"Më shumë përkujdesje për fëmijët jetimë"
Më shumë përkujdesje për fëmijët jetimë. Kjo ishte motoja e aktivitetit të djeshëm, i organizuar nga Ministria e Punës në shtëpinë e foshnjës, Hana dhe Rozafa në Tiranë. Në këtë aktivitet morën pjesë Ministri i Punës, Spiro Ksera, Presidentja e fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", Liri Berisha, përfaqësues të institucioneve të shërbimeve sociale, të UNICEF në Shqipëri, të organizatës Bethani, si dhe fëmijë e edukatorë. "Fëmijët janë jo vetëm në qendër të sistemit të përkujdesit social, por përbëjnë prioritet madhor të Programit Social të Qeverisë Berisha dhe politikave aktive e dinamike të MPCSSHB", tha Ministri i Punës Spiro Ksera. Presidentja e fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", Liri Berisha vlerësoi politikat që u vijnë në ndihmë fëmijëve dhe theksoi se sidomos për fëmijët jetimë duhet më shumë përkujdesje e bashkëpunim për të përmirësuar jetesën e tyre. "Sa më afër të jemi, jo karshi këtyre fëmijëve, po sa më afër të jemi në strukturat, Ministria e Arsimit, e Punës, shoqata të ndryshme, fondacionet, vetë Qeveria, të kenë përkujdesjen sa më të madhe por të përbashkët, unë mendoj se zgjidhja e problemeve të tyre do të jetë më e shpejtë", tha Liri Berisha. Aktualisht në vendin tonë, sipas statistikave që ofron shërbimi social shtetëror, ka rreth 1600 fëmijë jetimë, të cilët jo të gjithë jetojnë në shtëpitë e fëmijës. Gjatë aktivitetit, Ministri i Punës, Spiro Ksera, lançoi dhe nismën më të fundit në ndihmë të fëmijëve jetimë, atë të ofrimit të ndihmës vullnetare, nga studentë të shkencave sociale, të cilët do të qëndrojnë pranë shtëpive të fëmijëve për të ofruar ndihmën e tyre. Janë rreth 100 studentë që do t'i bashkëngjiten personelit të qendrave publike në të gjithë vendin, duke ofruar ndihmën e tyre, por edhe duke përfituar nga një eksperiencë e cila, do t'u hapë rrugët për të siguruar një punë në profesion, kur të përfundojnë studimet.