan Myderrizi, shpjegon se aktualisht spitali i Durrësit është i vetmi që financohet nga skema e sigurimeve shëndetësore. Që në vitin 2000 është zbatuar kjo skemë, me Vendim të Këshillit të Ministrave. Atje nuk ka probleme me barnat, siç dëgjojmë rëndom në spitalet e tjera, pasi skema e financimit përmes sigurimeve shëndetësore po funksionon. Për këtë arsye, ISKSH-ja kërkon shtrirjen e skemës së sigurimeve më gjerë se ky spital. Të të njëjtit mendim janë edhe dy ish-ministra të Shëndetësisë, Tritan Shehu dhe Leonard Solis. Sipas tyre, kjo reformë është e vetmja rrugë që duhet të ndjekë sistemi shëndetësor edhe pse ky është një hap i vogël dhe duhet shoqëruar me një proces të tërë reformash në sistemin spitalor shëndetësor. "Nëse kërkojmë cilësi shërbimi, nëse kërkojmë ulje të korrupsionit në bluzat e bardha, kjo bëhet me mekanizma dhe jo me ulërima boshe apo me thirrje pa bukë. Ka pasur shumë pengesa dhe janë bërë hapa të mëdhenj përpara dhe unë po them që është çasti i duhur për t‘i përkrahur", thekson Solis. Drejtoresha e Zyrës Juridike në ISKSH, Laureta Mano, shpjegon se me këtë sistem spitalet nuk do të marrin më një buxhet të bazuar në vlera historike, siç është bërë deri më sot, por do të synohet të paguhet për koston reale të çdo shërbimi që ato ofrojnë. Pacienti, me këtë sistem të ri, do të dijë se sa i kushton një operacion dhe sa është shuma që i mbulon shteti nga sigurimet shëndetësore që ka derdhur çdo muaj. Por, problemi për zbatimin e kësaj reforme, si gjithmonë, janë fondet. Ministria e Financave, për vitin 2009, ka parashikuar të njëjtin buxhet për ISKSH-në si dhe në vitet e kaluara. ISKSH-ja, nga ana tjetër, kërkon parashikimin e një buxheti shtesë, mbi atë që ka planifikuar mbi projekt buxhetin aktual, qoftë edhe thjesht për një fond pagash të nevojshme për të stimuluar mjekët në momentin e parë që do të aplikohet kjo skemë.
Deklaratat
Laureta Mano, drejtore juridike në ISKSH:
"Pagesat, sipas kostos reale të shërbimit"
"Spitalet nuk do të marrin më një buxhet të bazuar në vlera historike, siç është bërë deri më sot, por do të synohet të paguhet për koston reale të çdo shërbimi që ato ofrojnë.
Duke u bazuar në eksperiencën e spitalit të Durrësit, ne do të arrijmë brenda vitit të parë të nxjerrim për çdo shërbim specifik që merr pacienti në spital, një kosto konkrete. Kjo mënyrë financimi do të bazohet në këto kosto.
Nga ana tjetër, kjo krijon mundësinë e një sistemi transparent në raport me pacientin. Pacienti do ta dijë se sa i kushton atij një operacion i thjeshtë në spital dhe sa do të mbulojë shteti.
Duke qenë se ne synojmë një reformë të thellë, kuptohet që reformat kanë kosto dhe do të kërkonim nga Ministria e Financave parashikimin e një buxheti shtesë, mbi atë që ka planifikuar mbi projekt buxhetin aktual, qoftë edhe thjesht për një fond pagash të nevojshëm për të stimuluar mjekët në momentin e parë që do të aplikohet kjo skemë".