Kur Mourinjo kopjon "mësuesin" Van Gal
Finalja e Ligës së Kampioneve nuk është vetëm dueli midis 22 lojtarëve në fushën e blertë, por edhe një dyluftim midis trajnerëve, të cilët me sukseset dhe cilësitë e tyre renditen në listën e teknikëve më të mirë në botë. Murinjo ka mësuar shumë si të drejtojë në rrugën e duhur ekipin e tij, kjo falë leksioneve dhe eksperiencës me ish-trajnerin e tij, Luis van Gal, që nesër i ra fati ta ketë kundërshtar. Tashmë falë sukseseve me ekipet si Porto, çelsi dhe së fundmi me Interin, është kthyer në figurën më lakmuese të mbarë medias botërore, kjo si pasojë e tipit të tij karizmatik në marrëdhënie verbale me opinionin publik. Murinjos i pëlqen të luajë rolin e një aktori, të një interpreti fantastik me botën e jashtme dhe të një arroganti brenda ekipit. Një pjesë e karakterit të tij si trajner është formuar nga mësimdhënia e holandezit, Luis van Gal, të cilin e përshkruan si një njeri të ndërgjegjshëm, arrogant dhe dominant, por edhe familjar. Trajneri bavarez, Luis van Gal, është një mjeshtër dogmatik i futbollit, i cili ndërton formacionin me mënyrën e tij ku si bosht kryesor ka disiplinën, komunikimin dhe arsimimin e lojtarëve. "Arti i futbollit është një sport që u takon të gjithë protagonistëve të një ndeshjeje, ku secili nga lojtarët janë të varur nga njëri-tjetri. Nëse një lojtar nuk kryen detyrën e tij, si pasojë do të çekuikulibrohet edhe stili i tjetrit, që do të thotë se çdo lojtar duhet të përmbushë me sukses pozicionin e tij dhe kjo ndodh vetëm nëse luajnë në mënyrë të disiplinuar", sqaron Van Gal, i cili ka themeluar "kushtetutën" e tij bavareze. Një shembull i thyerjes së kësaj disipline ka qenë italiani Luka Toni, i cili nuk arriti të kuptonte dhe të familjarizohej me skemën e holandezit. Sipas Denis Berkamp, Van Gal formon një skuadër të suksesshme dhe me 11 “robotë”. Nga ana tjetër dhe Murinjo pret që lojtarët të japin maksimumin në fushë, duke bashkëpunuar zinxhir me njëri-tjetrin. Në rast të mosrespektimit të rregullores së tij, portugezi Murinjo nuk fal askënd. Një shembull negativ ka qenë edhe mesfushori Mario Baloteli, i cili me sjelljet e tij acaruese ka ngacmuar trajnerin dhe ky i fundit e ndëshkoi duke mos e aktivizuar kundër çelsit. Ky koncept është ligj për të dy trajnerët, ashtu siç ka thënë Van Gal, që lojtarët duhet të reagojnë vetë, nëse cënohet disiplina.