E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2009, për bujqësinë 6 miliardë lekë

Buxheti për bujqësisë është rritur për vitin 2009. Madje, edhe vlera e subvencioneve është shumë herë më e lartë se ajo e vitit 2008. “Për herë të parë pas kaq vitesh, buxheti i shtetit për bujqësinë për vitin 2009 do të jetë në vlerën e 6 miliardë lekëve”, - tha dje në një konferencë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Rexhep Shahu. Sipas tij, për vitin 2009, mbështetja e drejtpërdrejtë për fermerët nga 10 milionë dollarë që ishte në 2008 do të rritet në 15 milionë dollarë dhe numri i skemave mbështetëse nga 12 do të shtohet në 15 skema për vitin 2009, duke shtuar serat diellore, bletarinë etj. Duke iu referuar statistikave, ai tha se në tre vitet e fundit llogariten rreth 1.2 miliard dollarë investime në zhvillimin rural e bujqësor të vendit. Ndërkohë që janë akorduar për vitin 2009, rreth 5 milionë dollarë që do t’u jepen kompanive private për bashkëfinancim në ndërtimin e kapaciteteve frigoriferike, për përpunim fruta-perime dhe në zonat e thella për ndërtim baxhosh. Një tjetër sektor që vazhdon të jetë në vëmendje të politikave të MBUMK-së, është dhe investimi në bujqësi për ujitje e kullim, ku deri tani, janë adresuar dy herë më shumë financime krahasuar me 2005. "Në 2008, pavarësisht vajtimeve të Edi Ramës, bujqësia është pjesë e rëndësishme e rritjes ekonomike prej 6 për qind të vendit, më e larta se vendet e rajonit", - tha Shahu.

Mirëmbajta e rrugëve, buxheti 2009 rrit 30% fondin

Në vitin 2009, në buxhetin 2009 është bërë një rritje e qenësishme e të gjitha fondeve të mirëmbajtjes, sidomos e fondit të mirëmbajtjes së rrugëve. Ka një rritje prej rreth 30 % të fondit, një zë ky i domosdoshëm për të mbështetur investimet e mëdha që janë bërë për të mos lejuar degradimin e tyre. Rritja e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes ka pasur në konsideratë nga ana tjetër faktin që shpenzimet e funksionimit administratës qendrore, të mos pësojnë rritje, por ulje në raport me PBB -në. Nga 1.02 % që zinin shpenzimet për administratën publike qendrore, kemi zbritur nën 1 % për vitin 2009, pasi kemi rritur vetëm me 4 % shpenzimet operative të institucioneve. Dhe e gjithë rritja vjen vetëm për fondet e mirëmbajtjes së investimeve, sidomos të rrugëve kombëtare. Për vitin 2009 ne vijojmë të mbajmë në nivel shumë të lartë nivelin e investimeve publike. Do të jenë rreth 19 miliardë lekë ose mbi 1 miliard dollarë për t’i investuar në investimet publike, ku investimet ne infrastrukturën rrugore përbëjnë elementin kryesor. Janë rreth 57 miliardë lekë që vihen në dispozicion të MPPTT-së për programet e saj, nga të cilat mbi 90% e zë rrjeti i infrastrukturës rrugore në ndërtim, apo projekte të reja tashmë të tenderuara nga kjo ministri gjatë vitit 2008. Ajo që vlen për t’u theksuar në kalendarin e investimeve publike për vitin 2009, është se mundësuam të pakësojmë më tej numrin e projekteve, për të mos lejuar copëzimin e investimeve dhe fondeve në projekte të vogla. Nga rreth 4 mijë projekte që gjetëm në vitin 2005, në vitin 2009 zbresim nën 1 mijë projekte në të gjitha ministritë dhe institucionet buxhetore. Pra kemi 4-fishuar fondet për investime publike dhe i kemi pakësuar projektet po me 4 herë. Pra, do të thotë, kemi rritur investimet dhe përqendruar në projekte të qenësishme, të cilat japin efekte mbi ekonominë, janë efikase në raport me buxhetin dhe që minimizojnë avullimin e fondeve përmes tenderave të vegjël, pa rezultat konkret në ekonomi në tërësi, pas përfundimit të projekteve. Ky përbën elementin më pozitiv dhe të dukshëm. Në investimet publike janë mbështetur ministritë prioritare, infrastruktura rrugore, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, sikurse edhe Ministria e Mbrojtjes për të mbajtur në nivelin 2 % të PBB–së financimet për modernizimin e ushtrisë në kuadrin e anëtarësimit në NATO.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›