Muzeu Kombëtar, restaurim në sezon turistik
Prej disa ditësh fasadës së Muzeut Historik Kombëtar po i ngjiten ca skela të verdha. Së shpejti ajo do të jetë tërësisht e mbuluar dhe mozaiku gjigand me punëtorë e luftëtarë do t'i "mungojë" kryeqytetasve për disa muaj me radhë. Ndonëse ka kohë që flitet për të, vetëm tani, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Tiranës dhe Instituti i Monumenteve filluan zbatimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e mozaikut në faqen ballore të MHK-së. Sipas specialistëve, fillimisht mozaiku do t'i nënshtrohet një faze të parë, që është ajo e studimit dhe e evidentimit të të gjitha nevojave për ndërhyrje që ai paraqet. E më tej do të vijojë faza e restaurimit. Mozaiku masiv prej 440 metrash katrorë ka vite që paraqet probleme në shkëputjen e copëzave që e formojnë atë, për shkak të veprimit të faktorëve atmosferikë. Kështu, që do të duhej zëvendësimi i tyre, çka nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë, duke marrë parasysh pozicionin e tij. Mësohet se restaurimi i mozaikut do të kushtojë rreth 1,5 milionë lekë të reja. Restaurimi i kësaj vepre është padyshim një lajm i mirë, me gjithë debatet që ka hapur për shkak të përmbajtjes së tij. Edhe pse specialistët mund të ngrenë pretendimin se një ndërhyrje e tillë ka nevojë për kohë të thatë, zbatimi i këtij projekti, pikërisht në këtë periudhë të vitit, mund të sjellë zvogëlimin e vizitorëve në Muzeun Historik Kombëtar. Me ardhjen e stinës së nxehtë shtohet numri i turistëve të huaj, por edhe shqiptarë që vizitojnë kryeqytetin. Pavarësisht përmbajtjes, mbi të cilën nuk është vënë dorë prej kohës së ngritjes së tij, gati 30 vjet më parë, muzeu është një ndër vendet e pakta, ku ata mund të shkojnë. Një ndërtesë e mbuluar nuk të fton ta vizitosh atë, ndonëse dyert e saj mund të jenë të hapura. Dhe kjo do të zgjasë jo pak. Por tanimë jemi mësuar të shohim rrugë e projekte të tjera që fillojnë të zbatohen, pikërisht në prag të sezonit turistik.