E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET, 20 kompani të mëdha test rekrutimi për studentët



Holli i Universitetit Evropian të Tiranës i ngjante dje një ambienti të mirëfilltë intervistash pune. Tryezat me logon e kompanive të mëdha, që operojnë në vendin tonë, kishin përballë përfaqësuesve të tyre studentë që testoheshin për të fituar një vend pune. Pas derës, qindra të tjerë prisnin radhën për të provuar veten në intervistat tipike, për t'u pranuar si pjesë e stafit në një nga kompanitë e mëdha. Kështu nisi dje në UET Panairi i Punës. I organizuar për herë të parë, ai synon të afrojë universitetin si institucion edukues dhe ofrues i fuqisë punëtore me biznesin që kërkon fuqi punëtore. Në këtë panair morën pjesë rreth 20 kompani prestigjioze, që operojnë në Shqipëri mes të tjerave dhe Vodafone, Eagle Mobile, Coca Cola, Agna Group, P&P, KPMG, Reiffeisen Bank, Union Bank, Oportunity Albania. Këto kompani promovuan vetveten dhe do të prezantojnë te studentët mënyrën si punohet në kompaninë e tyre. "Ka studentë mjaft të mirë, të cilët kanë një sërë shansesh për t'u punësuar në të ardhmen në kompanitë tona", thanë disa nga përfaqësuesit e kompanive. Nga ana tjetër, studentët u ofruan për t'u punësuar pranë këtyre kompanive. Studentët u intervistuan nga kompanitë dhe dorëzuan CV-të e tyre. "Motoja jonë është "një diplomë, një karrierë, një profesion". Takime të tilla janë shumë të rëndësishme, si për studentët, ashtu edhe për kompanitë e biznesit, sepse shënojnë fillimin e një marrëdhënieje profesionale që mund të zgjasë në kohë dhe të provohet fitimprurëse për të dyja palët", tha Edlira Kasaj, drejtore e Zyrës së Karrierës dhe Praktikave në UET. Nga sa bëri me dije zyra e shtypit në UET, përfaqësuesit e biznesit falënderuan organizatorët për këtë nismë dhe shprehën gatishmërine e tyre për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen, duke qenë se ky Panair do të jetë një aktivitet i përvitshëm në UET. "UET-i i kushton një vëmendje të veçantë aftësimit praktik të studentëve, pasi përveç komponentit teorik dhe njohurive që ofrohen, studentët kanë mundësi të aftësohen në një seri aspektesh profesionale, si shkrimi akademik, metodat e kërkimit apo e folura publike", sqaroi zyra e shtypit e UET.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›